Bahtiri nënshkruan i pari peticionin për bashkimin e Mitrovicës

Aktuale December 24, 2018 - 12:32
Lexo Detajet

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, së bashku me nënkryetarin Faruk Mujka, të shoqëruar nga drejtorët e drejtorive komunale sot kanë nënshkruar Peticionin përmes të cilit kërkohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që të iniciojë procedurën për Ndryshim- Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-041 për Kufijtë Administrativ të Komunave, me qëllim bashkimin e qytetit të Mitrovicës, por duke mos cenuar në asnjë mënyrë integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

Me këtë rast kryetari Bahtiri, theksoi se që nga sot fillon peticioni për bashkimin e Mitrovicës, prandaj edhe ne si institucione lokale kemi shprehur vullnetin dhe gatishmërinë që këtë iniciative ta përmbyllim me bashkim të qytetit.

“Kërkoj nga ju që të dalim faqebardhë me këtë peticion , e ti drejtohemi në mënyrë legjitime Kuvendit të Kosovës. Nuk do të ketë parti politike, por do të jemi ne për të gjithë, peticioni fillon sot, dhe në qoftë se dikush do të ketë hamendje që nuk do të realizohet gabon sepse do të realizohet. Ju lus si qytetar i Mitrovicës që ti dilni zot vendit tuaj, dhe ditën e sotme ti përgjigjen vullnetarisht dhe masivisht iniciativës sime”, tha ndër të tjerash kryetari Bahtiri.

Ky peticion ka shtrirje në tërë Kosovën, me theks të veçantë në Mitrovicë janë vendosur pesë pika, duke filluar para objektit të ndërtesës komunale, tek sheshi i qytetit, në afërsi të stacionit të autobusëve, tek xhamia ”Isa Begu”, ku qytetarët kanë mundësi të nënshkruajnë këtë peticion.