Grevë deri në plotësimin e kërkesave të mësimdhënësve

Aktuale January 15, 2019 - 08:05
Lexo Detajet
Image

Të gjitha institucionet publike arsimore të nivelit parauniversitar në Kosovë ditën e djeshme kanë nisur grevën e përgjithshme, duke kërkuar ngritjen e koeficientit të pagave për së paku 30 për qind. Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, të Shkencës dhe të Kulturës së Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë për “Zërin” se greva do të vazhdojë derisa të realizohen kërkesat e tyre. “Të gjitha institucionet kanë hyrë në grevë. Greva do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave tona”, ka thënë ai, shkruan gazeta "Zëri".

Ndonëse kanë mbështetur kërkesat e SBASHK-ut për rritje të pagave, Ministria e Arsimit, drejtoritë komunale të Arsimit, e njohësit e çështjeve të arsimit nuk e kanë mirëpritur grevën, andaj edhe kanë kërkuar që ajo të ndërpritet.

LEXO EDHE: Hoxhaj: Në shkurt do të ketë një takim në Bruksel

Këshilltari politik në Ministrinë e Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë (MASHT), Valmir Gashi, ka thënë për “Zërin” se me anë të grevës po dëmtohen nxënësit në Kosovë. “Në asnjë mënyrë nuk duhet të dëmtohet procesi mësimor dhe nxënësit. Ne kemi hapësirë dhe mundësi të punojmë bashkë në mënyrë institucionale, por jo që ta dëmtojmë procesin mësimor, nxënësit nuk janë fajtorë në këtë mes dhe konsiderojmë se është një dëm që u shkaktohet atyre. Të gjithë mund të jemi fajtorë dhe aspak nxënësit, kjo duhet të jetë një ide e të gjithë neve që së paku të mos i dëmtojmë nxënësit e procesin mësimor”, ka thënë ai. Gashi ka thënë se Ministria e Arsimit është angazhuar që të ketë rritje të pagave për mësimdhënësit.

Drejtoritë e Arsimit kërkojnë ndërprerjen e grevës

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jonuz Salihaj, ka thënë për “Zërin” se ata mbështesin kërkesat e SBASHK-ut për korrigjim të koeficienteve për pagat e personelit të institucioneve të arsimit parauniversitar dhe se do të angazhohet që këto kërkesa të jetësohen. Ndonëse ai ka thënë se i mbështet kërkesat e SBASHK-ut, ai ka treguar se ka marrë me shqetësim vendimin për të hyrë në grevë. “Për fat të keq të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar kanë filluar grevën. Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës ka pranuar me shqetësim vendimin e  SBASHK-ut për bojkot të fillimit të gjysmëvjetorit të dytë të vitit shkollor 2018-2019 në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar. Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Prishtinë inkurajon dhe mbështet vazhdimin e dialogut në mes të Qeverisë së Kosovës dhe SBASHK-ut. DKA - Prishtinë mbështet kërkesat e bazuara të SBASHK-ut për korrigjimin”, ka thënë ai.

Salihaj ka thënë se vendimi për grevë është shkelje e të drejtave elementare të fëmijëve, derisa ka thënë se synimet duhet të arrihen përmes rrugëve institucionale, duke ndalur bojkotin. “Askush nuk ka të drejtë që të marrë një vendim të tillë të njëanshëm, i cili paralizon çdo segment të jetës dhe të punës në Kosovë,  duke ua pamundësuar të punësuarve në institucione të ndryshme të Kosovës t’i kryejnë detyra e punës,  sepse çerdhet e kopshtet nuk i pranojnë fëmijët e tyre për shkak të grevës”, ka theksuar ai.

Në anën tjetër drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Gjilanit, Nazim Gagica, ka thënë për gazetën “Zëri” se edhe në këtë komunë të gjitha institucionet edukativo-arsimore gjatë ditës së djeshme kanë hyrë në grevë. Ai shpreson që sa më shpejt të arrihet zgjidhje më mirë e mundshme dhe të fillojë procesi mësimor në mënyrë që të mos dëmtohen nxënësit.

