Abdixhiku thotë se Kosova është në gjendje të jashtëzakonshme

Aktuale January 03, 2019 - 20:28
Lexo Detajet

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas vjedhjeve të shumta dhe vrasjes së policit në detyrë.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar pas vjedhjeve të shumta që janë bërë në vendin tonë dhe pas vrasjes së policit Izet Demaj.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Abdixhiku ka thënë se kjo është një gjendje e jashtëzakonshme, gjendje frike, tmerri e anarkie.

Ai ka kërkuar nga organet e rendit dhe të sigurisë që të krijojnë rend e qetësi në vend.

“Udhëheqësit e ministrisë, policisë, e inteligjencës kanë veçse një detyrë, të krijojnë minimalisht rend e qetësi. Nëse s’mund të bëjnë një gjë të tillë, le të lëshojnë rrugë për të tjerë djem e vajza që i japin këtij vendi erë shtet!”, ka shkruar ndër të tjerash Abdixhiku.

Postimi i plotë i Abdixhikut pa ndërhyrje:

A KA SHTET KËTU?

14 plaçkitje për 1 muaj – me një polic të vrarë në detyrë – s’është gjendje e zakonshme; është gjendje e jashtëzakonshme. Është gjendje frike, tmerri e anarkie.

E nisën njëherë me banka, tash plaçkisin markete, punëtori e dyqane. S’kalon ditë pa një lajm grabitjeje; në mes të vendbanimeve – në mes të ditës. Banditë të armatosur bëjnë rendin në rrugë; sillen të egër, të lirë e paprekur – dhe shteti mbetet në gjumë.

Udhëheqësit e ministrisë, policisë, e inteligjencës kanë veçse një detyrë, të krijojnë minimalisht rend e qetësi. Nëse s’mund të bëjnë një gjë të tillë, le të lëshojnë rrugë për të tjerë djem e vajza që i japin këtij vendi erë shtet!.