Zyrtari i VV’së thotë se po dëshirojnë t'i përçajnë me LDK’në

Aktuale January 06, 2019 - 16:40
Lexo Detajet

Ylli Rugova, një zyrtar i VV’së, po thotë se PDK po tenton të përçajë Vetëvendosjen me LDK’në.

Rugova ka prezantuar të dhënat e hulumtimit të VV’së ku LDK e VV bashkë marrin 56 ulëse në Parlament me Albin Kurtin Kryeministër.

“VV dhe LDK janë duke udhëhequr në sondazhet me qytetarët ku së bashku do të bënin 56 ulëse në Kuvend. Kurse Albin Kurti qartazi vazhdon të shihet si figura më e përshtatshme për të udhëhequr si kryeministër i vendit”, ka shkruar Rugoca, dikur një përkrahës i zhurmshëm i Shpend Ahmetit.

“Në këso momentesh aparatusi propagandistik i PDK-së me satelitët e vetë mundohet të nxisë përçarje përmes gjuhës poshtëruese dhe tallëse. Jemi mësuar tashmë me këso pallavrash. Kot e keni, së shpejti kemi me ju pa në opozitë”, ka shtuar ai.

Sondazhi i VV’së e ka nxjerr të parën LDK’në ndërsa Kurtin si njeriun më të pëlqyer për Kryeministër. Ende nuk e kanë sqaruar nëse këto të dhanë i kanë publikuar edhe për t’i bërë ofertë LDK’së që të hyjnë në një koalicion parazgjedhor me Kurtin si kanididat për Kryeministër.

Të shtunën, për Gazetën Express, Zëvendësi i Ramush Haradinajt në Qeveri, Dardan Gashi, e ka dhënë një shpjegim se pse Partia e themeluar nga Ibrahim Rugova po refuzon të bëhet pjesë e dialogut përfundimtar me Serbinë. Po thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës po vepron siç po merr instrukcione prej Albin Kurtit.

Madje, ish-zyrtari i LDK’së ka deklaruar se Partia e Isa Mustafës është bërë Degë e Vetëvendosjes.

Dardan Gashi ka vlerësuar se disa eksponentë – sidomos gjenerata e re e LDK’së – më shumë besojnë në idetë e Albin Kurtit se sa në vizionin e Ibrahim Rugovës.

“Me këtë mendësi që kanë disa nga eksponentët e LDK’së duhet ta rishikojnë a janë më shumë “Abinista” a “Rugovista””, ka thënë Gashi, në një intervistë.

“Me këtë politikë, LDK është Degë e Vetëvendosjes. Nuk është duke vepruar si parti politike por po vepron sipas dëshirave dhe inercioneve të prodhuara nga Albin Kurti”, ka shtuar ai.

Isa Mustafës i ka mbetur shumë hatri pse një zyrtar i Qeverisë së Kosovës tha se LDK është shndërruar në Degë të Vetëvendosjes dhe po urdhërohet prej Albin Kurtit.Krejt akuzat e Dardan Gashit se LDK ka rrëshqitur në filozofinë “albiniste”, Shefi i LDK'së i ka ndërlidhur me emrin e Kadri Veselit. Ka thënë se Kryetari i PDK’së po i bën fushatë me bashkëpunëtorët e tij kundër LDK’së.

Mustafa e ka krahasuar Kryetarin e PDK’së, Kadri Veselin me Serbinë në fushën e provokimeve. Ka thënë se provokime si të Veselit bën edhe shteti serb.

“Kadriu (Kadri Veseli) si Kryetar i Kuvendit dhe Kryetar i PDK-së, dhe lakenjtë e tij s’lënë gjë të keqe pa ia atribuuar LDK-së, e njollosin me llojlloj etiketimesh, e në anën tjetër kërkojnë që LDK të bashkëpunojë më ta dhe me koalicionin e tyre në dialog”, ka shkruar Mustafa.