LDK-ja dhe LVV-ja bojkotojnë takimin për dialogun

Aktuale January 14, 2019 - 08:11
Lexo detajet
Image

Krerët institucionalë të Kosovës, anëtarët e Delegacionit Shtetëror për Bisedimet me Serbinë, si dhe përfaqësues të subjekteve politike në vend sot do të mbajnë një takim koordinues, në të cilin do të diskutohet për temat e dialogut me Serbinë. Por në këtë takim nuk do të marrin pjesë dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, shkruan sot gazeta "Zëri".

 

Dy partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk do të marrin pjesë në takimin e thirrur nga kryeparlamentari Kadri Veseli, në të cilin do të diskutohet për temat e dialogut që janë të domosdoshme për arritjen e një marrëveshjeje finale me Serbinë. Opozitarët thonë se takimet e tilla nuk kanë kurrfarë roli. Ndërsa analistët politikë thonë se konsensusi duhet të arrihet në Kuvend e jo në takime të partive politike.

LEXO EDHE: Sekretet e Thaçit për dialogun

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka thënë për “Zërin” se anëtarët e këtij subjekti nuk do të marrin pjesë në takimet të cilat i thërrasin liderët e koalicionit qeverisës. Ai ka thënë se ftesat e liderëve të subjekteve në pushtet janë të kota, derisa ka shtuar se këta duhet të kenë legjitimitet politik.

. “Është qëndrim zyrtar i kryetarit që ne në ftesa të tilla, të cilat i bëjnë liderët e koalicionit qeverisës, nuk do të marrim pjesë. LDK-ja nuk do të marrë pjesë në ftesa të tilla, në këtë rast të kryeparlamentarit. Ne konsiderojmë që këto janë ftesa të kota dhe partnerët e koalicionit qeverisës duhet ta ndërrojnë qasjen, ta respektojnë vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Ata që bëjnë ftesa të tilla duhet të kenë edhe legjitimitet politik, por edhe qytetar. Kjo është një farsë e radhës e kryetarit të PDK-së dhe LDK-ja nuk do të jetë pjesë e këtyre takimeve”, ka thënë ai.

Rugova ka thënë se LDK-ja kishte kërkuar që të gjendet një konsensus për temat e rëndësishme për vendin, por subjektet në pozitë nuk i kanë marrë parasysh kërkesat e LDK-së.

“Ka qenë ideja e LDK-së të gjejmë një konsensus për ecje tutje jo vetëm për dialogun, por edhe për procese tjera të ndjeshme që janë të rëndësishme për përmbylljen e etapës së fundit të shtetndërtimit në Kosovë, por partnerët e koalicionit qeverisës janë sjellë me arrogancë të madhe dhe nuk i kanë marrë parasysh kërkesat e spektrit opozitar”, ka shtuar ai.

Edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë bërë të ditur se do ta bojkotojnë takimin e sotëm. Deputeti nga kjo parti Rexhep Selimi ka thënë ditë më parë për “Zërin” se nuk do të marrin pjesë në këtë takim dhe se nuk do t’i përgjigjen pushtetit për tema të tilla.

Selmanaj: Mospërfshirja e LDK-së dhe e LVV-së nuk reflekton mirë për vendin

Mospërfshirjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe e Lëvizjes Vetëvendosje në procesin e dialogut me Serbinë nuk po e presin mirë deputetët e koalicionit qeverisës.

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj, e ka parë si të paarsyeshëm bojkotimin e takimit të sotëm nga LDK-ja dhe nga LVV-ja. Sipas tij, mospërfshirja e këtyre dy partive në dialog do të reflektojë negativisht për vendin.

“Nuk mundem t’i kuptoj ato. Nuk dialogohet me Serbinë, ose nuk do të lidhet një marrëveshje për pozitën ose opozitën. Është i pakuptimtë ky refuzim. Kjo nuk reflekton mirë në dialog përderisa dy partitë opozitare nuk bëhen pjesë e dialogut. Dua të besoj se ndërkohë ato do të bashkohen”, ka thënë ai për “Zërin”.

Selmanaj ka vlerësuar se do të ishte në të mirë të vendit që ekipi negociues të jetë i kompletuar edhe me dy partitë opozitare, LDK-në dhe LVV-në.

Ndërsa sa i përket kërkesës së LDK-së, se dialogun duhet ta udhëheqë Qeveria e Kosovës, ai ka thënë se Qeverinë po e përfaqëson kryesuesi i ekipit negociator Fatmir Limaj.

“Kemi kërkuar që ata të bashkohen dhe ekipi të jetë më i kompletuar dhe më i bashkuar. Do të ishte mirë të bashkoheshin. Ekipi negociues është votuar në Kuvendin e Kosovës dhe Fatmir Limaj e përfaqëson edhe Qeverinë e Kosovës”, ka shtuar ai.

Tahiri: Uniteti për dialog duhet të arrihet në Kuvend

Analisti politik Ramush Tahiri ka thënë për “Zërin” se uniteti për dialogun me Serbinë duhet të arrihet në Kuvendin e Kosovës. Sipas tij, Kosova ka nevojë për një konsensus ligjor dhe jopolitik.

“Kosova ka nevojë ta respektojë Kushtetutën dhe konsensusi të bëhet në Kuvend e jo në kuadër të partive politike. Konsensusi bëhet me votë dhe me argumente, ai nuk bëhet me marrëveshje joparimore dhe të interesit partiak, por bëhet me votim në Kuvend. Nëse marrëveshja është e mirë dhe ka argumente, atëherë arrihet uniteti sepse e votojnë të gjitha partitë politike në Kuvend dhe i merr më shumë se dy të tretat e votave”, ka vlerësuar ai.

Tahiri më tej ka thënën se Qeveria e Kosovës duhet ta udhëheqë dialogun me Serbinë.

“Qëndron argumenti i LDK-së se përgjegjësinë për dialog e ka Qeveria, për këtë ajo edhe i ka marrë votat. Qeveria le ta udhëheqë dialogun dhe ta bëjë një marrëveshje. Ajo le ta sjellë marrëveshjen në Kuvend dhe të votohet nëse është e mirë, nëse nuk është e mirë nuk ka konsensus. Kjo është një procedurë në çdo shtet dhe duhet të respektohet. Polikantizëm po më duket kur Kadri Veseli po i thërret partitë edhe po u thotë se ju nuk po vini dhe nuk po doni unitet. LDK-ja dhe LVV-ja po i japin argumentet që nuk kanë nevojë ta marrin përgjegjësinë për dialogun, sepse e udhëheq Qeveria”, ka thënë ai. /ZERI