Pasi u përplas me Hashim Thaçin, Lajçak paralajmëron vizitë në Kosovë

Aktuale January 10, 2019 - 15:12
Lajmet e fundit nga vendi

Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajcak, ka paralajmëruar se do të realizojë disa vizita në vendet e Ballkanit Perëndimor përfshirë këtu edhe Kosovës.Kjo sipas tij për t'u njoftuar me situatën në rajon.

“OSCE për njerëzit, dialogun dhe stabilitetin”, kjo është logo e re e OSCE-së të cilën e ka bërë publike ministri i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak, së bashku me udhëheqësit e tjerë të kësaj organizate në Vjenë të Austrisë.

Gjatë këtij organizimi ndër të tjera, Lajcak ka thënë se ai do të vizitojë vendet e Ballkanit Perëndimor, për t’u njohur për së afërmi me situatën.

Ai ka thënë se OSCE-ja luan ka një rol të rëndësishëm në Ballkan, pasi që ka në të gjithë vendet nga një mision përfaqësues.

Kjo vizitë e Lajcak duket së është nxitur më së shumti nga zhvillimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Në një intervistë të para pak ditëve, Lajcak ka thënë se të dyja vendet duhet të përkushtohen në vazhdimin e dialogut.

Ndërkohë i ka quajtur si veprime acaruese, vendosjen e taksës ndaj produkteve të Serbisë e Bosnje e Hercegovinës dhe vendimin për krijimin e Ushtrisë së Republikës së Kosovës.

Ministri sllovak gjithashtu kishte thënë se shteti i tij e kundërshton idenë e lëvizjes së kufijve dhe shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

E pas këtyre deklaratave i kishte reaguar ashpër presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke i kërkuar që para këshillave për Kosovën, të bëj diçka që Sllovakia ta njoh Kosovën e ta pranojë Kosovën edhe në OSBE.

“I dashur ish kolegë, Miroslav Lajçak, ndihmoje Sllovakinë ta njeh së pari Kosovën, ose si drejtues i OSBE-së, na lejo ta kemi zërin tonë në OSBE në Vjenë, para se të jepni këshilla gjeneroze për Kosovën. Pavarësia jonë, ushtria jonë dhe rruga drejt Evropës janë të panegociueshme” kishte shkruar Thaçi në twitter.