Opozita: As presidenti, as ekipi s’mund të vendosin për dialogun

Aktuale January 05, 2019 - 11:49
Lexo tjera detaje

Edhe pas votimit të ekipit negociator për dialogun beteja përfundimtare në procesin e negociatave Kosovë - Serbi pritet të zhvillohet mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe atij të Serbisë Aleksandar Vuçiq. Ekipi negociator vlerësohet se nuk do të ketë ndonjë rol vendimmarrës në këtë proces, përpos rolit teknik dhe atij plotësues, shkruan Gazeta "Zëri".

Për këtë çështje, dy partitë opozitare, të cilat nuk kanë pranuar të bëhen pjesë e delegacionit për dialogun, LDK-ja e LVV-ja, po vazhdojnë të besojnë se as presidenti e as ekipi shtetëror nuk mund të vendosin për çështjen e Kosovës në negociatat me Serbinë.

“Me këtë temë kaq të rëndësishme po luhet në nivel shumë të ulët, qoftë nga presidenti, qoftë nga ky ekip tashmë i ashtuquajtur negociator. Ne jemi shumë të sigurt se as ky ekip, as presidenti nuk mund të vendosin për çështjen e Kosovës, kështu siç janë pa legjitimitet”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

LEXO EDHE: Thaçi, 'lojtari' kyç i dialogut

Për tema të tilla siç është dialogu, sipas Gaxherrit, të gjitha partitë politike duhet të jenë të unifikuara.

“Por kjo fatkeqësisht nuk po ndodh. Nuk mund të vijë në Kuvend një marrëveshje që nuk kapërdihet, për të cilën ne jemi deklaruar që nuk do ta pranojmë. Prandaj askush nuk duhet të ngutet që të realizojë qëllime të veta personale, duke e dëmtuar vendin, sepse nuk do të kalojë në Kuvend”, ka nënvizuar deputetja e LDK-së.

Ndërkaq deputeti i LVV-së, Xhelal Sveçla, ka thënë se ekipi negociator është vetëm në mbështetje të kreut të shtetit, nuk ka asnjë rol tjetër.

LEXO EDHE: Ekipi shtetëror zotohet se do të punojë sipas Kushtetutës

“Tashmë është evident fakti që ky është vetëm një ekip mbështetës teknik i negociatave që po i bën Hashim Thaçi me Vuçiqin. Nuk pres ndonjë gjë të mirë prej kësaj, përveç legjitimitetit të një procesi jashtëzakonisht të dëmshëm të negociatave”, ka theksuar ai.

Pavarësisht deklaratave të përfaqësuesve të delegacionit se do të përpiqen që të jenë njëzëri në dialog, Sveçla ka thënë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë./ZËRI