Gjasat që vizat të hiqen gjatë presidencës rumune, minimale

Aktuale January 03, 2019 - 11:10
Lexo tjera detaje

Pavarësisht zotimeve të njëpasnjëshme të krerëve institucionalë se viti 2018 do të përmbyllej me liberalizimin e vizave për Kosovën, një gjë e tillë nuk ndodhi. Përkundrazi, ky proces sipas ekspertëve të procesit të integrimit rrezikon të mos finalizohet as përgjatë këtij viti. Kjo pasi që prej 1 janarit (2019) Rumania, e cila nuk e njeh Kosovën shtet të pavarur, ka marrë “timonin” e presidencës së Bashkimit Evropian. Por situata e pafavorshme për Kosovën nuk ndërlidhet vetëm me këtë çështje. Në vështirësimin e rrugëtimit për liberalizim, sipas njohësve të procesit të integrimit, do të ndikojnë zgjedhjet që pritet të mbahen për Parlamentin Evropian (PE) gjatë muajit maj, shkruan Gazeta "Zëri".

Teksa ka folur rreth liberalizimit të vizave, njohësi i proceseve integruese Besnik Vasolli ka shpjeguar arsyet se pse gjasat për heqje vizash gjatë kryesimit të Rumanisë janë tejet të vogla. “Shanset që liberalizimi i vizave të ndodhë gjatë presidencës rumune janë të vogla. Jo vetëm për arsyen që Rumania nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, por më shumë për faktin që zgjedhjet për Parlamentin Evropian mbahen në maj të vitit 2019 dhe shanset janë shumë të vogla që temat e kësaj natyre do të vendosen në prag ose gjatë zgjedhjeve”, ka deklaruar Vasolli.

LEXO EDHE: Janari special

Megjithatë, gjasat më të favorshme për Kosovën sipas tij janë gjatë presidencës së Finlandës.

Pavarësisht kësaj, kryesuesi i bordit ekzekutiv të institutit EPIK, Taulant Kryeziu, ka thënë se procesi i liberalizimit nuk është vonuar e as nuk do të shtyhet për shkak të vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën. “E mira e vendimmarrjes në procesin e vizave është se vendet mosnjohëse nuk e kanë atë fuqinë bllokuese të vendimmarrjes në kuadër të Këshillit, për arsye se nuk përbëjnë 35-përqindëshin e BE-së ose asaj që quhet pakica bllokuese”, ka theksuar ai, shkruan Gazeta "Zëri".

Problem kyç në këtë proces, sipas tij, ka qenë dhe mbetet hezitimi i disa vendeve të mëdha, të cilat e kanë njohur Kosovën si shtet, siç janë Gjermania, Franca, Holanda e Belgjika.

Kryeziu gjatë bisedës ka konsideruar se krerët institucionalë të Kosovës nuk do të duhej të përmendnin data që ndërlidhen me heqjen e vizave. “Në kuadër të procesit të vizave nuk do të ishte mirë që askush prej institucioneve të spekulonte me aspektet kohore të datave, se ne e dimë që kemi Brexitin në mars, kemi zgjedhjet për Parlament në maj dhe nuk është momentumi i mirë që të përmenden data, por vetëm të koncentrohemi në punë dhe kryesisht në atë që është kriteri i dytë, në këtë rast luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, mbi të cilin ka hezitime nga disa vende të mëdha të BE-së”, ka theksuar Kryeziu.

Ndërkaq anëtari i Komisionit për Integrime Evropiane (nga LVV), Ismajl Kurteshi, ka vlerësuar se kryesimi i Rumanisë mund të ndikojë tejet pak negativisht në procesin e vizave. “Sa i përket çështjes së kryesimit të Rumanisë edhe të vizave unë konsideroj që Bashkimi Evropian nuk është një organizatë që bie tash në ndikim dhe roli i kryesuesit nuk mund të jetë përcaktues për dhënien e vizave. Kështu që kjo mund të ndikojë diçka, por nuk mendoj që mund të ndikojë shumë”, ka deklaruar ai për "Zërin".

Por sipas Kurteshit komisionari për Zgjerim i BE-së, Jonahas Hahn, tashmë ka bërë të ditur se procesi i liberalizimit nuk mund të finalizohet para vitit 2020. “Siç e dini, komisionari Hahn ka thënë se Kosova mund të udhëtojë pa viza në Evropë në vitin 2020, që do të thotë se duhet pritur një vit e më tepër”, ka theksuar deputeti i LVV-së./ZËRI