Kolapsi i Kuvendit

Aktuale January 07, 2019 - 08:17
Lexo detajet
Image

Gjatë vitit që lamë pas Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të përfundojë shumë seanca, disa prej të cilave madje patën nisur në muajin shtator, por që në mungesë kuorumi vazhdimisht ndërpriteshin. Kështu gjatë 2018-s janë miratuar vetëm 75 ligje, nga 177 sa ishin gjithsej në agjendë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Kuvendi i Kosovës në agjendën legjislative për vitin 2018 kishte paraparë 177 projektligje, duke përfshirë projektligjet e planifikuara nga Qeveria, nismat legjislative nga Kuvendi, si dhe projektligjet e tjera të bartura nga agjenda legjislative e vitit paraprak.

LEXO EDHE: BE-ja, pa datë për hapjen e urës në Mitrovicë

Nga 177 projektligje gjithsej, sipas Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), vetëm 75 prej tyre janë miratuar, 56 janë ende në procedurë të shqyrtimit dhe 46 mbeten në pritje për t’u proceduar nga Qeveria. Sikurse edhe në vitet e kaluara, edhe gjatë vitit 2019 përsëri do të ketë bartje të projektligjeve nga një vit në tjetrin.

Agnesa Haxhiu, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), për “Zërin” ka thënë që mungesa e kuorumit ishte njëra nga sfidat kryesore të punës së Kuvendit përgjatë vitit që lamë pas.

“Mungesa e kuorumit e ka përcjellë gjithë punën e Kuvendit gjatë vitit 2018, ku në pamundësi të vendimmarrjes shumica e seancave plenare të mbajtura është dashur të shtyhen për ditë të tjera. Edhe në rastet kur është siguruar kuorumi shumë ligje nuk janë votuar, pasi që deputetët që kanë qenë të pranishëm në seancë nuk kanë marrë pjesë në votim. Si rrjedhojë, shumë pika të papërfunduara të rendit të ditës nga seanca të ndryshme janë grumbulluar dhe janë vendosur në një seancë të vetme”, ka thënë ajo.

Sigurimi i numrave nga ana e koalicionit qeverisës sipas Haxhiut mbetet sfidë për Kuvendin.

“Kuvendi edhe pse ka përmbyllur sesionin vjeshtor për vitin 2018 nuk ka arritur t’i përfundojë të gjitha seancat e filluara, duke përfshirë këtu çështje që kanë qenë në rend dite të seancave nga muaji shtator. Problemet me sigurimin e numrave kanë qenë sfidë për koalicionin qeverisës përgjatë gjithë vitit. Bojkotimi i punës së Kuvendit nga ana e Listës Serbe, si dhe mungesa e deputetëve të koalicionit qeverisës ka ndikuar që shumica parlamentare të mos jetë e garantuar në Kuvend. Duke qenë në këtë situatë, opozita ka qenë faktori kyç në përmbushjen e agjendës legjislative gjatë këtij viti”, ka theksuar ajo.

Ajo ka thënë që në shumë raste Kuvendi i Kosovës ka shkelur edhe Rregulloren e Punës.

“Miratimi i ligjeve në disa raste është përcjellë me shkelje të Rregullores. Në raste të shpeshta për amendamentet e propozuara në projektligje të gjitha janë votuar në grup, ndonëse Rregullorja e Punës parasheh votim të veçantë për secilin amendament të propozuar. Po ashtu Kuvendi edhe këtë vit ka vazhduar me praktikën e shqyrtimit të projektligjeve në procedurë të përshpejtuar, ku 11 nga ligjet e miratuara janë shqyrtuar me procedurë të përshpejtuar”, ka thënë Haxhiu.

Haliti: Janë votuar më shumë ligje se në mandatin e kaluar

Në anën tjetër, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti fajtor kryesor për mospërmbushjen e agjendës së Kuvendit për vitin 2018 e sheh opozitën, e cila sipas tij ka bllokuar në vazhdimësi votimet.

“Në vitin 2018 janë votuar më shumë ligje se në legjislaturën e kaluar, mirëpo aq sa ka përgjegjësi pozita për votimin e ligjeve, aq ka opozita. Opozita nuk ka votuar në vazhdimësi për dy arsye, për interesa të tyre politike dhe pamundësia e tyre për të miratuar pikat që i kanë propozuar ata”, ka thënë ai për “Zërin”.

