Vuçiq sulmon NATO-n: Po gënjejnë, ROSU nuk ka leje për veri

Aktuale December 29, 2018 - 15:13
Lexo detajet

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka komentuar serish deklarimet e NATO-s se njësiti ROSU i Policisë së Kosovës mund të veprojë në veri të Kosovës, duke thënë se përfaqësuesit e NATO-s po gënjejnë.

“Po gënjejnë [NATO] dhe kjo nuk është hera e parë. Vetë kam kontaktuar për këtë çështje dhe e di çfarë jemi dakorduar. Ne atëherë kemi biseduar për ROSU dhe para së gjithash e kemi bërë këtë që të definojmë kushtet: kjo ishte se tytat e gjata [armatimi i ROSU] nuk mund të përdoren në veri pa pëlqimin e NATO-s dhe kryetarëve të komunave serbe”, tha Vuçiq.

Ai ka thënë se bashkësia ndërkombëtare dhe NATO tani po “bëhen të shurdhër ndaj Rezolutës 1244″.

Siç raportojnë mediat serbe, presidenti serb sërish i ka dalë në mbrojtjeje nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiq, i cili nga prokuroria speciale e Kosovës po hetohet si i dyshuar për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq në veri të Mitrovicës.

Vuçiq ka thënë se prokuroria tashmë nuk ka pse ta hetojë Radojiçqin, sepse, sipas tij, “atë paraprakisht e kanë gjykuar Prishtina, mediat dhe politikania serbe nga Kosova, Rada Trajkoviq”.

LEXO EDHE: Vuçiq: Pavarësisht masave të Prishtinës, nuk do të gjunjëzohemi

“Pse duhet ta hetojnë tani? Mediat mua tashmë më kanë bindur se ai është fajtor? Kanë gënjyer për të gjitha, si gjithmonë. A mendoni se unë jam i çmendur dhe i marrë të dalë e të them se janë rezultatet e hetimit të Serbisë, a guxoj të gënjej? Këto janë lojërat e tyre, në të cilat është e rëndësishme që të gjitha të hedhen mbi Serbinë, dhe të ndërmerren të gjitha masat më të rënda ndaj serbëve “, ka thënë Vuçiq, duke shtuar se Serbia është e gatshme të arrestojë çdo serb me prova se ai ishte i përfshirë në vrasjen e Ivanoviqit.

Presidenti ka komentuar edhe spekulimet se Qeveria e Kosovës po shqyrton mundësinë e aplikimit të masave të tjera ndëshkuese ndaj Serbisë, siç është edhe ndalimi i qarkullimit monetar në komunat me shumicë serbe, duke thënë se me këto veprime po e sjellin Serbinë deri në atë pikë që do të duhet të ndërmarr diçka dhe të përgatitet për skenarët më të vështirë.

Ai gjithashtu ka komentuar deklaratat e zyrtarëve të NATO-s, të cilët kanë thënë se njësiti ROSU i Policisë së Kosovës mund të veprojë në veri të Kosovës./EkonomiaOnline/