Thaçi, 'i paprekshëm'

Aktuale December 26, 2018 - 07:57
Lexo tjera detaje
Image

Pas miratimit të rezolutës dhe të ekipit negociator, Qeveria e Kosovës tashmë ka miratuar edhe Projektligjin për kompetencat e këtij delegacioni. Pavarësisht kësaj, kompetencat e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi do të mbeten të paprekshme në procesin e dialogut Kosovë - Serbi, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Një gjë të tillë e ka pohuar vetë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, menjëherë pas miratimit të projektligjit në fjalë. Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se pos kësaj, ekipi negociator nuk do të mundë ta ndalë as negocimin e idesë për korrigjim të territoreve. Megjithëkëtë, formimi i këtij ekipi sipas tyre mund të cilësohet si një hap pozitiv, pasi që tash e tutje do të ketë edhe një zë shtesë në procesin e dialogut. Ndërkaq përfaqësuesit e dy partive më të mëdha opozitare, LDK-së e LVV-së, të cilat nuk i janë bashkuar këtij procesi vlerësojnë se delegacioni për dialog nuk do të arrijë të bëjë asgjë, veçse t’ia japë legjitimitetin e munguar presidentit Thaçi.

Opozita: Delegacioni për dialogun, i pavlefshëm

Teksa ka folur rreth projektligjit për kompetencat e ekipit negociator, të cilin e ka votuar tashmë Qeveria, deputetja e LDK-së Besa Gaxherri ka thënë se kjo është vetëm një trik për ta dezinformuar bashkësinë ndërkombëtare. “Nuk do koment. Kjo është vetëm një lojë e mazhorancës me PSD-në, që vërtet faktori ndërkombëtar të jetë i dezinformuar që gjoja e ka mbështetjen dhe Kuvendi e ka një delegacion, që në fakt ky delegacion është krejt i pavlefshëm. Prandaj LDK-ja ka qëndrimin e tillë çfarë e ka dhe nuk mund ta ndryshojë. Ne nuk mund të hyjmë në lojërat e turbullta të askujt”, ka theksuar ajo gjatë një bisede për gazetën “Zëri”.  

Ndërkohë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka konsideruar se asgjë nuk ka ndryshuar lidhur me dialogun, pavarësisht faktit që Qeveria e Kosovës tashmë ka miratuar projektligjin për detyrat, kompetencat dhe përgjegjësitë e ekipit negociator. “Ky ekip negociator do të jetë një kopje e dobët e Edita Tahirit dhe e ekipit të saj të dikurshëm. Trendi është i njëjtë, nuk ka ndryshuar asgjë në shërbim të Kosovës. Prandaj LVV-ja as atëherë, as tash nuk do të bëhet pjesë e diçkaje që është në dëm të Kosovës”, është shprehur ai për “Zërin”.

Derisa në krye të procesit vazhdon të jetë presidenti Thaçi, atëherë ky ekip negociator sipas Selimit nuk do të bëjë asgjë, përveçse do t’ia kompletojë fotografinë në Bruksel kreut të shtetit. Rrjedhimisht, ai që do të vendosë mbi tërë çështjet që kanë të bëjnë me negociatat, sipas deputetit të LVV-së, do të jetë pikërisht kreu i Kosovës. “As nuk ka hap mbrapa, as para në këtë drejtim. Mbetet pozicioni i njëjtë. Në ditët në vijim do të shihet edhe më tepër që personi vendimmarrës për fat të keq do të mbetet Thaçi, kurse ekipi negociator, Limaj, Ahmeti dhe të tjerët, thjesht do të mundohen t’ia japin një legjitimitet të munguar Thaçit në këto bisedime”, ka theksuar ai.

Duke u nisur nga tërë këto, përfaqësuesit e këtyre subjekteve thonë se vendi mund të dalë nga gjendja aktuale vetëm duke shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme. “LDK-ja e sheh zgjidhjen duke shpallur zgjedhjet nacionale dhe duke marrë besimin e qytetarëve, sidomos në këtë situatë çfarë është tash”, ka potencuar deputetja e LDK-së Besa Gaxherri., shkruan Gazeta "Zëri".

Formimi i ekipit nuk e stopon negocimin për kufij

Artan Murati, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), ka vlerësuar se pavarësisht votimit të rezolutës, ekipit negociator dhe projektligjit mbi detyrat e këtij ekipi, kompetencat e presidentit Thaçi do të mbesin të paprekshme. “Kjo nuk do t’ia kufizojë asnjëherë kompetencat presidentit e aq më tepër nuk do të flasë as për ndalim të negocimit për çështje territoriale ose për çështje të tjera. Pra, thjesht kemi të bëjmë me një suplement të asaj çka është duke ndodhur deri më tash në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka potencuar ai.

Megjithëkëtë, e mira e kësaj sipas Muratit do të jetë se me formimin e ekipit negociator do të ketë më shumë se një zë kur do të flitet për dialogun dhe niveli i transparencës së llogaridhënies mund të ngrihet sadopak. Por problem në tërë këtë situatë sipas tij mbetet mosarritja e konsensusit të përgjithshëm rreth dialogut. “Deri më tash ende nuk është arritur konsensusi i përgjithshëm për faktin se me konsensusin aktual koalicioni qeverisës dhe PSD-ja prapë nuk do të mundin ta kalonin një marrëveshje finale me Serbinë, sepse nuk i kanë 81 vota të mjaftueshme. Andaj ky konsensus i arritur nuk është i mjaftueshëm, por gjithsesi është një hap i parë pozitiv drejt atij konsensusi që kemi kërkuar tash e sa vite”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër njohësi i çështjeve politike, Shkodran Ramadani, ka deklaruar se projektligji që pajis me kompetenca ekipin negociator dhe që nuk ia kufizon kompetencat presidentit synon të arrijë një përfshirje sa më të gjerë të institucioneve dhe të partive politike pa i shkrirë në një ekip. “Projektligji synon ta zgjerojë ekipin negociator të Kosovës dhe ta demonopolizojë rolin e deritanishëm të presidentit që e ka dominuar në tërësi procesin. Ky projektligj do ta minimizojë rolin e tij dhe do të mobilizojë më shumë resurse shtetërore në negociata. Kjo është gjë e mirë”, ka deklaruar ai.

Megjithëkëtë, ai ka konsideruar se projektligji në fjalë nuk parasheh qartë rolin e kompetencave. Rrjedhimisht sipas tij, rrezikon të ketë përzierje të tyre. “Këtë paqartësi në letër do ta qartësojë rrjedha e dialogut në praktikë. Varësisht prej mënyrës sesi do të shpaloset dialogu, do të merren edhe vendimet. Roli i SHBA-së do të jetë me gjasë vendimtar edhe në këtë pikë”, ka nënvizuar Ramadani.  

Kjo sipas tij mund të krijojë edhe tensione mes delegacionit shtetëror dhe presidentit. Në këtë mënyrë nëse ata nuk arrijnë t’i menaxhojnë mirë dallimet, nuk përjashtohet mundësia e shpërbërjes së ekipit negociator./ZËRI