Kurti për PSD-në: Kushdo që po del prej VV-së po përfundon në prehrin e PDK-së

Aktuale December 23, 2018 - 11:19
Lexo detajet

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka folur për mesazhet e publikuara në media të deputetëve të PSD-së me pjesëtarë të koalicionit qeverisës.

Kurti më mbledhjen e 35-të të Këshillit të Përgjitshëm të VV-së, tha se kushdo që po del prej VV-së po përfundon në prehër të PDK-së.

“Për Lëvizjen Vetëvendosje, fillimi i këtij viti ka qenë paksa i pazakontë, sepse ende nuk po e kuptonim se një grup aktivistësh të dikurshëm por tentonin ta  dëmtojnë Lëvizjen dhe t’ia shkaktojnë asaj një aksident. Sigurisht ata nuk ia dolën ta dëmtojnë Lëvizjen sepse shumica e simptizuesve tanë e analizuan mirë situatën”, tha ai.

Kurti shtoi se kësaj situate ia kuptuan të vërtetën vetëm dje.

“Kësaj tentative hileqare arritëm t’ia kuptojmë të vërtetën vetëm dje kur i pamë në media mesazhet e tyre. Kjo e vërtetë nuk na gëzon aspak, përkundrazi na hidhëron”, shtoi i pari i VV-së.

Kurti dekaroi se deputetët e PSD-së u blenë nga presidenti Thaçi dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

“12 deputetë Thaçi i paska blerë dhe tash janë borxhlinj të Thaçit dhe Kadrisë. Kushdo që po del prej VV-së po përfundon në prehër të PDK-së. I pata lutur të qëndrojnë në Lëvizje, por paskam qenë i pashpresë për projektin e tyre. Thaçi e Veseli e kanë shfrytëzuar edhe lakminë e AAK-së dhe Nismës për pushtet”, tha ndër të tjera ai.

Kurti ka kritikuar ashpër edhe Qeverinë e Ramush Haradinajt.

“Jeta po bëhet më e shtrenjtë, mirëpo Qeveria e Kosovës nuk tregoi ndonjë prirje për të zhvilluar ekonominë. Ajo e vijoi me avazin e vjetër, atë të asfaltit. Madje edhe taksën ndaj Serbisë e ka vendosur pa plan dhe synon ta heqë pa plan”, tha ai.

Kreu i VV-së tha se partia e tij politike është rritur edhe më shumë.

“Pavarësisht përpjekjeve për ta ndalur dhe dëmtuar VV- në i kemi pasur mbi 5 mijë anëtarësime të reja. Sot kemi mbi 36 mijë e 500 anëtarë gjithsej, duke qenë një prej organizatave më të mëdha në Kosovë dhe më gjerë. Në vitin e ardhshëm, qendra të Lëvizjes do t’i hapim në SHBA dhe Francë si dhe në shtete si Greqi, Kroaci dhe Itali, ku ka prezencë të madhe të mërgatës shqiptare”, tha ai.