Kjo është deklarata qe e la Gent Cakajn pa u bërë kryediplomat në Shqipëri

Aktuale January 10, 2019 - 14:49
Lajmet e fundit nga vendi

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, nuk ka pranuar të dekretojë të riun nga Prishtina, Gent Cakajn, si kryediplomat të Shqipërisë. Meta e ka quajtur Cakajn të papërvojë, ndërsa në arsyetimin e mosdekretimit ka përmendur edhe deklaratat e tij pro korrigjimit të kufijve të Kosovës.

Meta, në letrën e tij, i ka shpjeguar Edi Ramës pse i refuzoi emërimin e Cakajt, si ministër për Evropë dhe Punë të Jashtme.

Sipas Metës, Cakaj në angazhimin e tij si zëvendësministër i së njëjtës ministri ka treguar mungesë përvoje.

Tutje, qëndrimi i Cakajt për temën e korrigjimit të kufijve të Kosovës është marrë nga Meta si arsyet për mosdekretim të tij. 

“Qëndrimet e tij publike në kontekstin e debatit për të ashtuquajturin korrigjim të kufijve të Kosovës e Serbisë por edhe të Ballkanit Perëndimor janë në kundërshtim të plotë me programin e qeverisë aktuale për politikën e jashtme dhe shtjellimin e saj nga Ministria e Punëve të Jashtme”, thuhet në letër të Metës', transmeton Gazeta Express. 

Cakaj është cituar në letrën e Presidentit të Shqipërisë për qëndrimin e tij rreth temës së korrigjimit të kufijve ku kishte thënë:

“Tani te korrigjimi i kufijve semantikisht kjo nuk është thjeshtë një operacion linguistik për ta relativizuar çështjen e këmbimit territorial, por situata ka evoluar tutje. Evoluimi i parë është, sepse po konceptohet në suaza të korrigjimeve të përgjithshme territoriale që janë duke ndodhur në Ballkanin Perëndimor”.

Këtë qasje të Cakajt, Meta e ka konsideruar si destruktive dhe të rrezikshme. Prandaj, ai ka refuzuar që të dekretojë të riun nga Kosova si kryediplomat të Shqipërisë.

Kryeministri Rama që më parë e kishte këshilltar Cakajn, e emëroi atë në vend të ministrit Ditmir Bushatit.

Nga ana tjetër, Meta akoma nuk e ka dekretuar as shkarkimin e Bushatit.

Rama bashkë me Cakajn kishte vendosur që të emëronte ministre të Arsimit, Besa Shahin, që po ashtu është nga Kosova.