Reçaku, dy dekada nga krimi pa ndëshkim!

Aktuale January 16, 2019 - 07:58
Lexo tjera detaje
Image

Dy dekada pas masakrës së Reçakut banorët e fshatit shprehen të zhgënjyer me faktin se askush nuk është dënuar për krimet e kryera, ku mbetën të vrarë 45 civilë shqiptarë, shkruan Gazeta "Zëri".

Duke dashur që të tregohet i fortë, por që plagët edhe kësaj here janë më të forta se vetë ai, Hasan Metushi nga fshati Reçak i Shtimes me sy të përlotur ka përkujtuar ditën e 15 janarit të vitit 1999, ku për herë të fundit pa babanë e tij, axhallarët e kushërinjtë e tjerë, të cilët ishin masakruar nga forcat paramilitare serbe.

Prej asaj dite ai nuk ka parë as nënën e tij, për të cilën nuk ka asnjë varr se ku ta qajë, pasi që nga 15 janar i vitit 1999 ajo figuron në mesin e personave të zhdukur. “I falënderoj të gjithë qytetarët që vinë dhe e ndajnë dhimbjen me ne. Këtu janë 44 të masakruar, prej tyre nëna ime është e zhdukur, Sahide Metushi. Veç ajo nuk është gjetur dhe nuk dihet ende për fatin e saj, presim që një ditë do të gjendet edhe ajo si të tjerët. Është i vrarë edhe babai me dy axhallarët dhe kushërinjtë, të gjithë të vrarë janë shtatë, dy prej tyre janë dëshmorë”, ka treguar ai, shkruan tutje "Zëri".

Ai ka rrëfyer për gazetën “Zëri” se si banorët e këtij fshati ishin nxjerrë nga shtëpitë e tyre dhe ishin masakruar e pushkatuar në mënyrën më mizore. “Sot kemi përvjetorin e 15 janarit të vitit 1999 kur forcat serbe hynë në fshat dhe masakruan gjithë popullatën e Reçakut, fshatarët e fshatit Reçak, të cilët kanë qenë në shtëpitë e tyre dhe janë nxjerrë jashtë fshatit, janë masakruar e pushkatuar në mënyrën më mizore nga serbët. Atë ditë ne kemi qenë këtu në fshat. Njëherë fshatarët nuk kanë dalë nga shtëpitë, sepse ka pasur të shtëna shumë. Lloj-lloj kalibra të armëve janë përdorur këtu. Dikur kanë zënë ta lëshojnë fshatin. Një pjesë ka ikur poshtë, por duke i sulmuar forcat serbe një pjesë janë ngjitur fshatit përpjetë dhe kanë hasur në forcat serbe të cilët i kanë masakruar në mënyrën më mizore”, ka thënë ai.

Së bashku me Metushin edhe banorë të tjerë të Reçakut kanë përkujtuar familjarët e tyre të vrarë para dy dekadave.

Si e kujtojnë ushtarët e UÇK-së 15 janarin e vitit 1999?

Data 15 janar çdo vit ka ngjallur dhimbje edhe tek ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët pas masakrës së Reçakut i kishin marrë në mbrojtje banorët e këtij fshati.

Ish-ushtari i UÇK-së, Avdullah Musliu, ka treguar se në mbrojtje të civilëve, më 15 janar të vitit 1999, janë vrarë edhe 9 ushtarë të UÇK-së, ndërsa ishin plagosur rëndë 8 ushtarë.

“Në mëngjesin e 15 janarit, në orën 06:45, ka filluar operacioni, krismat e para, ku ne kemi dalë në pozicionet tona dhe luftimet kanë vazhduar gjatë tërë ditës. Ne gjatë ditës nuk e kemi ditur saktë se çfarë ka ndodhur me civilët, por megjithatë nuk ka përfunduar operacioni ynë. Më 15 janar në mbrëmje e kemi futur Reçakun nën kontroll. Si ushtarë të UÇK-së më 16 janar në mëngjes kemi arritur të shohim saktë se çfarë ka ndodhur dhe përmes OSBE-së është lajmëruar edhe ambasadori William Walker, i cili edhe ka ardhur në vendin e ngjarjes dhe e ka parë masakrën”, ka thënë ai, shkruan Gazeta "Zëri".

Musliu ka treguar se më datën 15 janar kur edhe ndodhi masakra UÇK-ja ishte në pozicionet e saj duke luftuar ndaj serbëve, por që ushtarët serbë prapë kishin arritur të merrnin pengje dhe të vrisnin civilët. “Sot kujtimet na kthehen në kohën kur ndodhi edhe tragjedia e madhe, më 15 janar të vitit 1999, ku siç dihet tani botërisht, Reçaku përjetoi një masakër të paparë deri atëherë dhe ishte një ditë shumë e rëndë për të gjithë ne. Ne ishim mbi këtë vend në pozicionet tona, ku ishim në mbrojtje të popullatës, por megjithatë forcat e mëdha serbe e bënë të veten që arritën t’i marrin pengjet dhe në mënyrën më barbare e kryen operacionin e tyre”, ka shtuar ai, duke thënë se të gjithë banorët e këtij fshati po ndajnë dhimbjen e përbashkët.

Qytetarët ngushëllojnë familjarët e të rënëve

Qindra qytetarë gjatë ditës së djeshme janë nisur në fshatin Reçak për të përkujtuar 45 civilët të cilët ishin vrarë në formën më mizore më 15 janar të vitit 1999 nga forcat serbe.

