95-vjeçari që i shpëtoi tri herë vdekjes

Aktuale December 29, 2018 - 08:00
Lexo tjera detaje
Image

E mban mend mirë Luftën e Dytë Botërore. E kujton edhe Shaban Polluzhën, ushtar i të cilit ishte. Ndonëse 95-vjeçar, Ramë Hoti nga fshati Marinë i Skenderajt e ka të gdhendur në memorie momentin kur i shpëtoi masakrës së luftës së fundit, e cila ndodhi pikërisht në fshatin e tij, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Kjo nuk ishte hera e parë që Hoti po i shpëtonte vdekjes.

Një fat të tillë ai e kishte pasur edhe dy herë të tjera. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1941, Hoti ishte plagosur në Mitrovicë, por fatmirësisht u kishte mbijetuar plagëve.

95-vjeçari nga Marina kishte arritur të shpëtonte edhe në vitin 1945, gjatë luftës së Shaban Polluzhës në Skenderaj, përderisa aty i ishte vrarë axha i tij bashkë me disa kushërinj të tjerë.

Tri herë radhazi Ramë Hoti nga Marina kishte arritur t’i shmangej vdekjes. Gjersa rrëfen masakrën e fundit që pa me sytë e tij, ai tregon se si në fshatin ku edhe sot jeton forcat paramilitare serbe kishin vrarë e masakruar 18 banorë të fshatit.

“Grazhdi” ia shpëton jetën nga paramilitarët serbë

Teksa shpalos kujtimet e hidhura të luftës së fundit, Hoti tregon se si “grazhdi” i bagëtive ishte bërë shkas që t’ia shpëtonte jetën. Gjersa forcat paramilitare serbe masakronin banorët e fshatit Rama me bashkëshorten e tij gjendeshin në stallë të bagëtive. Atë ditë ishin vrarë e masakruar pa ndalur persona të pafajshëm.

“18 veta prej fshatit i kanë vrarë këtu. Në këtë shtëpi. Unë kam qenë në atë shtëpinë që është andej”, thotë Hoti teksa tregon me dorë kah shtëpia tjetër.

Meqë paramilitarët serbë që kishin kryer masakrën tashmë ishin larguar, në Marinë, para shtëpisë së Hotit kishte mbërritur ushtria e rregullt serbe. Me të dalë jashtë stallës Hoti dhe bashkëshortja e tij ishin goditur me tytë të pushkës nga serbët. Pavarësisht masakrës makabre që ishte kryer afër derës së shtëpisë së tyre, Hotit dhe gruas së tij u ishte dhënë urdhër i prerë që të largoheshin nga aty, të shkonin në Skenderaj. Ndonëse ishin zënë robër fillimisht, i kishin shpëtuar pushkatimit.

Gjatë rrëfimit me dhimbje Hoti kujton kohën kur forcat paramilitare serbe ia vranë familjarët. “Dy vëllezërit e mi m’i kanë vrarë dhe djalin e vëllait. Që të tre”, vazhdon ai. Bashkë me vëllezërit e nipin gjatë luftës së fundit Hoti humbi 17 anëtarë të familjes së gjerë. Në fshatin Rezallë të Skenderajt, ku edhe u vranë vëllezërit e tij, numri i të vrarëve atë ditë kishte kapur shifrën 90, 42 prej të cilëve ishin nga fshati Marinë, nga vjen edhe 95-vjeçari.

“Kemi dëgjuar në Rezallë kur i vranë. S’di sa vetë i kanë vrarë në Rezallë. Diku 90 veta i kanë vrarë atë ditë”, thotë ai.

Më 1941-ën, i plagosur në Mitrovicë

Ndërkohë, shumë vjet para se t’i përjetonte tërë këto, në vitin 1941, gjatë Luftës së Dytë Botërore Rama ishte plagosur në Mitrovicë nga bombardimet e aeroplanëve të ushtrisë gjermane.

“Pata shkuar në Mitrovicë për të shitur diçka në pazar me axhën tim dhe me një shok. Atje në ato momente ‘ballanat’ e gjermanit sulmojnë qytetin e Mitrovicës dhe ne duhej të fshiheshim diku nëpër shtëpi. Aty plagosna. Pasi që përfundon bombardimi axha më merr në shpinë dhe më çon te shtëpia”, shton ai.

Ushtari i mbijetuar i Shaban Polluzhës

Ishte fundi i Luftës së Dytë Botërore, viti 1944-1945. Shaban Polluzha kishte formuar brigadën e tij në rajonin e Drenicës. Pas tij ishin rreshtuar rreth 10 mijë ushtarë. Në mesin e tyre ishte edhe Ramë Hoti, tash 95-vjeçar. Hoti tregon se me Shabanin kishin luftuar ditë e natë kundër okupatorit serb. Shtabin e parë Shabani me ushtarët e tij e kishin bërë në Terstenik. Më pas ai kishte dhënë urdhër për të dalë në Podujevë, në mënyrë që të depërtonin deri në Sanxhak. Shabani me ushtarët e tij donin t’i ndihmonin popullit në Sanxhak.

Por, gjithçka kishte ndryshuar atë moment kur ishte dhënë urdhri. Popullata në Skenderaj po vritej e pritej. Shaban Polluzha kishte dhënë urdhër për kthim për t’i ofruar ndihmë popullit të Skenderajt. “Kanë thënë kthehuni burra se më andej nuk mund të shkoni, se njerëzit po na vriten përmbrapa”, rrëfen Hoti. Pas urdhrit të kthimit lufta e tyre kishte vazhduar në Skenderaj në mbrojtje të popullatës së pafajshme civile.

Edhe në këtë periudhë ish-ushtari i Shaban Polluzhës i kishte shpëtuar vdekjes. Derisa iu vra axha dhe dy komshinj të afërt, Hotin e ndoqi sërish fati. Shpëtoi!

Dhe tash, në moshën 95-vjeçare, Ramë Hoti duket të jetë më i fortë se guri!/ZERI