Hoxhaj: Në shkurt do të ketë një takim në Bruksel

Hoxhaj: Në shkurt do të ketë një takim në Bruksel

Aktuale janar 15, 2019 - 08:16
Lexo Detajet
Image

Delegacioni Shtetëror për Bisedimet me Serbinë të mërkurën do ta paraqesë platformën për dialogun e Brukselit, në të cilën do të qartësohen edhe temat që do të diskutohen ndërmjet të dyja vendeve. Megjithëse ende nuk dihet data se kur do të mbahet takimi i radhës ndërmjet Kosovës e Serbisë, zëvendëskryeministri dhe njëherësh anëtari i ekipit negociator Enver Hoxhaj ka thënë për gazetën “Zëri” se një takim tjetër do të zhvillohet gjatë muajit shkurt, shkruan gazeta "Zëri".

Delegacioni Shtetëror sot bën një muaj prejse është formuar, ndërsa nesër (e mërkurë) do ta paraqesë platformën për fazën finale të dialogut me Serbinë. Në mesin e temave për të cilat përgatitet të përfshihen në këtë platformë janë të zhdukurit, të zhvendosurit, trashëgimia kulturore, të drejtat e minoriteteve, pronat, çështjet ekonomike dhe po ashtu edhe drejtësia tranzicionale. Kjo është konfirmuar nga bashkëkryesuesi i Delegacionit Shtetëror, Shpend Ahmeti, pas takimit koordinues për temat e dialogut. “Ndër temat që do të përfshihen janë të zhdukurit, të zhvendosurit, trashëgimia kulturore, të drejtat e minoriteteve, pronat, çështjet ekonomike dhe po ashtu edhe drejtësia tranzicionale ose kërkesat që ne si Kosovë duhet t’i ngremë karshi Serbisë”, ka thënë Ahmeti.

LEXO EDHE: Ahmeti: Nuk ka tema tabu në bisedime

Kurse zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili është edhe pjesë e delegacionit shtetëror ka thënë për “Zërin” se ende nuk kanë marrë ndonjë ftesë nëse do të jenë pjesë e takimit të radhës në Bruksel në kuadër të dialogut, megjithatë ai ka thënë se në muajin shkurt do të jetë një takim. 

“Nuk ka qenë temë e bisedës se kur do të ndodhë takimi i radhës në mes të Kosovës e Serbisë në Bruksel, por një gjë dihet që në muajin e ardhshëm do të ketë një takim tjetër dhe temat të cilat do të diskutohen me një përkushtim tjetër edhe prej anës së Kosovës, edhe prej Brukselit, por edhe prej Serbisë. Ende nuk kemi një agjendë të qartë se çfarë tema mund të diskutojmë, janë përmendur disa tema, por unë besoj që gjatë ditëve të ardhshme do të ketë një qartësi të plotë për to”, pohoi Hoxhaj.

Ai ka përmendur edhe një herë rëndësinë e pjesëmarrjes së këtij ekipi në dialogun me Serbinë. “Roli ynë është që në emër të Kosovës, në emër të Kuvendit, në koordinim të ngushtë me presidentin, me kryetarin e Kuvendit dhe me kryeministrin t’i përfaqësojmë interesat e shtetit të Kosovës në raport me Serbinë. Do të shihen cilat do të jenë dinamikat, por roli ynë është për t’u qartësuar në rezolutë dhe me qëllimin që ka Kosova në dialog”, deklaroi Hoxhaj.

Nuk ka datë për takimin Thaçi - Vuçiq

Pavarësisht përgatitjeve për fazën finale të dialogut të Brukselit, Bashkimi Evropian ende nuk ka ndonjë datë se kur do të mbahet takimi i radhës. Në një përgjigje për “Zërin” nga zyra për informim e presidentit Hashim Thaçi është theksuar se ende nuk ka një datë për takimin Thaçi - Vuçiq. “Ndërmjetësuesja e dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë, Federica Mogherini, ende nuk ka dërguar ftesë për takimin e radhës në nivel të presidentëve. Pra, akoma nuk ka një datë të përcaktuar për takimin e radhës në nivelin me të lartë politik, atë ndërmjet dy presidentëve”, thuhet në përgjigjen e zyrës së presidentit.

