Mustafa thotë se 'delegacioni pa relevancë' i Kosovës mori një porosi të qartë në Bruksel

Aktuale January 09, 2019 - 12:52
Lexo Detajet

Mustafa e ka quajtur delegacionin e Kosovës pa relevancë.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar në lidhje me përfaqësimin e delegacionit dhtetëror për dialog në Bruksel.

Mustafa e ka quajtur delegacion pa relevancë.

“Ajo që dëgjuam, ishte se ata e morën një porosi të qartë. Se duhet të kthehen në Kosovë ta heqin taksën, si parakusht për dialogun”, ka shkruar ai në Facebook.

Reagimi i plotë:

Të nderuar qytetarë,

Dje Kosova u përfaqësua në Bruksel nga një delegacion pa relevancë. Mos të flas për numrin. Më parë, me kompetencë, një ministre e bënte punën e gjithë atyre që ishin në Bruksel.

Ajo që dëgjuam, ishte se ata e morën një porosi të qartë. Se duhet të kthehen në Kosovë ta heqin taksën, si parakusht për dialogun.

Bashkëkryesuesit në deklaratat e tyre nga Brukseli u munduan ti tregojnë Kosovës se kush janë. Ata u morën me vetveten, jo me esencën e dialogut; u morën me taksën, pa dhënë përgjigje, dhe u morën me LDK-në.

LDK konsideron se dialogu me Serbinë është çështje shumë serioze për Kosovën. Një çështje serioze duhet të ketë qasje serioze dhe institucione që e përfaqësojnë me legjitimitet. Jo njerëz që shkojnë në Bruksel për të përgojuar opozitën. Logjika dhe kultura evropiane nuk i kultivon dhe nuk i preferon sjelljet e tilla.

Kosovën në Bruksel duhet ta përfaqësoj një Qeveri me përkrahje të gjerë, e cila për çështje të dialogut arrin të sigurojë unitet. Ndryshe, të tjerët do na i bëjnë letrat e ne do të vazhdojmë të përplasemi ndërmjet veti. IM