LVV fajëson qeverinë për grevën e mësimdhënësve

Aktuale January 14, 2019 - 13:18
Lexo detajet

Lëvizja Vetëvendosje sot ka fajësuar Qeverinë e Kosovës për grevën e mësimdhënësve, raporton "Zëri.info".

Deputeti Ismajl Kurteshi tha se gjatë ditës së nesërme Komisioni për Arsim do të thërret një takim të jashtëzakonshëm në lidhje me grevën në arsim.

"Konstatimi ynë i parë është se greva erdhi si rezultat i keqqeverisjes së qeverisë aktuale. Sikur qeveria t'i kishte vënë në jetë vetëm dy pika, rritja e buxhetit dhe rritja e vlerësimit të punës, arsimi nuk do të ishte në gjendjen në të cilën është sot. Sikur qeveria të mos i rriste rrogat e veta dhe të disa sektorëve nuk do të krijoheshin pakënaqësitë që janë krijuar gjithandej", tha ai

Kurteshi tha se është detyrë e kësaj qeverie dhe sindikatës së arsimit që të gjejnë një zgjidhje dhe të mundësojnë që nxënësit të kthehen në shkollë.

Ndërsa, deputetja Arbërie Nagaci tha se qeveria është jo serioze sa i përket mos realizimit të kërkesave të mësimdhënësve.

"Qeveria dhe Ministria e Arsimit janë treguar jo serioze duke mos i trajtuar kërkesat e mësimdhënësve. Është e qartë se koalicioni qeverisës e ka penguar punën në drejtim të finalizimit për ligjin për pagat. Qeveria është fajtori kryesor për grevat që po ndodhin sot dhe pamundësinë që fëmijët nuk janë në çerdhe e nxënësit nuk janë në shkolla. Qeveria nuk u ka lënë rrugë tjetër për realizimin e kërkesave të tyre", tha ajo.

Sipas saj, investimet për shkolla duhet të jenë prioritet.

"Situata në arsim mund të përmirësohet, por kjo nuk mund të ndodh me këtë qeveri ", shtoi ajo./Zëri/