Nëse rrezikohet buxheti i Kosovës mund të mos ketë rritje të pagave

Ndonëse mësimdhënësit po kërkojnë rritje të pagave, Projektligji për Paga ende nuk ka kaluar në lexim të dytë në Kuvend. Zëvendëskryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Safete Hadërgjonaj, ka thënë për “Zërin” se për të pasur rritje të pagave duhet të shikohen edhe mundësitë buxhetore, në mënyrë që vendi të mos kalojë në krizë makrofiskale. “Unë do të bëj të pamundurën në kuadër të Komisionit, edhe pse Ligji për Paga ende nuk ka mbërritur në Komisionin për Buxhet. Në momentin kur do të vijë do ta analizojmë koston buxhetore të Projektligjit për Buxhet dhe do të shohim nëse ka mundësi pa e rrezikuar buxhetin, pa e rrezikuar stabilitetin makrofiskal të ketë rritje. Besoj se do të kemi mirëkuptim që ta kemi këtë rritje, por nëse vjen deri te rrezikimi i stabilitetit buxhetor makrofiskal, atëherë nuk është mirë të bëjmë lëvizje të tilla ku rrezikohemi nga kriza financiare”. ka thënë ajo.

Hadërgjonaj ka thënë se nuk është momenti që të veprohet me presione, por duhet të bëhen analiza në mënyrë që të gjithë t’i marrin pagat që i meritojnë.

Anëtarët e Komisionit për Shëndetësi fajësojnë Qeverinë për grevën

Anëtarja e Komisionit për Shëndetësi, Arbërie Nagavci, ka fajësuar Qeverinë e Kosovës për grevat që po organizohen në vend. Ajo ka thënë për “Zërin” se Qeveria së bashku me SBASHK-un duhet që sa më shpejt të gjejë një zgjidhje në mënyrë që të mos dëmtohen fëmijët. “Shkaktari kryesor i grevave mbetet Qeveria. Qeveria ka marrë vendime për faljen e dhjetëra miliona eurove nga buxheti i vendit, duke mbushur kabinetin me këshilltarë, me zëvendëskryeministra e me ministra dhe nuk është marrë me zgjedhjen profesionale të problemeve. Ata mbesin fajtori kryesor se pse sot fëmijët nuk janë në shkollë”, ka thënë ajo.

Nagavci së bashku me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetarin e Komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshin, gjatë ditës së djeshme kanë mbajtur edhe një konferencë për medie në lidhje me grevën e mësimdhënësve. Me këtë rast Kurteshi ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme do të thërrasë Komisionin në një mbledhje të jashtëzakonshme në lidhje me grevën në arsim. Edhe Kurteshi ka theksuar se është detyrë e kësaj Qeverie dhe e Sindikatës së Arsimit që të gjejnë një zgjidhje dhe të mundësojnë që nxënësit të kthehen në shkollë.

Popovci: Greva nuk është strategjia më e mirë

Njohësi i çështjeve të arsimit në vend Dukagjin Popovci ka thënë se revolta e mësimdhënësve është e arsyeshme, mirëpo ai ka vlerësuar se greva nuk është strategjia më e mirë për t’i adresuar problemet. “Unë them se revolta e mësimdhënësve është e arsyeshme, sepse koeficientet e pagave janë përcaktuar në mënyrë të çuditshme, duke mos marrë parasysh kompleksitetin dhe përgjegjësinë e detyrave të një mësimdhënësi. Megjithatë, grevën nuk e shoh si strategjinë më të mirë për adresimin e këtij problemi, pasi ende janë në dispozicion mundësitë për të ndikuar në ndryshimin e Projektligjit përmes Kuvendit”, ka thënë ai.