Kurti kërkon bashkëpunim të ngushtë e real me Shqipërinë

Aktuale December 28, 2018 - 22:31
Lajmet e fundit nga vendi

Në një shkrim ekskluziv për gazetën “Zëri”, lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka folur për gjendjen e vështirë ekonomike e sociale të banorëve në Kosovë. Me këtë rast ai ka kërkuar bashkëpunim të ngushtë e real me Shqipërinë  e që sipas tij nuk duhet të jenë vetëm sa për sy e faqe, shkruan “Zëri.info”.

“Ka ilaç për këtë varfëri: ardhja në pushtet e atyre që janë si shumica e që nuk duan të shkëputen prej saj. E atyre që nuk e shohin politikën si mundësi për të pasuruar veten, por shumicën së pari e bashkë me të edhe veten. E atyre që nuk duan të vjedhin dhe që dinë të zhvillojnë, me një program alternativ ku ndërthuret mbrojtja dhe nxitja e prodhimit vendor dhe e sipërmarrësve të vegjël e të mesëm, bashkimi i kapitalit shtetëror e atij privat për rigjallërimin e industrive dhe sektorëve strategjikë, si dhe bashkëpunimi i ngushtë e real me Shqipërinë, jo sa për sy e faqe”, ka shkruar Kurti në shkrimin e tij për “Zërin”.

LEXO EDHE: Për një Vit të Ri pa këta vjedhësit lart, që sollën varfëri të gjerë poshtë

Kurti tutje ka shkruar edhe për takimet në mes të Thaçit e të Vuçiqit, e që sipas tij kanë prodhuar një taktikë për pushtet.

“Takimet e vazhdueshme të Thaçit e të Vuçiqit siç duket nuk prodhuan vetëm skenarin e ndarjes së Kosovës, që e kundërshtuam masivisht në protestë në 29 shtator. Por paskan prodhuar edhe një taktikë për pushtet. Vuçiqi siç duket është i gatshëm të bëjë shumëçka me kusht që në krye të Kosovës e në krye të dialogut të mbetet Thaçi. Madje nuk është çudi që në kuadër të kësaj aleance të fshehtë Vuçiq - Thaçi presidenti i Serbisë të lejojë edhe një qeveri të Kosovës ku Listën Serbe do ta zëvendësonte ndonjë pseudoopozitë shqiptare me kusht që kështu të zgjatej qëndrimi i PDK-së në pushtet”, ka shkruar ai. /ZËRI