Acarimi me Amerikën

Aktuale January 16, 2019 - 07:53
Lexo tjera detaje
Image

Analistët politikë vlerësojnë se krerët institucionalë të Kosovës duhet të kenë kujdes në retorikë, pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për heqjen e taksës 100 për qind për mallrat serbe. Sipas tyre, shteti më i fuqishëm në botë nuk do të heqë dorë përfundimisht nga Kosova dhe përkrahja ndaj saj ndonëse zhvillimet e fundit, siç thonë ata, i acarojnë marrëdhëniet me aleatin më të madh të vendit, shrkuan Gazeta "Zëri".

Sikurse Bashkimi Evropian (BE), edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ditëve të fundit kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që ta largojnë sa më parë taksën e vendosur prej 100 për qind ndaj produkteve serbe. Megjithëkëtë, Qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë vendim për heqjen ose pezullimin e kësaj tarife, ndonëse kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se taksa do të mbetet në fuqi deri në vitin 2022 nëse Serbia nuk e njeh Kosovën.

Pos ultimatumit për heqjen e tarifës në fjalë, SHBA-ja tashmë ia ka pamundësuar Haradinajt që të udhëtojë në Amerikë për “Lutjet e Mëngjesit”. Një gjë të tillë e ka pohuar vetë kreu i ekzekutivit, i cili ka njoftuar se sipas të gjitha gjasave nuk do të jetë prezent në Uashington. Shkas i vështirësive për ta marrë vizën shefit të Qeverisë i është bërë pikërisht taksa 100 për qind e vendosur ndaj produkteve serbe. Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se zhvillimet e tilla mund t’i cenojnë raportet me SHBA-në, shkruan Gazeta "Zëri".

Megjithatë, ata vlerësojnë se Qeveria e Kosovës nuk do të mundë ta mbajë taksën në fuqi, ashtu siç po deklaron kryeministri, deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.

Haradinajt i pamundësohet udhëtimi në SHBA

Teksa ka folur rreth vështirësive që ka pasur me vizë, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj bëri të ditur se gjasat janë të mëdha që të mos udhëtojë në SHBA për “Lutjet e Mëngjesit” pavarësisht faktit se ditë më parë ka marrë një ftesë të tillë. “Qejf kam pasur dhe kam. Por me këtë klimën e taksës po më duket nuk shkoj kësaj here. Duhet pritur për të shkuar më vonë”, është shprehur Haradinaj gjatë një konference për medie.

Para dy ditësh televizioni “Al Jazeera e Ballkanit” ka raportuar se Haradinajt i është refuzuar viza amerikane për shkak të taksës së vendosur ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, por kryeministri nuk ka pranuar të japë më shumë detaje rreth kësaj çështjeje.

Ndërkohë, në medie është raportuar se SHBA-ja do ta pezullojë edhe mbështetjen për Ushtrinë, duke i ngrirë tërë fondet për mbështetjen e FSK-së në rast se nuk hiqet tarifa.

Por pavarësisht kësaj dhe ultimatumit që taksa të largohet deri më 21 janar 2019, Haradinaj ka thënë se nuk ka kthim mbrapa të Ushtrisë, ndërkohë ka potencuar se respekti dhe “dashuria” e Kosovës ndaj SHBA-së është dhe mbetet pa kushte.

Opozita: Qeveria e ka degraduar shtetin e Kosovës

Pas zhvillimeve të fundit rreth taksës dhe përfshirjes së SHBA-së në këtë temë, shqetësimi themelor sipas deputetit të LDK-së Driton Selmanaj ka të bëjë me faktin se si është e mundur që Kosova të pranojë ultimatum nga shteti më mik i saj. Të tilla çështje sipas tij në të kaluarën janë zgjidhur krejtësisht ndryshe, jo në formën siç po bën Qeveria aktuale. “Kjo tregon për degradimin publik që i ka bërë kjo Qeveri e Kosovës shtetit të Kosovës, projektit të shtetit të Kosovës. Prandaj në këtë situatë mendoj që duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sepse nëse e cenojmë edhe këtë raport me shtetin më mik të Kosovës, atëherë mos po e vëmë në pikëpyetje edhe vetë ekzistencën e shtetit tonë”, ka nënvizuar ai gjatë një deklarate për “Zërin”.

Ndërkohë, gjersa ka komentuar raportimet rreth vështirësive për marrjen e vizës amerikane nga kryeministri, Selmanaj ka thënë se Haradinaj nuk po arrin ta kuptojë që ai është kryeministër dhe se veprimet e tilla të ndërmarra ndaj tij janë veprime të ndërmarra direkt ndaj shtetit të Kosovës. “Kjo po i bëhet shtetit të Kosovës, Qeverisë. Në këtë situatë ka përgjegjësi shumë serioze. Kam përshtypjen që kryeministri nuk ka mundësi t’i analizojë pasojat që mund t’i sjellë një raport i keq me SHBA-në”, ka theksuar ai, duke thënë se Kosova nuk guxon në asnjë rrethanë të lejojë që ta vërë në pikëpyetje raportin me SHBA-në.

Taksa nuk mund të mbijetojë aq sa thotë Qeveria

Artan Murati, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka vlerësuar se për Kosovën duhet të jetë prioritet ruajtja e raporteve me SHBA-në. Rrjedhimisht, sipas tij, krerët institucionalë duhet të kenë kujdes edhe në retorikë, edhe në veprime konkrete se si sillen me SHBA-në. “Nuk po bëhet fjalë për BE-në, por për SHBA-në, që është aleati më i madh i Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai.

Ndonëse sipas Muratit SHBA-ja nuk do të heqë dorë përfundimisht nga Kosova dhe përkrahja ndaj saj, zhvillimet e tilla sipas tij pa dyshim që i acarojnë marrëdhëniet me shtetin amerikan. “Normalisht që do t’i acaronte raportet sadopak dhe ne nuk kemi llogari që t’i acarojmë raportet me SHBA-në. Kështu, konsideroj që është mirë të diskutohen këto çështje qoftë me ambasadorin amerikan në Kosovë ose direkt me Departamentin e Shtetit Amerikan”, ka theksuar ai.

Pavarësisht zotimeve të kryeministrit se taksa nuk do të hiqet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia, Murati ka thënë se një gjë e tillë është pothuajse e pamundur për t’u realizuar.

“Sado që do të ishte ideale, është vështirë e besueshme që Kosova nuk do ta heqë taksën derisa ta njohë Serbia Kosovën, sepse ne kemi parë që kohët e fundit janë rritur presionet prej të gjitha anëve”, ka potencuar ai.

Arben Fetoshi, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka konsideruar se nuk mund të ketë acarim raportesh ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së për shkak të kontekstit politik dhe rolit të kësaj të fundit në shtetndërtimin e Kosovës. “Qëndrimet aktuale janë taktike dhe strategjike për procesin e dialogut Kosovë - Serbi, të cilat do të ndryshojnë në varësi të rezultateve konkrete. Për aq sa opozita mund ta injorojë thirrjen e presidentit Trump për unitet politik në kuadër të dialogut, po aq edhe Qeveria mund ta injorojë kërkesën e SHBA-së për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe”, ka deklaruar ai.

Në këtë kuptim, sipas Fetoshit, taksa do të hiqet ose do të pezullohet në momentin që duhet t’i hapet rruga marrëveshjes me Serbinë. “Përndryshe, do të ishte absurde dhe me pasoja politike një anulim i vendimit në Prishtinë pa asnjë ndryshim të rrethanave që kanë çuar në atë vendim”, është shprehur ai./ZËRI