Qeveria trason rrugën për financimin e PSD-së, një 'luftë' e re shfaqet në horizont

Aktuale January 07, 2019 - 17:53
Lexo Detajet

Qeveria e Kosovës e ka trasuar rrugën për financimin e grupeve parlamentare që ndahen nga subjektet politike pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Nëse dokumenti i dorëzuar në Kuvend merr mbështetjen e shumicës së atyre që votojnë, atëherë përfituesit më të mëdhenj nga ndryshimet në Ligjin për financimin e subjekteve politike do të jenë deputetët që janë ndarë nga Lëvizja Vetëvendosje, e që funksionojnë në kuadër të Grupit parlamentar “PSD”, shkruan AktivPress.

Në Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike dhe Ligjit për Zgjedhje të përgjithshme në Republikën e Kosovës, thuhet shprehimisht se nëse ndahen gjashtë deputetë nga subjekti i tyre politik, atëherë ata e bartin të drejtën e përfitimit të mjeteve financiare që ndahen për numër të deputetëve.

Derisa në ligjin bazik thuhet se: “nëse një deputet vendos të largohet nga subjekti politik, ku ka fituar mandatin, nuk do të bartë mjetet financiare të ndara nga Fondi për atë mandat në subjektin e ri politik”, me Projektligjin e ri të Qeverisë, parashihet që të shtohet neni i ri që thotë: “përveç nëse në rastet kur nga i njëjti subjekt politik, pas vërtetimit të mandateve, largohen gjashtë (6) e më shumë deputet , atëherë këta deputetë mund të bartin mjetet, të ndara sipas paragrafit 1 të këtij neni, në një subjekt tjetër politik të regjistruar pranë KQZ-së ose në subjekt të ri politik që regjistrohet në KQZ”.

Ndryshimet në këtë ligj thuhet se janë bërë në harmoni me legjislacionin e BE-së, por në fakt, ato bijnë ndesh me frymën juridike të aplikuar gjerë më tani në Kosovë. Me legjislacionin në fuqi, deputeti e fiton mandatin nga populli duke qenë i pavarur ose si pjesë e një subjekti politik. Nëse mandati fitohet në mënyrën e dytë, atëherë atë s’mund ta marrë më pas subjekti politik, por as i larguari nuk mund të hiqet nga lista pavarësisht shkëputjes formale nga subjekti politik. Kjo për faktin se me ligjin zgjedhor është e rregulluar që në rast se dikush prej të zgjedhurve e dorëzon mandatin për shkaqe të ndryshme, atëherë në vend të tij, vije kandidati që ka mbetur në radhë për t’u bërë deputet.

Çështja e ndarjes së mjeteve financiare, ka qenë problematike ç’prej se kanë filluar të ndahen subjektet parlamentare. Rasti i parë i përplasjes për para ka qenë mes Zef Morinës dhe Mark Krasniqit. Kur është ndarë Partia Shqiptare Demokristiane, Morina nuk ka arritur të marrë asnjë cent nga Fondi për mbështetje të subjekteve politike. Më pas, Nexhat Daci me deputetët e Lidhjes Demokratike të Dardanisë nuk kanë mundur të marrin hise nga buxheti i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Të njëjtin fat e kanë pasur edhe deputetët e Lëvizjes për Bashkim, kur janë ndarë nga Lëvizja Vetëvendosje, sikundër edhe ata të Nismës kur janë ndarë nga PDK.

Por me ndryshimet e reja, nëse miratohen ato, çështja e financimit do të shkoj në favor të atyre që ndahen nga subjektet politike, ndonëse pritet të ketë rezistencë nga subjektet e mëdha opozitare. Ndryshimet në ligj, Qeveria i ka bërë pikërisht në kohën kur “PSD” ka dalë në mbështetje të projekteve qeveritare, në veçanti të dialogut me Serbinë dhe buxhetit për vitin 2019.

Nëse gjithçka ecën sipas planeve të Qeverisë Haradinaj, atëherë në arkën e PSD-së së udhëhequr nga Shpend Ahmeti do të derdhën hiq më pak se 31.500 euro në bazë vjetore. Kjo do të ishte një goditje e madhe për Lëvizjen Vetëvendosje e cila aktualisht është përfituese e 1 milion e 008 mijë eurove, në emër të 32 deputetëve, përfshirë ata 12 që janë tash në Grupin parlamentar “PSD”. Një “luftë” e re duket në horizont.

Image