LDK: Me LVV-në jemi përcaktues për çfarëdo marrëveshje

Aktuale December 24, 2018 - 20:47
Lexo detajet

Naser Rugova, deputet nga radhët e LDK-së, gjersa ka theksuar se partia e tij në asnjë formë nuk do të bëhet pjesë e ekipit negociator për dialog me Serbinë, ka thënë për “Zërin” që asnjë marrëveshje me Serbinë nuk do të mundë të kalojë në Kuvend pa votat e dy partive opozitare, të LDK-së dhe të LVV-së.

 “Lojërat e koalicionit qeverisës të cilët po tentojnë të qëndrojnë në pushtet, duke tentuar që ta vënë LDK-në dhe LVV-në para aktit të kryer, nuk do t’u funksionin, sepse asnjë vendim në Kuvendin e Republikës së Kosovës për çështje të tilla kaq të rëndësishme për vendin nuk merret pa 2/3-at e votave në Kuvend. LDK-ja dhe LVV i kanë 44 vota dhe nëse të gjithë deputetët e të tjerët do të votonin një rezolutë, pa LDK-në dhe pa komplet opozitën, asnjë marrëveshje nuk do të mund të ratifikohet”, ka thënë ai.

LEXO EDHE: Ambasada e SHBA-së: Opozita të përfshihet në dialog!

Deputeti i LDK-së thirrjet e koalicionit qeverisës për unitet për dialogun i ka quajtur joserioze dhe jo të logjikshme.

“Kjo qasje e partnerëve të koalicionit është e vonuar dhe jo e drejtë, sepse për gjëra të tilla që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit hapat e koalicionit qeverisës janë joseriozë, nuk kanë platformë dhe nuk kanë dokument bazë e as orientime strategjike për këtë përfshije të gjerë. Prandaj është jo e logjikshme që një parti historike që është ideatore e themelimit të shtetit të Kosovës dhe është partia e parë në vend, LDK-ja, t’i shkojë mbrapa një koordinatori ose dy të atij ekipi, që janë nga partia e katërt dhe partia e gjashtë”, ka theksuar Rugova. /ZERI