Tërheqja taktike për taksën

Aktuale January 16, 2019 - 08:09
Lexo tjera detaje
Image

Kryeministri Ramush Haradinaj deri para pak ditësh shprehej i bindur se taksa 100% ndaj produkteve serbe nuk do të hiqet pa njohjen e Kosovës nga Serbia. Megjithatë, së fundi Haradinaj për heqjen e taksës po kërkon garanci ndërkombëtare se në një afat të caktuar do të nënshkruhet marrëveshja për njohjen. Burime të gazetës “Zëri” thonë se Qeveria ka filluar zmbrapsjen “taktike” dhe se taksa do të hiqet brenda pak ditësh, shkruan Gazeta "Zëri".

Garancia ndërkombëtare për arritjen e marrëveshjes përmes së cilës Serbia njeh Kosovës është kushti i kryeministrit Ramush Haradinaj për ta pezulluar taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe. Deri para dy ditësh Haradinaj ishte i vendosur se taksa nuk tërhiqet pa njohjen nga Serbia, por që nga e hëna, pas presioneve ndërkombëtare e me theks të veçantë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri i vendit ka filluar të zmbrapset. Burime të gazetës “Zëri” brenda koalicionit qeverisës thonë se taksa ndaj Serbisë do të hiqet brenda pak ditësh. Sipas këtyre burimeve, kryeministri u ka thënë  partnerëve ndërkombëtarë se nëse ata garantojnë njohjen e Kosovës nga Serbia, atëherë ai mund ta tërheqë vendimin për taksën.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të martën në një konferencë për medie ka konfirmuar kushtin e tij për tërheqjen e taksës. “Sot do ta kishim pezulluar sikur të kishim një kontratë të dakorduar për të shkuar diku për ta nënshkruar. E pezullojmë se nuk është vendosur tarifa për ta penguar një marrëveshje ose për ta vonuar atë. Mirëpo, para se te kemi një marrëveshje gjithëpërfshirëse, obligative ligjore për njohje që zgjidh të gjitha problemet e tjera për ta vazhduar veç një cirk që është quajtur si dialog i këtyre dy-tre vjetëve të fundit, nuk ka logjikë të hiqet”, është shprehur Haradinaj në një konferencë për medie.

Shefi i ekzekutivit po ashtu ka konfirmuar se ka kërkesë zyrtare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të hequr taksën, në mënyrë që të mundë të vazhdohet dialogu me Serbinë.

Megjithatë, sipas Haradinajt, Serbia po mundohet që ta shtyjë çështjen e njohjes së Kosovës deri në vitin 2022, kohë kjo kur i afrohet anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Prandaj Haradinaj ka thënë se edhe taksa mund të mbetet në fuqi deri në vitin 2022.

Por këto deklarata të Haradinajt nga opozita dhe analistët vlerësohen si tërheqje graduale e Qeverisë për çështjen e taksës ndaj produkteve serbe.

Opozita: Qeveria ka filluar të zmbrapset

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka thënë për gazetën “Zëri” se po shihet qartë se ka ndryshuar qëndrimi i Qeverisë së Kosovës për taksën ndaj produkteve serbe për shkak të presioneve ndërkombëtare. “Është evidente se ka ndryshuar qëndrimi, siç është evidente edhe se ka presion të drejtpërdrejtë. Nuk mendoj se duhet të tërhiqemi nga kjo masë, sepse nëse duhet të ndërhyjë dikush, atëherë kjo duhet të bëhet te të dyja palët. Serbia i ka 100 behane, siç thotë populli dhe duhet t’i korrigjojë. E natyrisht se Serbia punon kundër Kosovës, nuk e di se si ka mundësi që të ndodhë tërheqja e taksës”, ka deklaruar Kurteshi.

Ai më tej ka thënë se ekzekutivi kosovar nuk ka arritur ta bindë bashkësinë ndërkombëtare që të bëjë presion të Serbia për të mos e penguar Kosovën. “Natyrisht që Qeveria ka dështuar. E dimë se përveçqë nuk kemi njohje të reja, tani kemi edhe tërheqje të njohjeve për shkak të diplomacisë agresive të Serbisë ndaj Kosovës. Po ashtu Kosova nuk ka arritur të anëtarësohet në INTERPOL. Të gjitha këto janë dështime të Qeverisë dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme”, ka shtuar Kurteshi.

Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka thënë për “Zërin” se Qeveria është dashur të analizojë mirë para se ta merrte vendimin për taksën 100%. Sipas tij, Qeveria tani ka filluar të zmbrapset në këtë çështje. “Masa që është marrë nga ana e Qeverisë së Kosovës për një taksë ndaj mallrave të Serbisë është dashur të analizohet dhe të kalkulohet mirë... Për neve si LDK shqetësuese janë vërejtjet që kanë ardhur nga SHBA-ja, shteti më mik dhe më meritor për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Prandaj në këtë kuadër shohim edhe tendencën e zbutjes së qëndrimeve të kryeministrit të vendit, i cili tani nuk po thotë se kjo taksë hiqet pas njohjes, por kur merr garancione nga ndërkombëtarët për epilogun e dialogut”, është shprehur Rugova.

Ai më tej ka thënë se vendime të tilla të pamenduara mirë e dëmtojnë Kosovën. Sipas Rugovës, kryeministri tani duhet ta negociojë çështjen e tërheqjes së taksës. “Politikat e tilla aventureske të pamenduara mirë konsideroj se e dëmtojnë edhe procesin e dialogut, edhe imazhin e Kosovës... Kryeministri tani duhet të ulet me kokë të ftohtë të analizojë, të negociojë me partnerët tanë strategjikë, në veçanti me SHBA-në, sepse Kosova nuk guxon dhe nuk duhet të dalë kundër interesave dhe kërkesave politike e gjeostrategjike të SHBA-së”, ka theksuar Rugova.

Kryeziu: Presione ka edhe mbi Serbinë

Përparim Kryeziu, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë për gazetën “Zëri” se deklaratat e fundit të kryeministrit Ramush Haradinaj për çështjen e taksës mund të interpretohen si tërheqje e Qeverisë. “Patjetër se ky është rezultat i presionit ndërkombëtar, veçanërisht i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe gjithsesi se interpretohet si tërheqje e Qeverisë për aq kohë sa taksa hiqet pa e prodhuar efektin e përcaktuar nga vetë Qeveria – njohjen nga Serbia”, ka vlerësuar Kryeziu.

Ai më tej ka thënë se presione nga bashkësia ndërkombëtare ka edhe mbi Serbinë për ta ndalur kampanjën diplomatike kundër Kosovës. Megjithatë, sipas Kryeziut, Serbia nuk po jep sinjale se është e gatshme për t’u tërhequr nga pozicioni aktual. “Është e rëndësishme të përmendet se njëkohësisht një presion i tillë është shtruar edhe ndaj shtetit serb lidhur me kampanjën diplomatike kundër njohjeve të reja për Kosovën, anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare dhe sponsorizimin e tërheqjeve të njohjeve. Mirëpo, të njëjtën gatishmëri për tërheqje nga pozicionet fillestare nuk po e dëshmojmë nga institucionet udhëheqëse të Serbisë”, ka potencuar ai./ZËRI