Ahmeti pas takimit: BE-ja s’pranon shtete etnikisht të pastra

Aktuale January 08, 2019 - 12:09
Lexo Detajet

Para pak minutash ka përfunduar takimi i ekipit negociator me ndërmjetësuesen e dialogut, Federika Mogerini, i cili është zhvilluar gjatë ditës së sotme në Bruksel, raporton zeri.info.

Me këtë rast, bashkëkryesuesi i delegacionit, Shpend Ahmeti, ka thënë se ky ekip prezantoi para Mogerinit përbërjen e delegacionit, rezolutën dhe ligjin për dialogun.

“Ne prezantuam edhe delegacionin shtetëror, edhe rezolutën edhe ligjin, ku e bëmë të qartë se cili është roli i këtij delegacioni shtetëror dhe po ashtu  përdorëm rastin që edhe njëherë edhe zyrtarisht të shprehim gatishmërinë që të ulemi dhe të diskutojmë për të gjitha temat e hapura mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, të cilat do të çonin te një marëveshje gjithpërfshirëse. Natyrisht kushti primar i kësaj është njohja reciproke”, ka deklaruar Ahmeti, shkruan zeri.info.

Më tej, ai tha se Mogerini e ka bërë të qartë gjatë takimit se duhet të arrihet një marrëveshje normalizuese. Por, sipas tij, BE-ja nuk pranon që të ketë shtete etnikisht të pastra, as pas arritjes së marrëveshjes finale me Serbinë.

“Sipas Mogerinit, për BE-në, çdo marrëveshje që është e pranueshme për të dyja palët, por marrëveshje e cila i përfaqëson vlerat e BE-së, është e pranueshme edhe për ta. Por nuk mund dhe nuk do të kemi shtete etnikisht të pastra sepse ajo nuk është vlerë e BE-së. Pra po flasim për shtetet të cilat do të jenë nesër potencialisht edhe shtete të BE-së, ku nuk mund të kemi kufij që ndajnë etni në vija të tilla.”, ka potencuar ai./Zeri