Dashuria e parë e kryeprokurorit

Aktuale January 01, 2019 - 12:27
Lexo detajet
Image

Jemi mësuar ta shohim çdo ditë në funksionin e kryeprokurorit të Shtetit, mirëpo nuk e harron dot dashurinë e vjetër që e ka nga fëmijëria, basketbollin. Në një rrëfim ekskluzivisht për “Zërin” Aleksandër Lumezi i tregon aftësitë e tij dhe nostalgjinë për basketbollin, sport me të cilin është marrë në rini, fillimisht si lojtar e pastaj edhe si trajner, duke e fituar madje edhe kupën. Shihet krejt ndryshe kur flet edhe për grupet më të preferuara muzikore, shkruan gazeta "Zëri".

Pasi ka përfunduar orarin e punës si kryeprokuror i Shtetit, Aleksandër Lumezi është nisur për në sallën e basketbollit në “Don Bosko”, aty ku do të na i demonstrojë aftësitë e tij prej basketbollisti. Këtë e kishte profesion dhe pasion qysh nga mosha 14-vjeçare. Në terminin e caktuar ai arrin nën përcjelljen e eskortës së tij.

Me të arritur në sallën e basketbollit, Lumezi i entuziazmuar dhe nostalgjik për këtë sport hyn në zhveshtore për të lënë petkun e të parit të Prokurorisë së Shtetit, për të veshur atë të basketbollistit.

Dashuria për këtë sport vërehet lehtë në fytyrën e tij teksa i shfaq aftësitë e tij prej basketbollisti, duke u kthyer disa vite mbrapa. Kryeprokurori Aleksandër Lumezi e pranon se i mungon shumë ky sport dhe koha kur ishte pjesë e ekipit basketbollistik “Prishtina”.

Derisa moshatarët e tij merreshin me aktivitete të tjera, Lumezi thotë se ai kishte zgjedhur basketbollin, i cili i flinte në shpirt. Ai tregon se në kohën e tij ishte trendi të merresh me këtë sport. “Më mungon shumë, unë merrem nganjëherë me të, por jo si përpara. Dëshira ime ka qenë gjithmonë të merrem me basketboll derisa kam qenë i ri, adoleshent, faktikisht atëherë ka qenë në trend dhe shumë urbane të merresh me basketboll.

Derisa fëmijë të gjeneratës merreshin me vozitje të veturave, me muzikë ose duke shkuar nëpër kafene, unë kohën më të madhe e kam kaluar duke u stërvitur nëpër palestra sportive dhe atë nga një orë ose një orë e gjysmë”, tregon Lumezi.

Duke marrë parasysh se në atë kohë Jugosllavia ishte një ekip shumë i fortë dhe kampion i botës, Lumezi thotë se edhe klubi i basketbollit “Prishtina” ka qenë një ekip shumë i mirë, i cili ishte pjesë e garave në ligën e dytë të Ish-Jugosllavisë dhe për këtë ai thotë se gjithmonë kishte pretenduar të inkuadrohet në këtë klub dhe të merret me basketboll profesionit.

LEXO EDHE: Ambasadorja finlandeze kënaqet me djathë dhe ajvar të Kosovës

Basketbollist profesionist nga mosha 15-vjeçare

Karriera e tij në fushën e basketbollit ka zgjatur gjithsej 6 vjet. Në moshën 21-vjeçare Lumezi kishte vendosur të heqë dorë nga profesioni i basketbollit për të nisur karrierën prej një juristi.

“Karrierën e kam nisur si 14-vjeçar. Në moshën 15-vjeçare kam arritur të inkuadrohem në klubin ‘Prishtina’, i cili ka qenë klub i rangut të dytë, sepse ‘Elektro Kosova’ ka qenë klub më i fortë sesa ‘Prishtina’ dhe nuk kam pasur mundësi të inkuadrohem në atë klub. Kam qenë një lojtar i cili e ka organizuar lojën, detyra ime ka qenë t’i shpërndaj topat te lojtarët të cilët shënojnë edhe që të pasoj në rastet kur ka qenë ndonjë lojtar vetëm për të shënuar kosh. Basketbollin e kam lënë në moshën shumë të re, diku në moshën 21-vjeçare, sepse jam përcaktuar që të studioj në Fakultetin Juridik”, rrëfen me nostalgji kryeprokurori i Shtetit.

