PDK: Takimet e Thaçit me miq, normale

Aktuale January 07, 2019 - 11:12
Lexo detajet

Hashim Thaçi muajin e ardhshëm i bën tre vjet prejse është zgjedhur president i Republikës së Kosovës. Edhe pas përfundimit të gjysmës së mandatit të tij ai nuk ka arritur ta luajë rolin e unifikuesit. Madje së fundi është parë në takime me ish-bashkëpartiakët e tij (PDK), të cilët kanë aktakuza të ngritura nga Prokuroria, shkruan gazeta "Zëri".

Pavarësisht kritikave të opozitarëve karshi presidentit, deputeti i PDK-së Xhavit Haliti ka konsideruar se takimet private të kreut të shtetit me figurat e PDK-së janë krejtësisht normale.

“Darkat private e ndejat me miqtë e vet janë normale dhe nuk domethënë që është takim nëse Thaçi shkon me Kadri Veselin ose shokët e vet më të afërt”, ka deklaruar ai.

LEXO EDHE: Tre vjet president, afër PDK-së, larg opozitës

Megjithëkëtë, Haliti ka thënë se kreu i shtetit duhet të bëjë përpjekje edhe më tutje për ta luajtur rolin unifikues dhe për t’i trajtuar temat të cilat i ka përgjegjësi kushtetuese.

Edhe sipas deputetit të AAK-së Rasim Selmanajt, presidenti ka bërë përpjekje për të qenë unifikues, por sipas tij partitë opozitare kanë qenë ato që nuk kanë pranuar t’i përgjigjen asnjë ftese të presidentit për asgjë.

“Ka pasur refuzim të partive të tjera dhe prandaj nuk ka mundur ta luajë edhe rolin unifikues. Partitë opozitare në vazhdimësi kanë pasur ftesa, por ato vazhdojnë ta refuzojnë çdo takim me presidentin. Kështu e kemi situatën tash për tash”, ka deklaruar Selmanaj./ZERI