Moskoordinimi i Thaçit e Haradinajt rreth taksës

Aktuale January 10, 2019 - 09:41
Lexo tjera detaje
Image

Vendimi i Qeverisë së Kosovës, i marrë gjatë muajit nëntor të vitit të shkuar, për vënien e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe ka përplasur presidentin e Kosovës Hashim Thaçin dhe kryeministrin Ramush Haradinajn. Përderisa kreu i shtetit ka deklaruar publikisht se tarifa në fjalë mund të hiqet, shefi i ekzekutivit po vazhdon të këmbëngulë se taksa nuk do të largohet derisa Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Në anën tjetër, edhe Bashkimi Evropian (BE) tashmë ka kërkuar disa herë shfuqizimin e taksës 100 për qind, pasi presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq ka pohuar se nuk do të ketë vazhdim të procesit të dialogut nëse nuk zhbëhet vendimi për taksën. Në anën tjetër, përfaqësuesit e opozitës vlerësojnë se vendimi i Qeverisë lidhur me këtë çështje nuk duhet të kthehet mbrapa në asnjë rrethanë, ndonëse nuk është hera e parë që presidenti e kryeministri shfaqen krejtësisht të pakoordinuar rreth temave të rëndësisë nacionale.

Taksë deri në njohje

Teksa ka folur rreth mundësisë së heqjes së tarifës ndaj produkteve serbe, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se kjo mund të ndodhë në rast se Kosovës i qartësohet rruga sa i përket marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. “Kosova është gati ta shqyrtojë heqjen e taksës për produktet serbe nëse i jepet një rrugë e qartë drejt arritjes së një marrëveshjeje finale paqësore me Serbinë”, ka deklaruar ai ditë më parë.

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se ky vendim është i Qeverisë dhe si i tillë nuk do të shfuqizohet pa pranuar njohjen nga Serbia. “Taksa është vendim i Qeverisë. Vendimi është legjitim. Nëse na njeh Serbia sot e heqim taksën”, ka theksuar Haradinaj.

LVV-ja kërkon vendosmëri rreth taksës

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë për “Zërin” se taksa e vendosur ndaj produkteve serbe nuk duhet të largohet në asnjë formë. Sipas saj, ky është një prej vendimeve të pakta pozitive që Qeveria e Kosovës i ka marrë deri më tani. “Është dashur të jetë shumë më herët dhe do të duhej të kishte reciprocitet të plotë, andaj e mbështesim. Është shumë gabim që tashmë të tërhiqemi nga ky vendim”, ka deklaruar ajo.

Ndërkohë, teksa ka folur për paralajmërimin e presidentit se taksa mund të hiqet, Nagavci ka vlerësuar se krerët institucionalë asnjëherë nuk kanë qenë me një zë sa u përket temave të rëndësishme.

Ndërkaq, gjersa është deklaruar rreth takimit që Delegacioni Shtetëror pati në Bruksel para dy ditësh, kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka thënë se ky ekip ka marrë një mesazh të qartë nga BE-ja, atë për largimin e tarifës 100 për qind të vendosur ndaj produkteve serbe. “Ajo që dëgjuam ishte se ata e morën një porosi të qartë. Se duhet të kthehen në Kosovë ta heqin taksën si parakusht për dialogun”, ka deklaruar ai.

Tentimi për ta kthyer në binarë dialogun

Njohësi i çështjeve politike, Agron Halitaj, ka vlerësuar se thirrjet nga Bashkimi Evropian që Kosova ta heqë taksën ndaj produkteve të Serbisë tregojnë për forcimin e pozicionit të Kosovës në dialogun e Brukselit përmes vendosjes së kësaj takse. “Në rrethanat e krijuara, mbi Brukselin si ndërmjetësues, rëndon përgjegjësia e gjetjes së një zgjidhjeje kompromisi mes palëve për ta rikthyer në binarë procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë - Serbi. Strategjikisht, pala vendëse e ka vënë kushtin më të madh të mundshëm për heqjen e kësaj takse, në mënyrë që çfarëdo lëvizje prapa të jetë sa më pak e dhimbshme”, ka deklaruar ai.

Sfida e madhe, sipas tij, është mbi Serbinë, pasi ajo duhet të bëjë lëvizjen e para. “Derisa nga Serbia të mos ketë lëkundje të qëndrimeve nuk është e pritshme që pala kosovare do ta bëjë të kundërtën”, ka nënvizuar Halitaj.

Ndërkohë, ka vlerësuar se duhet të ketë dialog të brendshëm mes krerëve shtetërorë, pasi nuk mund të ketë marrëveshje mes dy shteteve pa pasur një qëndrim të përbashkët mes institucioneve. “Përplasjet mes kryeministrit dhe presidentit shtrojnë nevojën e një dialogu të brendshëm. Nuk mund të pretendohet arritja e një marrëveshjeje me Serbinë derisa nuk ka pajtueshmëri brenda lidershipit të Kosovës”, ka potencuar ai.

Sjelljet e fundit të presidentit, sipas Halitajt, vetëm sa e dëmtojnë pozicionin e Kosovës./ZËRI