Në moshën 16-vjeçare Lumezi thotë se ka arritur të bëhet anëtar i reprezentacionit të Kosovës, ku kishte arritur të marrë pjesë në shumë turne në atë kohë që ishin organizuar në ish-Jugosllavi, në turnetë e republikave dhe të krahinave ku kanë pasur një sukses të madh.

Një ndër sukseset sipas tij ka qenë në vitin 1981, ku ekipi i tij ka luajtur në gjysmëfinale me ekipin e Kroacisë, ekip ky që sipas tij kishte lojtarët më të mirë, të cilët më vonë ishin bërë pjesë e klubeve evropiane, duke luajtur edhe në NBA.

Me kalimin e kohës Lumezi thotë se kishte hapur shkollën e tij të basketbollit për femra, si dhe ka qenë trajner i klubit “Universiteti” së bashku me trajnerin Blerim Krasniqi, ku kishin arritur që dy herë të jenë kampion të Kosovës në ligën e femrave.

Image

Nostalgjia e Lumezit për basketbollin

Lumezi thotë se shpeshherë e ndien dëshirën për të luajtur, por obligimet e shumta si i pari i Prokurorisë së Shtetit ia pamundësojnë atë. Megjithatë, atë pak kohë të lirë që ka ai thotë se e shfrytëzon për të luajtur basketboll me shoqërinë e tij.

“Ju e patë që pata nostalgji, edhe pak nuk isha në formën që kam qenë dikur, pasi edhe kondicioni më ka humbur, por prapëseprapë kam nostalgji shumë për këtë sport dhe sa herë që kam kohë të lirë merrem me basketboll dhe jo me diçka tjetër”, shprehet Lumezi.

Ai pohon se edhe pasi kishte hequr dorë nga basketbolli deri vonë ka pasur takime të rregullta dhe ka luajtur basketboll me kolegët e tij. Përveç basketbollit, kryeprokurori na tregon edhe pasionin për muzikën. Rok muzika ishte e preferuara e tij. Ai na tregon edhe për grupet e tij të preferuara që i dëgjonte në atë kohë.

LEXO EDHE: Deputetët e përjetshëm (VIDEO)

“The Beatles” dhe “Pink Floyd” rok grupet e preferuara të kryeprokurorit

Në atë kohë më së shumti kam dëgjuar rok muzikën, sepse atëherë kanë qenë në trend disa grupe të cilat kanë qenë shumë të njohura në ish-Jugosllavi, në Evropë dhe në botë. Më së shumti i kam dëgjuar “The Beatles” dhe “Pink Floyd”.

Në mes të qenit basketbollist dhe në krye të Prokurorisë së Shtetit, Lumezi e ka të vështirë të zgjedhë.

“A më mirë të jesh basketbollist a kryeprokuror, pyetje shumë e vështirë. Derisa kam qenë i ri sigurisht që kam pasur dëshirë më shumë të jem basketbollist, edhe atë basketbollist kulmor. Jo që unë kam qenë ndonjë basketbollist i ndonjë rangu shumë të lartë, por si prokuror kam hyrë në instancën më të lartë të sistemit prokurorial. Të dyja janë të mira edhe të jesh basketbollist i mirë, edhe prokuror ose kryeprokuror i mirë”, thotë ai. Megjithatë Lumezi nuk është penduar që ka zgjedhur profesionin e juristit, edhe pse pohon se trajnerët e tij kishin pritur dhe kishin besuar shumë në sukseset dhe në të arriturat e tij prej basketbollisti, duke e cilësuar si lojtar me perspektivë./ZERI