Fatmir Limaj: Në Bruksel do të shkojmë pa Thaçin

Aktuale January 03, 2019 - 14:25
Lexo tjera detaje

Delegacioni shtetëror i Republikës së Kosovës, me 8 janar të këtij viti do të udhëtojë për në Bruksel në kuadër të procesit të dialogut, por pa pjesëmarrjen e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, i cili deri më tani ka udhëhequr bisedimet Prishtinë-Beograd.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com, njëri ndër kryesuesit e ekipit negociator, njëherësh zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj.

Limaj tha se në Bruksel do të shkojnë të vetëm, pasi sipas tij takimi do të jetë me tepër njoftues.

“Udhëtimi ose vizita do të jetë e delegacionit shtetëror vetëm, me të drejtën që ta caktojmë një datë të saktë se kur do të shkojmë. Ideja është një takim mes delegacionit shtetëror dhe ndërmjetësuesit në proces, më tepër njoftues dhe konsulatitiv. Do të thotë, do të jetë vetëm delegacioni shtetëror [pa presidentin Thaçi]”, tha Limaj.

Ndërkaq, presidenti i vendit, Hashim Thaçi në konferencën e fund vitit para gazetarëve javën e kaluar pati thënë se me 8 janar do të jetë në Brezovicë duke skijuar.

“Ekipi negociator është pajtuar me propozimin tim që me 8 janar ata të jenë në Bruksel, unë në Brezovicë, në skijim”, tha shkurtimisht Thaçi.

KALLXO.com ka kontaktuar Zyrën e Presidentit të Kosovës, për të konfirmuar mospjesëmarrjen e Thaçit në takimin e 8 janarit si dhe për të sqaruar deklaratën e tij,  por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Presidenti Thaçi, në të njëjtën paraqitje publike,  të enjten e kaluar ndër të tjerash shtoi se nuk zmbrapset nga ideja e tij që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës.

“Unë mbështes në plotni të drejtat legjitime dhe kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, bile sot edhe më fuqishëm sesa gjatë verës dhe në muajt në vijim shpresoj në zyrtarizimin e së drejtës së tyre për bashkëngjitje me Kosovën”, u shpreh kreu i shtetit.

Në anën tjetër, lidhur me mundësinë që çështja e ‘korrigjimit të kufirit’ të jetë temë diskutimi në Bruksel, kryesuesi i ekipit negociator Fatmir Limaj tha për KALLXO.com se për çfarë do të flitet në Bruksel do të përcaktohet përmes platformës që po e harton ekipi i tyre.

“Së pari, duhet të them që ne po shkojmë vetëm në takim konsultativ, ndërsa siç e dini delegacioni është duke e përgatitur një platformë. Delegacioni shtetëror është votuar përmes një rezolute. Mandati ynë është i qartë, i cili është dhënë nga parlamenti, duke u bazuar në rezolutë. Besoj që shumë shpejt do ta shihni edhe projekt-platformën, e cila obligon delegacionin shtetëror sipas asaj platforme”, përfundoi Limaj për KALLXO.com.

Përderisa në Kosovë po diskutohen temat të cilat duhet të prezantohen në fazën finale të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, kjo e dyta ka bërë të ditur se nuk do të dialogojë me Prishtinën pa u hequr taksa prej 100 për qind ndaj produkteve serbe, vendim ky i marr nga Qeveria e Kosovës në fund të vitit të kaluar.