Pa miratimin e SHBA-së nuk arrihet asnjë marrëveshje Kosovë - Serbi

Aktuale January 12, 2019 - 13:02
Lexo tjera detaje

Ulja e dy miqve të shqiptarëve në postet më të fuqishme të Kongresit Amerikan, Nancy Pelosi dhe Eliot Engel, mund ta shpëtojë Kosovën nga ndarja. Njohësit e çështjeve ndërkombëtare kanë vlerësuar për “Zërin” se Pelosi dhe Engel nuk pajtohen me qëndrimin e bashkëpunëtorëve të presidentit Trump për çështjen e kufijve me Serbinë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Në lidhje me këtë çështje, Faton Bislimi, anëtar i Bordit të Drejtorëve të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, si dhe ligjërues në Universitetin Amerikan në Kosovë, ka thënë për “Zërin” që në asnjë deklaratë zyrtare nga SHBA-ja nuk është përkrahur ideja e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve.

LEXO EDHE: Engjëjt mbrojtës të Kosovës

  “As letra e presidentit Trump drejtuar Thaçit dhe homologut të tij Vuçiq e as takimet e Thaçit në Washington, në asnjë moment, në asnjë transkriptë takimesh, në asnjë prononcim direkt zyrtar amerikan nuk kanë shprehur përkrahjen e Amerikës për korrigjim kufijsh. Realisht Amerika e përkrah dialogun me Serbinë dhe dëshiron që një zgjidhje e problemit Kosovë - Serbi të arrihet sa më shpejt dhe të jetë historike. Por, se cila do të jetë zgjidhja në fjalë, do të vendoset nga dialogu”, ka thënë Bislimi.

Bislimi vlerëson se pa miratimin e SHBA-së nuk do të arrihet asnjë marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë. “Pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të amerikanëve në fazën finale të dialogut as ideja e korrigjimit të kufijve e as çfarëdo ideje tjetër nuk do të mundë të realizohet. Traktatit historik i paqes në mes të Kosovës e Serbisë, që pritet të arrihet këtë vit, nuk do të ketë as vlerën e duhur e as që do të mundë të arrihej madje pa përfshirjen direkt dhe të sinqertë të SHBA-së. Në këtë përfshirje Kongresi Amerikan do të luajë rol shumë të rëndësishëm. Presidenti Trump dhe kryetarja Pelosi do të duhej të dakordoheshin për këtë çështje, ashtu që rezultati të jetë i suksesshëm”, ka theksuar ai./ZËRI