'Në mënyrë direkte apo indirekte, LDK do përfshihet në marrëveshjen me Serbinë'

Aktuale December 23, 2018 - 23:13
Lexo Detajet

Qeveria nesër pritet të votojë projektligjin e posaçëm për dialog, për ta dërguar pastaj në Kuvendin e Kosovës me anë të së cilën synohet përcaktimi i përgjegjësive dhe kompetencat e delegacionit shtetëror në procesin e bisedimeve me Serbinë.

Me miratimin e këtij Projektligji për dialogun, i cili pastaj kalon në ligj, pritet të sqarohen të gjitha kompetenca dhe përgjegjësitë e delegacionit të Kosovës në negociatat me Serbinë.

Mirëpo, ekipi negocitor i propozuar nga Partia Socialdemokrate megjithëse mund të quhet i mandatuar nga Kuvendi, ai si ekip nuk është gjithëpërfshirës.

Në një proncim për Indeksonline njohësi i çështjeve politike, Donik Sallova ka thënë se ekipi mund të shkojë në negociata, por nuk mund të pretendojë që për marrëveshjet e arritura do ta ketë mbështetjen e 2/3 të votave të Kuvendit, kur do të duhet ratifikimi eventual i këtyre marrëveshjeve.

“Ekipi negociator mund të quhet i mandatuar nga Kuvendi, por si ekip nuk është gjithëpërfshirës, duke qenë se 2/3 e opozitë nuk janë pjesë e tij. Pra ekipi mund të shkojë në negociata, por nuk mund të pretendojë që për marrëveshjet e arritura do ta ketë mbështetjen e 2/3 e votave në Kuvend, kur do të duhet ratifikimi eventual i këtyre marrëveshjeve”, ka thënë Sallova.

Përkundër deklaratave të Lidhjes Demokratike të Kosovës se nuk do përfshihet në këtë ekip, Sallova mendon se ajo nuk mund të largohet krejtësisht nga ky proces, pasi, sipas tij, edhe LDK ka merita në pikën ku kemi arritur.

Pra, ai mendon se në mënyrë direkte apo indirekte LDK do të jetë pjesë e marrëveshjes.

“Shihet qartazi insistimi i SHBA-ve për intensifikimin e dialogut dhe arritjen e marrëveshjes përfundimtare. Në LDK sot ka dy rryma që po përplasen lidhur me këtë çështje: njëra rrymë është ajo e gardës së vjetër (pa Isa Mustafën), e cila mendon se LDK duhet të bëhet pjesë e procesit ose të deklarojë mbështetjen ndaj tij në Kuvend; dhe rryma tjetër, kryesisht e deputete të rinj të cilët thjeshtë janë duke kalkuluar politikisht, duke pretenduar se kështu janë duke e bërë LDK më konkurrente kundrejt kundërshtarëve të saj. Edhe marrëveshjet themelore të Brukselit e mbajnë vulën e LDK-së, prandaj LDK s’mund të pretendojnë të distancohen prej tyre duke e radikalizuar pozicioni e vet, sepse thjeshtë nuk i shkon LDK-së”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, sipas tij, VV nuk do të jetë pjesë e negociatave dhe dyshon që do të përkrahë marrëveshjen me Serbinë, duke e ditur që nga kjo marrëveshje do të përfitojnë serbët.

“Sa i përket VV-së ajo nuk do të jetë pjesë e negociatave dhe dyshoj që do ta përkrahë marrëveshjen me Serbinë, duke e ditur që nga kjo marrëveshje do të përfitojnë serbët dhe Serbia territorialisht dhe politikisht në Kosovë. Por këtë luks refuzimi nuk e ka LDK Ajo do të bëhet pjesë e marrëveshjes në mënyrë direkte apo indirekte”, ka shtuar Sallova.

Ndryshe, më 15 dhjetor të këtij viti në Kuvendin e Kosovës u miratuar rezoluta e dialogut e propozuar nga PSD.

Në këtë projekt-rezolutë thuhet se procesi i dialogut me Serbinë do të jetë i pranueshëm vetëm nëse përfundimi i tij do të rezultojë në: Njohje të ndërsjellë të shtetësisë nga palët e përfshira në Proces. Anëtarësim të Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB). Zotim të verifikueshëm për përshpejtimin e proceseve integruese të Kosovës në BE dhe NATO.