LDK-ja e LVV-ja 'block' Veselit

Aktuale December 22, 2018 - 07:53
Lexo tjera detaje
Image

Përfundimisht dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës e Lëvizja Vetëvendosje, nuk do t’i përgjigjen ftesës së kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli për të diskutuar rreth procesit të dialogut me Serbinë. Veseli pos këtyre dy subjekteve tashmë ka ftuar edhe presidentin e Kosovës Hashim Thaçin, kryeministrin Ramush Haradinajn dhe ekipin negociator që të mërkurën e javës që vjen të ulen bashkërisht dhe të bisedojnë rreth procesit të negociatave me Serbinë, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Dy partitë më të mëdha opozitare, LDK-ja e LVV-ja, nuk do t’i përgjigjen ftesës së kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli për të diskutuar rreth procesit të dialogut me Serbinë. Veseli pos këtyre dy subjekteve tashmë ka ftuar edhe presidentin e Kosovës Hashim Thaçin, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe ekipin negociator që të mërkurën e javës që vjen të ulen bashkërisht dhe të bisedojnë rreth procesit të negociatave me Serbinë. Por përfaqësuesit e LDK-së konsiderojnë se ftesa e kryekuvendarit Kadri Veseli është vetëm një përpjekje për ta fituar legjitimitetin e munguar të koalicionit PAN për të udhëhequr me Kosovën. Ndërkaq nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se përfaqësuesit e këtij subjekti nuk kanë marrë pjesë as më parë në tryeza të tilla, të cilat organizohen vetëm për ta legjitimuar Thaçin në dialogun me Serbinë. Pavarësisht këtyre, kryeparlamentari Veseli është shprehur optimist se në kohën kur Kosova po përgatitet për fazën finale të dialogut me Serbinë Kuvendi i Republikës së Kosovës do të jetë vendi i unitetit.

LDK: Ftesa e Veselit, përpjekje për ta fituar legjitimitetin e munguar të PAN-it

Gjersa ka njoftuar se të mërkurën duke filluar nga ora 10:00 do të mbahet takimi i cili pritet t’i mbledhë krerët politikë e institucionalë, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka thënë se kjo tryezë do të mbahet me qëllim që të trajtohen temat e procesit të negociatave me Serbinë.  “Do të mblidhemi për t’i trajtuar temat e dialogut, të cilat janë të domosdoshme për arritjen e marrëveshjes finale, që Kosovës ia siguron njohjen nga Serbia, ulësen në OKB dhe anëtarësimin në NATO e në BE”, ka deklaruar Veseli. 

Mirëpo kësaj ftese nuk pritet t’i përgjigjen dy partitë opozitare, të cilat nuk janë as pjesë e ekipit tashmë të caktuar për dialog. Gjersa ka bërë të ditur një gjë të tillë shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se legjitimiteti për të udhëhequr me vendin nuk fitohet me tryeza politike. “Ftesa e Kadri Veselit është përpjekje për të fituar legjitimitetin e munguar të koalicionit PAN për të udhëhequr me Kosovën. Ne i kemi dhënë mundësi koalicionit PAN që përmes katër tryezave të partive politike në pjesën e parë të këtij viti të dakordohemi për dalje nga kriza institucionale. Por arroganca e koalicionit PAN e ka pamundësuar gjetjen e një zgjidhjeje për tejkalimin e krizës”, ka deklaruar Hoti.

 Ndërkohë teksa ka folur rreth ekipit negociator ai ka thënë se ky ekip nuk ia ka dalë ta marrë as shumicën e thjeshtë në Kuvendin e Kosovës. “Javën që lamë pas kemi parë një përpjekje për të arnuar koalicionin PAN me votat e PSD-së, që në fakt janë vota të fituara nga një parti tjetër. Ekipi dialogues ka marrë vetëm 59 vota, që nuk përbëjnë shumicën e thjeshtë në Kuvendin e Kosovës. Pavarësisht kësaj, ta kenë të qartë se dialogu nuk mund të udhëhiqet as nga partia e shtatë në Kuvendin e Kosovës dhe as nga ata me mandate të huaja në Kuvend”, ka nënvizuar deputeti i LDK-së.

LVV: Ftesat për takime të tilla, vetëm për t’ia dhënë Thaçit fuqinë që nuk e ka

Zëdhënësja e LVV-së, Tinka Kurti, ka njoftuar se ky subjekt nuk do të marrë pjesë në tryezën e thirrur për të mërkurën nga kryetari i Kuvendit Kadri Veseli. “Ne nuk kemi marrë  pjesë as më parë në tryezat e tilla të thirrura për legjitimimin e Thaçit në dialogun me Serbinë. Ftesat për takime të tilla janë vetëm për t’ia dhënë Thaçit fuqinë dhe përkrahjen të cilën ai nuk e ka realisht as nga populli e as nga subjektet politike”, ka deklaruar ajo në një prononcim për “Zërin”.

Ndërkaq, ekipi negociator, i cili tashmë është miratuar në Kuvend me votat e partive të koalicionit qeverisës dhe të PSD-së, sipas Kurtit nuk përfaqëson unifikim në procesin e dialogut. “Shoqëruesit e Thaçit, të gjithë prej listave të partive të vogla që as nuk e kalojnë pragun, po i ofrojnë atij thjesht asistencë në dialog. Ata janë zgjedhur me vetëm 59 vota, andaj nuk përfaqësojnë një zë të unifikuar për dialog dhe përkrahja e Thaçit nuk është motiv i mjaftueshëm për t’u nisur në negociata. Ky është vetëm nënshtrim i këtij grupi ndaj një njeriu”, ka potencuar ajo.

Skena politike vazhdon të jetë e përçarë

Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), në kuadër të projektit për dialog ka thënë se spektri politik në Kosovë po vazhdon të mos jetë i bashkuar rreth dialogut, pavarësisht kërkesës së presidentit të SHBA-së Donald Trump që liderët kosovarë të flasin me një zë rreth këtij procesi. “Në atë letër është kërkuar që udhëheqësit e partive politike në Kosovë të flasin me një zë të unifikuar rreth procesit të dialogut Kosovë - Serbi. Fatkeqësisht në kundërshtim me këtë thirrje të presidentit amerikan, që është edhe partneri kryesor i Republikës së Kosovës, skena politike në vend po vazhdon të jetë e përçarë sa i përket një qëndrimi unik drejt dialogut Kosovë - Serbi”, është shprehur ajo.

Kjo situatë sipas Haxhollit paraqet një problem, i cili i konvenon më së paku shtetit të Kosovës. “Pra ne si KDI kemi kërkuar vazhdimisht që partitë politike të arrijnë një konsensus dhe të krijojnë një unitet sa i përket kësaj faze të dialogut me Serbinë. Por po shohim që një përçarje e partive politike ende po vazhdon”, ka potencuar ajo.

Megjithëkëtë, ftesa e kryetarit të Kuvendit drejtuar partive për të arritur unitet sipas saj është edhe një përpjekje e radhës për t’i ulur subjektet politike dhe për t’i bërë bashkë rreth bisedimeve Kosovë - Serbi.  “Ne po shohim që këtë qëndrim unik e ka arritur një pjesë e partive politike, e pamë atë me krijimin dhe me votimin e rezolutës në Kuvend për themelimin e ekipit negociator. Por ky ekip dhe kjo rezolutë nuk u votua nga dy partitë më të mëdha opozitare, LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje”, ka theksuar Violeta Haxholli./ZËRI