Taksa ‘fut sherrin’ mes AAK-së e LDK-së

Aktuale January 11, 2019 - 18:56
Lajmet e fundit nga vendi

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa gjatë ditës së sotme në një konferencë për media e ka quajtur vendim populist vendosjen e taksës për produktet që hyjnë në Kosovë nga Serbia si dhe nga Bosnja e Hercegovina. Ndaj kësaj deklarate ka reaguar deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, transmeton “Zëri.info”.

Duke iu kundërpërgjigjur Mustafës, Nitaj është shprehur që vendimi për taksën ka qenë një përgjigje ndaj luftës që Serbia është duke i bërë Kosovës.

“Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, e paska “goditur” edhe një herë Kryeministrin Haradinaj, për taksën ndaj produkteve serbe! E paska cilësuar vendim populist! Zotëri Mustafa, duhet ta dijë se taksa ndaj produkteve serbe ka qanë përgjigje ndaj luftës së hapur që Serbia po i bënë Kosovës, edhe në planin ekonomik, edhe në planin politik e diplomatik, madje edhe të sigurisë!”, ka shkruar Nitaj në një postim në “Facebook”.

Ai tutje ka thënë që ky vendim i Qeverisë është për Beogradin  jo për Prishtinën.

LEXO EDHE: Mustafa e quan veprim popullist, taksën 100 % të Qeverisë

“Kjo taksë është vendim i Qeverisë dhe është pasojë që shkakun e ka në Beograd e jo në Prishtinë. Mund të mos jetë vendimi më i mirë, por njeriu lufton me çka ka!”, ka shkruar tutje ai, transmeton tutje "Zëri.info".

Ndërsa për sa i përket komenteve të Mustafës për letrën që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donal Trump që i është dërguar presidentit  Hashim Thaçi, Deputeti i AAK-së ka thënë që i pari i LDK-së e ka keqkuptuar atë.

“Sa i përket letrës së Presidentit Trump, duket që Kryetari i LDK-së, Mustafa e paska kuptuar gabimisht atë! Presidenti Amerikan bën thirrje për unitet në këtë proces, dhe nëse dikush nuk po e përfillë këtë këshillë të tij, ai është vet zoti Mustafa. Në delegacionin e Kosovës janë katër zëvendëskryeministra dhe Qeveria është mjaftueshëm e përfaqësuar, por opozita jo. Uniteti politik bëhet atëherë kur edhe opozita është pjesë e tij. Kjo është kaq e thjeshtë. Mjafton të vendosni!”, përfundon postimi i tij. /ZËRI