Në këtë përgjigje thuhet se roli i ekipit negociator është vendimtar në procesin e dialogut. “Roli i ekipit negociator shtetëror është i përcaktuar me Rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Kosovës, gjithashtu mund të themi që roli i këtij ekipi është vendimtar për marrëveshjen eventuale, gjithmonë në koordinim të ngushtë me presidentin e Republikës së Kosovës Hashim Thaçi”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të Presidencës.

Opozita, kundër ekipit dhe platformës

Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur dje edhe një herë se qëndron kundër ekipit negociator. Kreu i kësaj partie Isa Mustafa e ka quajtur dekorativ ekipin negociator, të cilit ka thënë se nuk i bashkohet. “Ne kemi dhënë qëndrimin tonë, nuk shohim asnjë arsye, as mundësi që të bëhemi pjesë dekoruese e këtij grupi negociator dhe qëndrimi i LDK-së së ka qenë dhe mbetet që dialogun duhet ta udhëheqë Qeveria dhe përgjegjësinë për procesin e dialogut duhet ta marrë një qeveri që është legjitime, që përfaqëson shumicën dhe që siguron se marrëveshjet e arritura të ratifikohen në Kuvend me shumicën e votave”, ka thënë Mustafa.

Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, në një përgjigje për “Zërin” ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e partisë së saj kundër ekipit negociator, por edhe të platformës që do ta prezantojë ky ekip. Sipas saj LVV-ja nuk bëhet pjesë e këtyre proceseve, të cilat ajo i konsideron si të dëmshme për vendin. "Ne nuk do ta përkrahim këtë platformë e as ekip, ne kemi dhënë qëndrimet tona, ajo që po ndodh tash me këtë ekip është që po mundohen ta legjitimojnë Thaçin në projektin e tij. Është krejt e papranueshme kjo qasje dhe kjo mënyrë e imponimit të Kuvendit për këto marrëveshje që nuk janë aspak parimore dhe ne në asnjë mënyrë nuk do të bëhemi pjesë e këtyre pazareve në dëm të Kosovës", është shprehur Nagavci.

KDI: Presim që platforma të jetë më gjithëpërfshirëse

Njohësja e çështjeve politike Violeta Haxholli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë për “Zërin” se pret që platforma e Delegacionit Shtetëror të jetë sa më gjithëpërfshirëse dhe sa më e përpiluar dhe jo t’i ngjajë asaj paraprakes që ishte prezantuar në prill nga kryeministri. “Po presim që kjo platformë me siguri se do të jetë ndryshe nga ajo e prezantuar fillimisht nga Qeveria, e cila në atë kohë ka qenë më shumë në formë të një draftrezolute. Presim që kjo platformë të jetë më domethënëse, më specifike dhe të përcaktojë më shumë detaje lidhur me dialogun, pra presim që do të jetë një dokument pak më i zgjeruar sesa ai që është prezantuar fillimisht nga kryeministri”, u shpreh Haxholli.

Sipas saj, partitë opozitare, LDK-ja dhe LVV-ja, nuk do të lëshojnë pe karshi ekipit, por as platformës që do të prezantohet të mërkurën. “Nuk besoj që partitë opozitare LDK-ja dhe LVV-ja do ta përkrahin platformën e dialogut pa marrë parasysh se çka përmban ajo platformë dhe përveç platformës nuk pres që këto dy subjekte ta përkrahin as projektligjin, i cili do të vijë në Kuvend për ekipin negociator”, theksoi ajo.

Haxholli pohoi se marrëveshja që do të mundë të arrihet mes Kosovës e Serbisë do të nënshkruhet vetëm nga presidentët, porse edhe ekipi negociator ka rol ndihmës në këtë proces./ZERI/