Maqedonia dhe Shqipëria vendosin kontrolle të përbashkëta në Qafëthanë

Aktuale January 15, 2019 - 17:47
Lexo tjera detaje

Për mundësinë e vendosjes së kontrolleve të përbashkëta të organeve kompetente të Maqedonisë dhe Shqipërisë në vendkalimin kufitar Qafëthanë, që do të mundësojë  përshpejtim të rrjedhës së udhëtarëve, mallrave dhe mjeteve transportuese kanë biseduar sot  në Pogradec ministrat e Punëve të Brendshme të të dy vendeve, Oliver Spasovski dhe Sandër Leshaj.

Projekti i tillë, i ashtuquajtur “One stop control”, është në fazën përfundimtare para implementimit me Republikën e Serbisë, në vendkalimin kufitar Tabanoc, ndërsa nga shembujt në vendet  ku tashmë funksionon rezulton qartë se përgjysmohet koha e pritjes së qytetarëve, ndërsa kursehen edhe resurse, kumtoi MPB.

Ministrat e brendshëm të Maqedonisë dhe Shqipërisë, Spasovski dhe Lleshaj

Spasovski dhe Lleshaj në takim e kanë potencuar bashkëpunimin e shkëlqyer mes policëve të të dy vendeve, veçanërisht mes policive kufitare.

Dy ministrat u dakorduan që bashkëpunimi mes policive kufitare të të dy shteteve të vazhdojë edhe në të ardhmen  në të gjitha nivelet, para se gjithash përmes mbajtjes së rregullt të  mbledhjeve, këmbimit të përvojave dhe informacioneve të dobishme për përmirësimin e efikasitetit  të menaxhimit kufitar, ndalimit të emigrantëve ilegalë dhe të gjitha formave të krimit tejkufitar.