Mediat serbe raportojnë për plane të Britanisë së Madhe që lidhen me Listën Serbe

Aktuale December 23, 2018 - 22:11
Lexo Detajet

Gazeta serbe “Veçernje Novosti” në ballinën e saj ka botuar tekstin se Britania e Madhe ka iniciuar një plan “të zjarrtë” që sipas kësaj gazete ka për qëllim të minimizojë në maksimum ndikimin e Listës Serbe.

Sipas kësaj gazete që i referohet një raporti sekret të shërbimeve sekrete të Serbisë, Britania e Madhe përmes drejtorit të Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike në Kosovës, Fatmir Shehollit në gjysmën e janarit të vitit të ardhshëm do të organizojë një tryezë debati në “Qendrën Mediale” në Çagllavicë ku do të marrin pjesë liderë opozitar të Serbisë (Dragan Gjillas, Vuk Jeremiq, Sasha Jankoviq, Borko Stefanoviq etj) dhe përball tyre do të jenë politikanë serb të Kosovës siç janë ish-ministri i MKK Sllavisha Petkoviq, Nenad Rashiq, Rada Trajkoviq e Alleksandar Jabllanoviq.

Në tekst pohohet se me këtë tryezë të debatit, Britania e Madhe përmes kompanisë IAMN me seli në Londër, që sipas tyre merret me përkrahje të dialogut dhe çështjeve multikulturore dhe promovon ide dialoguese regjionale do të provojë që në skenën politike të Kosovës të sjellë frymë politike konstruktive të serbëve “të dëgjueshëm” për institucionet e Republikës së Kosovës.

Raporti i shërbimeve sekrete serbe të cilit i referohet gazeta beogradase pohon se “shërbimet inteligjente britaneze përmes analistit politik dhe drejtorit të IAMN Fatmir Sheholli, kanë lansuar projekte të rrezikshme kundër shtetit të Serbisë dhe Listës Serbe me qëllim që përfaqësuesit e Listës Serbe si partia më e fuqishme në Kosovës, t’iu minimizojë ndikimin politik me qëllim që projekti i korrigjimit të kufijve të Kosovës me Serbinë të humb si ide projektuese e Vuçiqit”, thuhet në raportin e shërbimeve sekrete serbe.

Në tekstin e botuar pohohet se shërbimet sekrete kanë arritur të kuptojnë se është pikërisht drejtori i IAMN, Fatmir Sheholli, që përmes hulumtimit të realizuar për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, ka lansuar në opinion idenë se shteti i Serbisë qëndron pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Lidhur me këtë tekst për portalin Kosova.info, drejtoi i IAMN, Fatmir Sheholli pohoi, “Britania e Madhe është aleate e fuqishme e shtetit të Kosovës. Si Institut kemi bashkëpunim shembullor me faktorin perëndimor dhe të vazhdojmë të jemi bashkëpunues në projekte që promovojnë demokraci, multikulturalizën, dialog dhe vlera perëndimore në Kosovë. Sa i përket tryezës së dialogut, është e vërtetë që IAMN është në përgatitje të asaj tryeze dhe projekteve tjera që do të ballafaqojnë politikanët opozitar të Serbisë me politikanët serb të Kosovës por edhe lider politikë e institucional shqiptar me qëllim të transparencës së ideve që do të paraqiten në këto tryeza. Shteti i Serbisë nuk është vetëm pushteti aktual në Serbi por edhe opozita dhe shoqëria civile në Serbi, andaj ne si IAMN do të jemi frymëzues të ideve demokratike dhe civilizuese për fqinjësi të mirë”, tha Sheholli

Image