Para nisjes për në Hagë flasin të ftuarit e Speciales (VIDEO)

Aktuale January 09, 2019 - 07:33
Lexo Detajet
Image

Sabajdin Cena, ish-epror i UÇK-së në Zonën e Pashtrikut, është njoftuar dje se të hënën e ardhshme duhet të udhëtojë për në Hagë. Ndonëse ende nuk e di se çfarë statusi do ta ketë, ai thotë për “Zërin” se më shumë preferon të jetë i akuzuar sesa dëshmitar i Speciales. Edhe ish-kreu i Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna, ka folur për ftesën që i është bërë nga ky institucion i drejtësisë, shkruan gazeta "Zëri".

Sabajdin Cenajn, ish-epror i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Zonën e Pashtrikut, dje pasdite e kanë njoftuar nëpërmjet telefonit se të hënën e ardhshme, përkatësisht më 14 janar 2019, do të duhej të udhëtojë për në Hagë pas një ftese që ka marrë nga Gjykata Speciale.

Pak ditë para nisjes për në Hagë Cena ka thënë për “Zërin” se ende nuk e di nëse do të jetë i akuzuar ose dëshmitar i kësaj Gjykate. “Ftesën nga Gjykata Speciale e kam marrë një muaj më parë. Por sot (të martën) më kanë kontaktuar nëpërmjet telefonit dhe më kanë njoftuar se më 14 janar 2019 më duhet të udhëtojë për në Hagë. Patjetër që do t’i përgjigjem kësaj ftese, por ende nuk e di nëse do të jem i akuzuar ose dëshmitar. Do të doja që të jem i akuzuar dhe më së paku do të dëshiroja të jem dëshmitar”, thotë Cena gjatë bisedës për “Zërin’.

Cena: Besoj se do të jem i akuzuar, jo dëshmitar

Cena megjithatë beson se do të jetë i akuzuar i Speciales, ndonëse një gjë e tillë nuk i është konfirmuar nga kjo. I pyetur se nëse e di se për cilën ngjarje do të intervistohet, Cena ka thënë që përderisa ka qenë pjesëmarrës i UÇK-së qysh nga fillimi nuk e di se për cilin rast do të pyetet.
Pavarësisht se Cena shpreson që kjo Gjykatë të jetë e drejtë, ai thotë se është duke iu bërë padrejtësi luftës së Kosovës për liri. “Jam optimist se Gjykata duhet të jetë e drejtë, mirëpo pak duken hileqarë, sepse asnjëri prej serbëve nuk është ftuar për gjithë këto masakra që i bënë, askush nuk u ftua për 14 mijë civilë të vrarë, askush nuk u ftua për 20 mijë femrat e dhunuara, kurse vetëm ne shqiptarët po ftohemi. Gjykata është krijuar vetëm për neve e ne jemi palë të luftës, prandaj nëse duhet të përgjigjemi duhet të përgjigjemi jo në mënyrë të barabartë, sepse ne nuk kemi shkuar as në Beograd e as në Nish për ta sulmuar askënd, ata kanë ardhur me forca të mëdha policore, militare, grupe qytetare, grupe të burgosurish dhe kanë sulmuar Rahovecin”, rrëfeu ai.

Dobruna: U kam thënë prokurorëve s’jam kandidat i përshtatshëm për dëshmitar

Ndërsa ish-kryetari i Gjykatës Ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sokol Dobruna, i cili më 18 dhjetor të vitit që lamë pas ishte ftuar për intervistim nga Gjykata Speciale, ka rrëfyer për gazetën “Zëri” që sipas pyetjeve që janë bërë gjatë kësaj interviste 16-orëshe kanë lënë të kuptohej që ai mund të jetë i akuzuar potencial nga kjo Gjykatë. “Në bazë të pyetjeve që m’i kanë bërë, 90% jam i sigurt që më thërrasin si të akuzuar, megjithëse kur m’i kanë paguar shpenzimet e rrugës më është dashur të nënshkruaj në dokumentin që i kam marrë ato dhe aty kam nënshkruar si dëshmitar, por këto janë çështjet e tyre, për mua është gjithçka njësoj”, ka thënë ai për “Zërin”.

Ndërkohë ai ka theksuar se gjatë intervistimit ai ua ka sqaruar prokurorëve që nuk është kandidat shumë i përshtatshëm për dëshmitar për shkak të moshës dhe të shëndetit të dobët. 


Lidhur me raportimet në medie se Dobruna do të paraqitet para prokurorit më 12 janar të këtij viti një gjë të tillë ai e ka mohuar. “Nga Gjykata Speciale unë nuk kam marrë ftesë e as nuk jam informuar. Tash është një procedurë që duhet të respektohet: viza, pasaporta, janë disa procedura dhe fundja mosdhënia e ftesës, sepse nuk është në rregull nëse vijnë për të më marrë më 12 janar, edhe pse nuk e kundërshtoj atë, por jam avokat dhe duhet të përgatitet, pa ftesë nuk mund ta mbyll zyrën, pa ftesë zyrtare”, ka thënë ai.
Dobruna thotë se gjatë intervistimit të tij ai ka kuptuar që përmes kësaj Gjykatë po synohet që krimet e Serbisë të barazohen me ato të Kosovës, ndonëse një gjë e tillë nuk ka kuptim./ZERI.

">http://