20 vjet në uniformë

Aktuale January 01, 2019 - 14:29
Lexo detajet
Image

Duke qenë pjesë e UÇK-së, e TMK-së, e FSK-së dhe tash pjesë e Ushtrisë së Kosovës, majore Remzie Zeqiraj ndihet krenare që për dy dekada radhazi pati fatin t’i shërbejë vendit të saj, Kosovës, shkruan gazeta "Zëri". 

“Plaga e luftës është plaga më e ëmbël që mund ta përjetojë njeriu gjatë jetës së tij”. Kështu shprehet majore Remzie Zeqiraj, e cila dy dekada më parë vendosi të vihej në shërbim të atdheut. Para plot 20 vjetësh Zeqiraj kishte vendosur ta vishte uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe të rreshtohej krah luftëtarëve të lirisë! Sikurse secili pjesëtar i luftës, edhe Zeqiraj nuk e kishte pasur të lehtë rrugëtimin e saj.

Sfidat pa dyshim që kishin qenë gati të pakapërcyeshme, por ajo nuk ishte dorëzuar as pas plagës që kishte marrë gjatë luftës së fundit. Pavarësisht pasojave që i kishte lënë kjo plagë, menjëherë pas çlirimit të vendit ajo i ishte bashkuar Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), duke vazhduar më pas shërbimin edhe në Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK). Simboleve të shtetit nuk e ka ndërmend t’u largohet as sot, përkundrazi shumë shpejt pritet ta veshë edhe uniformën e katërt, atë të Ushtrisë së Kosovës, e cila u krijua më 14 dhjetor 2018.

LEXO EDHE: 95-vjeçari që i shpëtoi tri herë vdekjes

Të jesh në uniformë do të thotë të kesh festë çdo ditë

Të qëndrosh në uniformë për një periudhë kaq të gjatë për Zeqirajn është një privilegj i jashtëzakonshëm. Të jesh gjatë tërë kohës në të tilla veshje, me anë të të cilave identifikohet shteti, për majoren Remzie Zeqiraj do të thotë të përjetosh festë secilën ditë. Sfidat të cilat i bart me vete uniforma  sipas saj janë ndër sfidat më të mira që mund t’i përjetojë një person gjatë veprimtarisë jetësore.

Gjersa tregon për momentin kur vendosi t’i bashkohet UÇK-së, Zeqiraj thotë se duke parë rrethanat nëpër të cilat po kalonte Kosova ishte e pamundur shmangia e inkuadrimit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Asaj tematike, asaj përpjekjeje, asaj fryme organizative, të kohës kur po flas, ka qenë e pamundshme për t’iu shmangur, sepse motivi ka qenë jashtëzakonisht i lartë, sakrifica e deriatëhershme e popullit tonë ishte e jashtëzakonshme”, thotë ajo.

Zeqiraj nuk kishte kurrfarë hezitimi që të kyçej në luftë. Dilema e saj e vetme atë kohë ishte se si ta gjente formën më efikase përmes së cilës mund të kontribuonte për vendin e saj, Kosovën.

Veprimtaria e saj në UÇK lidhet kryesisht me rajonin e Istogut, prej nga vjen edhe vetë ish-pjesëtarja e UÇK-së. Bashkë me kolegët e asaj kohe kishin bërë celulat e UÇK-së si kundërpërgjigje ndaj terrorit të forcave policore dhe ushtarake serbe. Edhe gjatë luftës ajo kishte pasur të njëjtën detyrë siç e ka edhe tash, atë të informimit publik.

LEXO EDHE: Dashuria e parë e kryeprokurorit

Zeqiraj: Asnjë populli nuk ia dëshiroj luftën

Remzie Zeqiraj kishte vendosur të hynte në luftë. Por, se kur do të përmbyllej ky kapitull nuk e dinte as ajo, as bashkëluftëtarët e saj. Nuk e dinte askush! Pavarësisht kësaj, ajo dhe bashkëluftëtarët e saj ishin të vendosur, që synimin ta çonin deri në fund!

Duke u nisur nga tmerret që kishte përjetuar Kosova atë kohë, Zeqiraj nuk do t’ia dëshironte askujt përjetimin e luftës. Asnjë populli të asnjë vendi të botës.

“Unë asnjëherë nuk ia dëshiroj asnjë kombi luftën, as popullit tim, popullit shqiptar assesi, sepse lufta i ka sfidat, vështirësitë, dhimbjen, se lufta zhvillohej në tokën tonë, në shtëpinë tonë, në atdheun tonë. Lufta zhvillohej këtu ku jetonin pleqtë tanë, ku i kishim varret, ku i rrisnim fëmijët. Prandaj, ishte e ndjeshme”, thekson ajo.

