Thaçi: Serbia nuk është e gatshme të përballet me të kaluarën

Aktuale December 24, 2018 - 22:12
Lexo detajet

Presidenti Hashim Thaçi ka vlerësuar se Serbia nuk është e gatshme të përballet me të kaluarën.

Sipas tij ky shtet po vazhdon ‘të paraqesë drama’ në lidhje me atë se çfarë kishte ndodhur para dy dekadash.

“Duke e parë sjelljen e Serbisë në Kroaci, në raport me Bosnjën dhe Hercegovinën dhe sjelljen e saj me Kosovën. Duke u paraqitur si viktimë dhe duke aktruar role se gjoja se ka qenë viktimë e gjithë asaj katrahure të shpërbërjes së ish Jugosllavisë, nuk mendoj se Serbia do të ndryshojë qasjen në raport me të kaluarën në Kosovë”.

“Ata e dinë se çka kanë kryer në Kosovë, çfarë dhune kane ushtruar ndaj popullatës shqiptare. Është kryer prej shtetit ne mënyrë te organizuar dhe te orkestruar”.

LEXO EDHE: Thaçi e përsërit: Ushtria punë e kryer

Thaçi në Zona B theksoi se në seancën e OKB-së ishte hera e parë ku Serbia dhe Kosova, janë ballafaquar aq drejtpërdrejtë për këto çështje.

“Nuk kam çka me shtu më tepër asaj që kam theksuar në OKB. E kam potencuar shpesh në ambiente të ndryshme, në takime të ndryshme dhe kam theksuar qartë krimet qe i ka kryer Serbia në Kosovë. S’jam i vetmi, kanë folur të gjithë liderët e Kosovës, organizata të ndryshme shoqëria civile etj. Përderisa Serbia nuk turpërohet të vazhdoje ta gënjejë botën për atë çka ka ndodhur në Kosovë, kur dihet botërisht kush ishte agresori, natyrisht ne nuk mund të lejojmë që të luhen drama të tilla por duhet guximshëm dhe me argumente të theksohen gjerat”.

“Shteti i Serbisë ka kryer vrasjen e rreth 13 mijë e 500 civilëve shqiptarë, ende nuk është akuzuar dhe dënuar askush në Serbi. Shteti i Serbisë ka kryer rreth 400 masakra, askush në Serbi nuk është thirrur nga organet e drejtësisë, nuk është akuzuar e lërë më të dënohet. Janë 20 mijë gra të dhunuara, askush në Serbi nuk është thirrur nga organet e drejtësisë, nuk është akuzuar e lëre më të dënohet. Mbi 1 milion qytetarë janë dëbuar”.

“Është heshtur ky gjenocid dhe spastrim etnik. Obligim i imi ka qenë edhe si luftëtar i UÇK-së edhe si përfaqësues i Kosovës ta them këtë të vërtetë në vendin e duhur, në kohën e duhur përballë Serbisë”.

Presidenti i vendit tha se nuk duan hakmarrje se do të nderohet e kaluar dhe në të njëjtën kohë duhet të punohet për të ardhmen. Sipas tij as Kosova e as Serbia nuk mund të vazhdojnë rrugëtimin evropian pa arritur marrëveshje mes vete.