Ndërkohë, ai ka thënë që koalicioni qeverisës ka qenë i përkushtuar në përmbushjen e agjendës së përcaktuar për vitin 2018.

“Përkushtimi i pozitës në Kuvend ka qenë i jashtëzakonshëm, i krahasuar me legjislaturat e mëparshme dhe situata në të cilën është Kuvendi i Kosovës, duke e pasur parasysh se koalicioni është numerikisht i vogël dhe kjo i pamundëson ndonjëherë që të votojë projektligjet që është zotuar t’i miratojë, sepse tani edhe Lista Serbe, që është në koalicion qeverisës, po e bojkoton votimin. Prandaj nuk është realizuar ajo që kemi dashur, sepse nuk kemi pasur kuorum”, ka thënë Haliti.

Viti 2019, vit i zgjedhjeve të jashtëzakonshme

Kurse deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ismajl Kurteshi, për “Zërin” ka thënë që mosfunksionimi i Kuvendit të Kosovës përgjatë vitit 2018 ka qenë për shkak të mungesës së numrave të koalicionin qeverisës.

“Pozita, e cila është përgjegjëse për punën në përgjithësi të Kuvendit, por edhe të institucioneve tjera, për shkak të vlerësimit joreal të gjendjes ka sjellë deri aty ku pjesa më e madhe e agjendës së punës së Kuvendit të mos realizohet”, ka thënë ai.

Pavarësisht kësaj, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje konsideron që opozita vazhdimisht e ka kryer punën e vet në Kuvend.

“Opozita e ka kryer punën e vet, ajo ka kërkuar që të trajtohet si një faktor i rëndësishëm që ndikon në mbarëvajtjen e punëve në Kuvend e derisa një gjë e tillë nuk ka ndodhur, atëherë opozita ka vepruar ashtu siç do të vepronte secila opozitë ose secila forcë politike kudo qoftë”, ka thënë ai.

Ndërkohë, edhe Kurteshi ka vlerësuar që viti 2019 do të jetë vit i zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Se si do të shkojë puna në vitin 2019 përsëri do të varet nga sjellja e pozitës, e cila është minoritet në Kuvendin e Kosovës. Sipas të gjitha gjasave ky do të jetë vit i zgjedhjeve të reja parlamentare, pasi një pozitë që nuk i ka numrat e nevojshëm nuk mundet pafundësisht të udhëheqë me vendin”, ka theksuar ai.

LDK: Nuk bëhemi servil i pushtetit
 

Ndërsa deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, për “Zërin” ka thënë që gjatë vitit 2018 Kuvendi i Kosovës ka qenë në kolaps, me ç’rast ka theksuar se në asnjë formë opozita nuk do të bëhet servil i pushtetit.

“Që nga pranvera e vitit të kaluar Kuvendi ka qenë në kolaps, sepse ky koalicion i brishtë, që u formua me deputetët e Listës serbe, me vjedhje të mandateve arritën t’i bëjnë 61 numra, të cilët edhe ashtu ishin të pakt për të funksionuar, por ne si opozitë me këtë brishtësi kemi kërkuar që ky Kuvend ta përfundojë mandatin, por të njëjtën kohë kemi kërkuar marrëveshje politike që të përfundojë ky mandat pa dashur ne që të bëjmë marrëveshje me Listën Serbe dhe të bëhemi pjesë e lojërave, siç u bë kryeministri Ramush Haradinaj”, ka thënë ai.

Si pasojë e gjendjes së krijuar Avdyli vlerëson se viti 2019 do të sjellë zgjedhje të reja.

“Unë besoj që gjatë vitit 2019 do të ndodhë një marrëveshje politike dhe do të shkojmë në caktimin e një date për zgjedhje dhe në mënyrë shumë unike dhe pa përçarje të shkojmë dhe të matemi te populli dhe nëse përsëri ata dalin të parët dhe e bëjnë shumicën, atëherë ne nuk kemi arsye për kundërshtim, por nëse shumica e qytetarëve vendos ndryshe edhe ata duhet ta respektojnë këtë gjë”, ka thënë ai./Zeri