“Remi” ballafaqohet i pari me Specialen

Aktuale January 15, 2019 - 07:33
Lexo Detajet
Image

Rrustem Mustafa – “Remi”, ish-komandant i Zonës Operative të Llapit, është intervistuar dje për disa orë nga prokurori special në Hagë, përderisa një ballafaqim të tillë me të do ta ketë edhe sot. Ai është ish-pjesëtari i parë i UÇK-së që është ballafaquar me prokurorët specialë në qytetin holandez. Nesër merret në pyetje edhe Sami Lushtaku, shkruan gazeta "Zëri".

Me orë të tëra ka zgjatur të hënën intervistimi i Rrustem Mustafës – “Remit”, ish-komandant i Zonës Operative të Llapit, nga prokurori special në Hagë pas ftesës që kishte marrë muajin e kaluar nga Gjykata Speciale në lidhje me pretendimet për përfshirjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Në një deklaratë të shkurtër për gazetarë para intervistimit Mustafa ka deklaruar se "do t'u përgjigjet të gjitha pyetjeve të prokurorit". Marrja e tij në pyetje pritet të vazhdojë edhe të martën.

Pas përfundimit të procesit të intervistimit dyditor për Mustafën prokurorët e Speciales do ta marrin në pyetje të mërkurën edhe Sami Lushtakun, ish-komandantin e Zonës Operative të Drenicës. Derisa “Remi” është intervistuar në qytetin holandez, në të njëjtën ditë ish-eprori i Zonës Operative të Pashtrikut, Sabahajdin Cena, është intervistuar nga prokurorët e Speciales në Prishtinë. Avokatët mbrojtës nuk kanë dhënë detaje rreth procesit të intervistimit të klientëve të tyre.

Gucati: Flitet për 100 të ftuar nga Specialja

Deri më tani në medie janë lakuar emrat e rreth dhjetë ish-pjesëtarëve të UÇK-së se kanë marrë ftesë nga Gjykata Speciale. Por kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, duke folur në emisionin “Frontal në T7” ka deklaruar se më 4 shkurt 2019 do të shkojë për në Hagë grupi i fundit për intervistim, duke shtuar se ka disa ushtarë nga rajone të ndryshme të cilët tashmë e kanë marrë ftesën. Sipas tij, flitet për 100 persona, të cilët do të thirren nga Specialja.

 Kjo Organizatë gjatë ditës së djeshme ka kërkuar që t’u definohet statusi i atyre që ftohen nga Gjykata Speciale nëse janë të dyshuar ose dëshmitarë.  “OVL-UÇK-ja kundërshton marrjen në biseda informative të luftëtarëve të UÇK-së me status të padefinuar nga ana e Prokurorisë Speciale, e cila ka për qëllim që nga këto biseda informative të sigurojë prova e që pastaj t’i akuzojë luftëtarët e UÇK-së”, thuhet në një reagim të tyre.

Tahiri: Asistencë financiare vetëm atëherë kur ngrihet aktakuzë

Në anën tjetër ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri, duke e cilësuar Gjykatën Speciale si përballje të re për vendin, ka bërë të ditur se deri më tani asnjë person nuk ka kërkuar asistencë financiare për mbrojtje juridike nga kjo Gjykatë, pasi një asistencë e tillë u ofrohet vetëm personave ndaj të cilëve ngrihet aktakuzë. “Në ditët në vijim do ta procedoj edhe udhëzimin administrativ në Qeverinë e Kosovës dhe do ta bëjë të qartë shpenzimin e parasë publike në mbrojtjen e personave që mund të jenë të akuzuar nga Dhomat e Specializuara. Ende nuk kam pasur kërkesë nga këta persona dhe normalisht derisa ata të shpallen të akuzuar ligji që është në fuqi nuk mbulon shpenzimet e tyre sa i përket mbrojtjes, është çështje e individëve se kë e caktojnë për mbrojtje të tyre”, ka theksuar Tahiri.
Ai ka thënë se Ligji për Gjykatën Speciale e specifikon qartë këtë pjesë. “Ligji për Mbrojtjen Juridike të Personave të Akuzuar nga Dhomat e Specializuara i formuar në vitit 2015 ka tre komponentë. E para është asistenca personale për mbrojtje juridike të personave të akuzuar, asistenca financiare ndaj familjarëve të tyre që do t’i vizitojnë në qendrat e paraburgimit dhe kompensimi financiar në rast se lirohen të pafajshëm nga ky proces. Deri më tani ne nuk kemi asnjë kërkesë nga persona që mund të jenë të akuzuar nga Gjykata për asistencë financiare ose për mbrojtje juridike”, ka thënë ai.
Tahiri ka theksuar se Gjykata Speciale është një sfidë e re për Kosovën, prandaj duhet një udhëzim administrativ për shpenzimin e parasë publike. “Kjo është një përballje e re për Kosovën dhe është diçka shumë e komplikuar, por ne duhet t’i përmbushim obligimet ndaj personave që mund të jenë të akuzuar nga Dhomat e Specializuara, por në anën tjetër duhet ta definojmë qartë me udhëzim administrativ shpenzimin e parasë publike e do të jemi transparentë në shpenzimin e çdo centi të taksapaguesve të shpenzuar për mbrojtjen. Kemi angazhuar edhe ekspertë të huaj për të na ndihmuar në këtë çështje”, ka thënë Tahiri në një konferencë për medie.
Ligji për Gjykatën Speciale është miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015, ndërsa institucioni është bërë funksional në korrik të vitit 2017, kur është miratuar Rregullorja e Procedurave dhe e Provave.

Gjykata do të veprojë në Hagë me prokurorë dhe me gjykatës ndërkombëtarë, por me ligjet e Kosovës.

Krijimi i saj ka pasuar publikimin e një raporti nga Këshilli i Evropës në vitin 2011, në të cilin thuhet se ka prova të mjaftueshme për të hetuar krimet që supozohet se i kanë kryer ish-pjesëtarë e UÇK-së kundër serbëve dhe disa shqiptarëve të dyshuar për bashkëpunim me regjimin e Beogradit gjatë dhe para luftës.

Hetimet do të përqendrohen në krimet e supozuara nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000./ZERI/