Ata kanë shprehur ngushëllime për familjarët e të rënëve në këtë fshat.

Sabri Sherifi nga komuna e Vitisë, i cili njëherësh edhe kishte qenë inxhinier në projektin e rregullimit të varrezave të të rënëve në fshatin Reçak, ka treguar se për çdo vit viziton këto varreza. “Jam vizitor i rregullt i këtyre varrezave, të cilat kanë lënë një mbresë të jashtëzakonshme për rolin historik që kanë për Kosovën e sotme dhe të ardhmen e saj shpresoj. Unë kam rastisur të jem inxhinier zbatues i projektit të rregullimit të varrezave të fazës së parë. Kemi gjetur varrezat në mënyrë natyrale prej momentit të varrosjes së këtyre martirëve të Kosovës. I kemi sjellë në këtë gjendje që janë sot. Bashkëpunimi ka qenë i jashtëzakonshëm me qytetarët e këtij vendi, sepse pa ta nuk do të mundë të vepronim asgjë. Në vitin 2016 dhimbja ka qenë shumë më e freskët se sot dhe shumë më e rëndë se që është sot”, ka thënë ai.

Sherifi është shprehur se askush nuk do të mundë t’i dalë hakut të të rënëve në Reçak dhe familjarëve të tyre. “Ne jemi krenarë që kemi qenë pjesë e këtij procesi, në ekzekutim të këtyre punëve, por edhe ballëhapur se jemi mundur, por nuk besoj që kemi arritur t’u dalim hakut këtyre martirëve dhe familjeve të tyre”, ka shtuar ai.

Haradinaj: Kosova e 17 shkurtit, e paprekshme

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj gjatë ditës së djeshme ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak, me ç’rast ka nderuar të rënët në këtë fshat.

Haradinaj ka thënë se nga gjaku i dëshmorëve është fituar edhe liria për vendin. “Nderime për të rënët, familjarët e civilëve që janë vrarë në mënyrën më mizore. Reçaku i ka dhënë shumë Kosovës. Në Reçak kanë ndodhur masakra të mëdha, William Walker i tregoi botës se çfarë po ndodh këtu”, ka thënë ai.

Haradinaj duke falënderuar qytetarët të cilët kishin ardhur për homazhe ka thënë se Kosova e 17 shkurtit është e paprekshme.

Përndryshe, së bashku me Haradinajn gjatë ditës së djeshme edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka bërë homazhe te varrezat në Reçak, shkruan Gazeta "Zëri".

Veseli lëshon pëllumba në qiell për të rënët e masakrës së Reçakut

Edhe kryeparlamentari Kadri Veseli se bashku me kryetarin e Shtimes Naim Ismajlin dje kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak.

Veseli u ka shprehur ngushëllime familjarëve të personave të vrarë në masakrën e 15 janarit të vitit 1999 në Reçak.

Derisa është mbajtur aktiviteti “Pëllumbat e paqes” te shtatorja e William Walkerit, kryeparlamentari Veseli së bashku me kryetarin e Shtimes në mënyrë simbolike kanë lëshuar disa pëllumba në qiell të hapur.

Personalitete të njohura bëjnë homazhe në Reçak

Përveç krerëve të shtetit, edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti së bashku me deputeten Fatmire Kollçakun e deputetë të tjerë të kësaj partie kanë vizituar varrezat në fshatin Reçak dhe u kanë shprehur ngushëllime familjarëve të personave të vrarë në këtë fshat.

Po ashtu edhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak dhe ka nderuar të rënët në këtë fshat.

Ambasadori William Walker në përvjetorin e 20-të të masakrës nuk e vizitoi Reçakun

Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, tashmë për disa vite në përvjetorin e masakrës së Reçakut ka bërë homazhe në këtë fshat.

Shumë qytetarë të cilët shkuan dje për homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak ishin në pritje të ambasadorit Walker, i cili kishte ngritur zërin për masakrën e Reçakut, që e kishte cilësuar si krim kundër njerëzimit.

Mirëpo Walker, i cili për përvjetorët e kaluar të masakrës kishte vizituar këtë kompleks memorial, nuk mori pjesë në homazhe gjatë ditës së djeshme.

Presidenti nuk viziton Reçakun, nderon të rënët përmes “Facebook”-ut

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në 20-vjetorin e masakrës së Reçakut nuk ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial.

Thaçi kishte zgjedhur rrjetin e tij social “Facebook” për të nderuar të rënët në Reçak. “Para 20 vjetësh Reçaku hyri në historinë e Kosovës si simbol i sakrificës dhe martirizimit për lirinë që e gëzojmë sot. 15 janari i vitit 1999 ishte një ditë shumë e rëndë për Reçakun dhe tërë Kosovën, por ishte edhe një kthesë e madhe në ndërkombëtarizimin e luftës së drejtë të popullit tonë. Pas gjenocidit të ushtruar nga forcat serbe në Reçak u zgjua tërë bota demokratike dhe vuri në lëvizje gjithë diplomacinë ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Thaçi ka thënë se për krimet e kryera në Kosovë forcat serbe do të japin llogari. “Për krimet që forcat policore dhe ushtarake serbe i kanë kryer në Kosovë një ditë do të japin përgjegjësi. Por, sot e përgjithmonë, ne i kujtojmë dhe i nderojmë të gjithë martirët, dëshmorët dhe heronjtë e luftës sonë çlirimtare. Martirët dhe dëshmorët e Reçakut janë themeli i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, ka shkruar ai./ZËRI

Image

Image