Detaje të reja rreth intervistimit të ish pjesëtarëve të UÇK-së nga Specialja

Aktuale January 15, 2019 - 11:00

Sabahajdin Cena, ish-anëtar i Zonës së Pashtrikut gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i cili gjatë ditës së djeshme është intervistuar nga hetues të Prokurorisë së Specializuar në Prishtinë, pritet që edhe sot të vazhdoj intervistimi i tij, ndonëse atij ende nuk i është përcaktuar statusi në të cilin po intervistohet raporton “Zeri.info”.

Këtë gjë e ka konfirmuar për “Zëri.info” avokati i tij, Mahmut Halimi i cili ka theksuar se gjatë deklaratës së Cenës dhe paraqitjes së provave nga ana e prokurorisë po dëshmohet që ish luftëtari i UÇK-së, Cena nuk do të jetë i akuzuar nga kjo gjykatë.

“Besoj se nuk ka me pas aktakuzë, sepse për momentin z.Cena është vetëm i dyshuar dhe ende nuk e ka statusin e të pandehurit, do të thotë ende nuk është vendosur nëse do të iniciohet procedurë kundër tij apo jo, si i dyshuar, shpresoj që kemi me kalu mirë dhe klienti im nuk ka me pas akuzë sepse z.Cena asnjë shkelje të vetme gjatë gjithë kohës së tij si shërbyes në UÇK nuk e ka bërë dhe nuk e ka cenuar integritetin e askujt. Kjo po dëshmohet gjatë deklaratës së tij dhe me prezantimin e provave nga ana e prokurorisë”, ka thënë Halimi për “Zëri.info”.

Ndërkohë ai bëri të ditur që Cena do të intervistohet edhe sot.  “Edhe sot do të ketë, kanë mbet me më lajmru se në sa ora do të vazhdoj intervistimi”, ka theksuar ai ndër të tjera.

LEXO EDHE: “Remi” ballafaqohet i pari me Specialen

Halimi ka bërë të ditur që klienti i tij vazhdon të mos e ketë të përcaktuar statusin në të cilin po hetohet.

“Për momentin është ende status i pa përcaktuar sepse çështja e të dyshuarit me të pandehurin ka dallim shumë të madh, i dyshuari është një person ndaj të cilit ekzistojnë dyshime që i njëjti është i implikuar në kryerjen e ndonjë krimi në kohën relevante për të cilën është e interesuar gjykata, kurse për të pandehurin është një situatë krejt tjetër. Unë shpresoj që klienti im nuk do të jetë as i pandehur e aq më pak i akuzuar”, ka theksuar ai.

Përderisa Cena do të intervistohet edhe sot në Prishtinë, edhe në Hagë do të vazhdoj intervisitmi i Komandantit të UÇK-së, Rrustem Mustafa i njoftur në luftë si komandant “Remi”/ZERI
 

Image