MPJ-ja thotë se sot s’do të ketë kurrfarë pelegrinazhi në Kosovë, serbët nuk morën leje

Aktuale January 06, 2019 - 11:36
Lexo detajet

Ka përfunduar e qetë protesta e qytetarëve në Gjakovë kundër ardhjes së pelegrinëve serbë në kishën ortodokse.

E këtë e konfirmoi edhe Policia e Kosovës.

Drejtori Rajonal i Policisë në Gjakovë, koloneli Ahmet Hasi, tha për kallxo se pelegrinët serb nuk na kanë paralajmëruar që sot do të vijnë në Gjakovë.

Për këtë çështje, ka njoftuar edhe Ministria e Punëve të Jashtme.

Këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj, ka thënë se Republika e Kosovës respekton dhe garanton të drejtën e secilit qytetar për t’i ushtruar ritet fetare, por, nuk do të ketë kurrfarë pelegrinazhi sot.

“Megjithatë, sa për ta informuar opinionin publik, sot nuk do të ketë kurrfarë pelegrinazhi në asnjë qytet të Kosovës sepse një një gjë e tillë nuk e ka kërkuar askush nga institucionet e Republikës së Kosovës. Shteti ynë çdoherë do t’ua garantojë të drejtën qytetarëve të zakonshëm sa herë që e kërkojnë një gjë të tillë. Ne i kuptojmë shqetësimet e nënave dhe qytetarëve të Gjakovës, por i garantojmë ata që asnjë kriminel nuk do të jetë asnjëherë pjesë e pelegrinëve ngase vendi i tyre do të jetë burgu”, ka shkruar Jetlir Zyberaj

Sipas tij “të gjithë kriminelët serbë që kanë kryer krimet më të tmerrshme që nga Lufta e Dytë Botërore duhet të dalin para drejtësisë”.