Hoti: Do t’i përdorim të gjithë mekanizmat kushtetues kundër Thaçit

Aktuale December 20, 2018 - 13:50
Lexo detajet

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje thonë se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese lidhur me vendimin e presidentit Hashim Thaçi për përbërjen e KQZ-së. Këto dy parti thonë se atyre u takojnë nga dy përfaqësues në KQZ dhe jo nga një, siç ka vendosur Thaçi, shkruan gazeta "Zëri".

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, i cili për “Zërin” ka thënë që partia e tij do t’i përdorë të gjithë mekanizmat ligjorë për të mbrojtur të drejtën e tyre për dy anëtarë në KQZ.

“LDK-së i takojnë dy anëtarë në KQZ. Ndryshe bëhet shkelje kushtetuese dhe sigurisht që LDK-ja do të përdorë të gjithë mekanizmat kushtetues për të realizuar të drejtat e veta”, ka thënë Hoti.

LEXO EDHE: Haxhiu: Do ta dërgojmë në Kushtetuese vendimin e Thaçit për përbërjen e KQZ-së

Ai ka ritheksuar se LDK-së i takojnë dy vende në KQZ, njashtu sikur Lëvizjes Vetëvendosje dhe koalicionit PAN.

“Kushtetuta dhe ligji janë të qarta si emërohen anëtarët e KQZ-së. Gjashtë anëtarë të KQZ-së u takojnë grupeve parlamentare të shumicës shqiptare në Kuvendin e Kosovës. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014 e ka qartësuar se grup parlamentar është partia ose koalicioni që ka marrë pjesë në zgjedhje dhe ka fituar vende në Kuvend. Në zgjedhjet e vitit 2017 janë tri parti ose koalicione që përfaqësojnë shumicën shqiptare që kanë fituar vende në Kuvend. LDK-së i takojnë dy vende”, ka thënë Hoti.