Kuvendi vuan për kuorum, 55 projektligje mbesin pa u votuar

Aktuale January 06, 2019 - 19:40
Lexo Detajet

Kuvendi i Kosovës gjatë kësaj legjislature po përballet vazhdimisht me probleme me sigurimin e kuorumit të nevojshme për votim të ligjeve.

Deputetët rrallë herë janë mbledhur të gjithë në një seancë plenare. Që nga shtatori i vitit 2017 janë zhvilluar mbi 44 seanca plenare. Kësisoj këtë vit nuk është arritur që të përmbyllen seancat e parapara, duke u bartë kështu për vitin 2019. Deputetët kanë përmbushur 42% agjendën legjislative, e që mbeten edhe 55 ligje të tjerë për t’u proceduar.

“Për periudhën 10 shtator 2017 – 18 dhjetor 2018 janë mbajtur 44 seanca plenare. Seancat plenare mbahen sipas çështjeve qe procedohen për shqyrtim nga Qeveria, komisionet parlamentare si dhe mocionet qe propozohen nga se paku 6 deputetë të Kuvendit”, ka thënë për Indeksonline, Sekretari i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi.

Ndërsa Agnesa Haxhiut nga KDI, ka deklaruar se Kuvendi i Kosovës përgjatë vitit 2018 nuk ka arritur të funksionojë si duhet dhe se vazhdimisht është përballur me problematika të ndryshme, kryesisht të natyrës politike.

“Për gjatë dy sesioneve të punës, Kuvendi është përballë vazhdimisht me probleme me sigurimin e kuorumit të nevojshme për votim të ligjeve. Përveç mungesës së kuorumit, gjatë kësaj periudhe mospajtimet mes opozitës dhe partive në pushtet janë thelluar më shumë për shkak edhe të çështjes së dialogut Kosovë – Serbi për çka edhe një pjesë e opozitës ka bojkotuar punimet plenare”, ka thënë Haxhiu.

Ndryshe sipas saj është kthyer në praktikë që asnjë seancë që nisë të mos përfundoj po atë ditë, dhe aktualisht Kuvendi ka ende seanca të papërfunduara që nga muaji shtator.

“Caktimi i seancave të reja pa përfunduar ato që kanë nisur është duke shkaktuar kaos në mbarëvajtjen e punëve dhe e pamundëson përmbushjen e agjendës së Kuvendit për këtë vit. Me këtë ritëm të punës, në pamundësi që të përmbyllën seancat e papërfunduara në këtë vit, ato do të barten për vitin 2019. Kryesia e Kuvendit do të duhej që t’i kthej praktikës së më hershme, ashtu siç e përcakton edhe Rregullorja e Punës, që seancat të mos thirren në ditët kur parashihet që të mbahen takime të komisioneve parlamentare, sepse në këtë mënyrë po e pengon edhe mbarëvajtjen e punës nëpër komisione”, ka shtuar Haxhiu.

Haxhiu ka shtuar gjithashtu se marrë parasysh numrin e madh të projektligjeve që Qeveria i ka sjellë në Kuvend për shqyrtim këtë vit, miratimi i tyre është përcjellë me vështirësi pikërisht për shkak të mungesës së kuorumit në votim.

“Por që përkundër zvarritjeve në shqyrtim të ligjeve edhe mungesës së kuorumit për t’i votuar ato, Kuvendi ka arritur deri më tani që ta përmbush deri në 42% agjendën legjislative. Por që janë edhe 55 ligje të tjera në procedurë deri në fund të këtij viti, e që do të jetë e pamundur që të gjitha këto të përfundojnë deri në fund të këtij muaji. Andaj do të kemi përsëri bartje të projektligjeve nga një vit në tjetrin, siç edhe ka ndodhë pothuajse çdo vit”, ka thënë Haxhiu nga KDI.

Gjithashtu është theksuar se Kuvendi ka pasur ngecje në rolin e tij të mbikëqyrjes.

“Edhe pse deputetët kanë qenë më aktiv në parashtrim të pyetjeve parlamentare dhe inicim të interpelancave kanë munguar aktivitetet për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve. Kuvendi ka arritë që ta përfundoj dhe ta miratoj raportin e mbikëqyrjes së zbatimit të vetëm një ligji për këtë vit, ndonëse me planin e punës për vitin 2018 kanë qenë të paraparë për monitorim gjithsej 18 ligj, pa i përfshirë edhe ligjet e tjera që në ndërkohë komisionet i kanë shtuar në planet e tyre të punës për monitorim”, ka thënë Haxhiu.

Ndryshe sa i përket shpenzimeve të Kuvendit gjatë vitit 2018 nuk ka ende ndonjë raport të publikuar.

Deri më tani publik është bërë vetëm raporti i shpenzimeve përgjatë mujorit të parë të këtij viti.

Sipas të njëjtit raport për kategorinë paga dhe mëditje janë shpenzuar gjithsej 4,432,890.68 euro nga gjithsej 11,440,533.89 euro sa ishin planifikuar për këtë kategori për vitin 2018.