Nisma: Presidenti nuk është shkëputur nga PDK-ja

Aktuale January 07, 2019 - 12:27
Lexo detajet

Hashim Thaçi muajin e ardhshëm i bën tre vjet prejse është zgjedhur president i Republikës së Kosovës. Edhe pas përfundimit të gjysmës së mandatit të tij ai nuk ka arritur ta luajë rolin e unifikuesit. Madje së fundi është parë në takime me ish-bashkëpartiakët e tij (PDK), të cilët kanë aktakuza të ngritura nga Prokuroria, shkruan sot gazeta "Zëri"

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Enver Hoti, ka thënë se ky subjekt vazhdon të mendojë njëjtë sikurse para tre vjetësh sa i përket presidentit Thaçi, se ai është figurë jounifikuese.

“Sigurisht ai ka dalë prej PDK-së, ka udhëhequr PDK-në dhe mund të jetë ende në shërbim të PDK-së. Më befason ndokush nëse ka menduar që mund të jetë një president i shkëputur nga PDK-ja”, ka theksuar Hoti, duke thënë se roli i kreut të shtetit është dashur të jetë unifikues, përtej një subjekti politik.

Në anën tjetër Rasim Alija, nga organizata joqeveritare “Demokraci për Zhvillim” (D4D), ka vlerësuar se kreu i shtetit qysh nga fillimi është përballur me kontestim të figurës së tij si president.

“Kujtojmë rrethanat e zgjedhjes së tij si president aso kohe të shoqëruara me protesta e gaz lotsjellës nga blloku opozitar i asaj kohe. Jo rrallëherë presidenti ka sulmuar partitë opozitare, duke mos e reflektuar rolin unifikues të cilin e ka të përcaktuar edhe sipas Kushtetutës së Republikës”, ka potencuar ai.

LEXO EDHE: Tre vjet president, afër PDK-së, larg opozitës

Madje sipas Alijës në raste të caktuara presidenti ka kontribuar qëllimshëm që të krijohen polarizime në skenën politike me qëndrimet e tij, duke nisur nga sulmet ndaj partive opozitare, qëndrimet kundërthënëse për dialogun e deri te bllokada e emërimeve të anëtarëve të KQZ-së në dëm të subjekteve opozitare.

“Unë nuk shoh as rol konstruktiv e as rol unifikues, të cilin është dashur ta ketë presidenti. Madje takimet e shpeshta publike me njerëz të cilët janë figura që kanë aktakuza të ngritura dhe hetohen nga sistemi gjyqësor i Kosovës nuk janë as forma e as mesazhi që duhet dhënë karshi qytetarëve e institucioneve të vendit”, ka nënvizuar ai.

Kurse profesori i shkencave politike Dashnim Ismajli ka vlerësuar se një president që vjen nëpërmjet rrugëve jodemokratike edhe funksionin e tij kushtetues e ushtron duke mos e përfillur, pandërgjegjshëm dhe me veprime jodemokratike. Sipas tij, i pari i shtetit është i njohur mjaftueshëm për veprime antikushtetuese, rrjedhimisht, siç Ismajli është shprehur, nuk është pritur që Thaçi të jetë unifikues.

“Përgjatë mandatit të tij presidencial më shumë sillet si militant partiak sesa si president i vendit. Unë presidentin Thaçi e kujtoj vetëm si një njeri që bën politikë inatesh, shtetrrënuese dhe në shërbim të klientelës, më se i shquar me apetite të pangopura për pushtet”, është shprehur ai.

Për të qenë në harmoni të plotë me përgjegjësitë kushtetuese presidenti sipas tij nuk duhet të bëjë gjë tjetër, përpos që t’i ndjekë dhe t’i përfillë me përpikëri përgjegjësitë që ia garanton Kushtetuta.

“Hashim Thaçi nuk mendoj se gëzon kredibilitet të mjaftueshëm për të udhëhequr me një institucion të tillë”, ka nënvizuar Ismajli./ZËRI