Mes emocioneve majore Zeqiraj kujton edhe bashkëluftëtarët e saj, shumë prej të cilëve ranë në altarin e lirisë. Pavarësisht se nuk patën fatin që ta prisnin lirinë, ajo mbetet e bindur se dëshmorët u larguan të lumtur nga kjo botë.

“Ata kanë shkuar të lumtur sepse në momentin që këtu është luftuar okupatori, Serbia e atëhershme, liria është parë. Ne e kemi parë lirinë. Në momentin që jemi angazhuar në luftë, ne lirinë e kemi parë. Sa do të zgjasë nuk e kemi ditur, s’e kemi llogaritur dhe s’e kemi menduar, por e kemi ditur që liria vjen. Edhe bashkëluftëtarët tanë dëshmorë e kanë parë lirinë”, shprehet majorja e FSK-së.

LEXO EDHE: Ambasadorja finlandeze kënaqet me djathë dhe ajvar të Kosovës

As plaga nuk e ndali

Gjatë luftës së fundit pjesëtaret e UÇK-së nuk kursyen veten, qoftë në vijë të frontit, qoftë në roje, në polici ushtarake ose në njësi speciale. Në të gjitha fushat ato dhanë kontribut të jashtëzakonshëm.

Gjersa shërbente në luftë, Zeqiraj ishte plagosur sikur shumë bashkëluftëtarë të saj. Por sikur heronjtë e lirisë, as ajo nuk kishte ndier dhimbje.

“Të them që plaga e luftës, e lirisë, është e ëmbël nuk e beson askush. E padhimbje, e ngrohtë, e ëmbël, disi të krijon një ngrohtësi, si të thuash sikurse ta prekësh një lule, sikur të ndjesh diçka që të ka marrë malli për të”, thotë ajo.

Tutje Remzie Zeqiraj thotë se plagën e saj nuk do ta shiste për asnjë çmim të botës.

“Sikur të më pyeste dikush se a do t’i ndërrojmë plagët, pra t’i marrë, unë plagën e luftës për asnjë çmim, për krejt çka shihet, prej toke deri te dielli nuk e ndërroj. As momentin e lëndimit, as pasojat që kam pasur pas sepse ajo ishte plaga më e ëmbël që mund ta përjetojë njeriu”, nënvizon ajo.

Lajmin për çlirim e mori larg atdheut

Për shkak të plagës që kishte marrë, Remzia ishte detyruar të shkëputej nga lufta në prill të vitit 1999. Periudha e shërimit të saj kishte zgjatur mjaft shumë. Tek pas operacionit të tretë kishte filluar të ecte, të ringrihej në këmbë. Ndërkaq pak muaj më vonë kishte ndodhur çlirimi i vendit.

Kur ishte nënshkruar marrëveshja tekniko-ushtarake ajo kishte qenë në Itali, ku pas trajtimit në spital kishte qëndruar te një familje italiane. I zoti i shtëpisë atë kohë kishte qenë ai i cili ia kishte kumtuar Remzies lajmin se ishte nënshkruar marrëveshja në fjalë, e cila konsiderohej si Marrëveshja e Paqes.

Tek në vitin 2000 ajo ia kishte dalë të kthehej në vendin e saj, ku kishte vendosur që menjëherë të inkuadrohej në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK). Aty Zeqiraj kishte shërbyer në Batalionin 40 të Mjekësisë dhe kishte udhëhequr po ashtu sektorin e informimit publik.

Por rrugëtimi i saj nuk përfundon këtu! Pas TMK-së, majore Zeqiraj kishte vazhduar misionin e saj në Forcat e Sigurisë së Kosovës si oficere për Marrëdhënie me Publikun.

LEXO EDHE: Ambasadori që udhëton me autobus

Gëzimi për Ushtrinë

Ndërkohë, tash kur ka kaluar 20 vjet në uniformë majore Zeqiraj ndihet tejet e lumtur që Republika e Kosovës u bë me ushtri.

“Ajo çka na ka gëzuar shumë neve këtu, edhe mua personalisht, është ai gëzimi i përbashkët i gjithë popullatës së Kosovës. Ajo ndjenja e përbashkët për diçka të përbashkët është e jashtëzakonshme dhe të bën të ndihesh jashtëzakonisht mirë”, thekson ajo.

Krejt në fund Zeqiraj thotë se ndihet krenare dhe jashtëzakonisht e përmbushur që i takon një populli siç është ai shqiptar, një populli me histori, me kulturë e me traditë. Një popull, i cili ka vlera edhe për t’ua dhënë të tjerëve./ZERI