Mësimdhënësit e 'Elena Gjikes' i bien 'pishmon'

Aktuale January 14, 2019 - 09:33
Lexo detajet

Pavarësisht se kishin deklaruar se nuk do t’i bashkohen grevës së përgjithshme të thirrur nga SBASHK-u, shkolla fillore “Elena Gjika”, ka ndryshuar vendim.

Shkolla fillore “Elena Gjika”, ishte shkolla e vetme që kundërshtoi vendimin e SBASHK-ut për grevë të përgjithshme në arsim, shkruan lajmi.net.

Ky vendim i shkollës “Elena Gjika”, ndryshoi në mëngjesin e sotëm. Fillimisht të gjithë nxënësit kishin ardhur në këtë shkollë, mirëpo pas mbledhjes që kanë mbajtur Këshilli i Arsimtarëve me drejtorin Betim Sylejmani, vendimi për të mos hyrë në grevë ndryshoi.

Drejtori i shkollës “Elena Gjika”, Betim Sylejmani, ka treguar për lajmi.net, arsyet e marrjes së vendimit për t’iu bashkuar grevës së SBASHK-ut.

Fillimisht Sylejmani ka treguar se përse kanë kundërshtuar grevën e SBASHK-ut.

Ai ka thënë se mësimdhënësit e shkollës që ai drejton nuk kanë qenë pjesë e Sindikatës.

“Arsyeja pse është marrë vendimi për të mos iu bashkuar grevës së SBASHK-ut, në bashkëbiseda në një shumë dërmuese është vendos për dy arsye. E para, arsimtarët e Elena Gjikës nuk janë pjesë e sindikatës dhe e dyta, shkolla “Elena Gjika”, i ka pasur edhe dy javë të humbura në shtator dhe arsimtarët e kanë pas drojën se si do t’ia bëjnë tani sepse më thoshin që jemi mbet mbrapa edhe na me planprograme edhe nxënësit me mësim dhe si do të mund ti realizojmë këto. Dhe kanë dalë në një komunikatë do të fillojë mësimi”, ka treguar Sylejmani për lajmi.net.

Tutje ai ka treguar se në mbledhjen që është mbajtur në mëngjesin e sotëm me Këshillin e Arsimtarëve është marrë që të gjithë arsimtarët të anëtarësohen në SBASHK dhe të mbështetet greva e thirru nga kjo sindikatë.

“Por sot në një mbledhje të jashtëzakonshme me këshillin e mësimdhënësve që është mbajtur prej orës 07:00 deri në ora 08:00 në mëngjes, pa shumë bisedave është vendosur një zëri që e para, anëtarësimi në Sindikatë, pasi që nuk jemi me vite pjesë e saj dhe e dyta hyrja në grevë sikurse të gjitha shkollat e tjera të Kosovës. Kjo grevë do tani e tutje do të vazhdojë ashtu si të vendos SBASHK-u sepse kështu kanë vendosur të gjithë arsimtarët”, ka deklaruar Sylejmani për lajmi.net.

Ndryshe SBASHK-u ka marrë vendim që të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në vend të shkojnë në grevë për shkak të mosplotësimit të kushteve dhe kresave të tyre për paga.

Kjo grevë është duke u mbajtur në afat të pacaktuar, sipas përfaqësuesve të SBASHK-ut greva do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.