Brenda 30 ditëve Kosova prezanton platformën për dialogun me Serbinë

Aktuale December 19, 2018 - 15:19
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Delegacioni i Kosovës për Dialogun me Serbinë sot ka mbajtur takim në Kuvendin e Kosovës, raporton "Zëri.info".

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti tha se në këtë mbledhje kanë marrë disa vendime sa i përket dialogut me Serbinë.

"Sot morëm disa vendime. U dakorduam që draft ligjin ta procedojmë te Qeveria e Kosovës. Qeveria duhet ta procedoj në Kuvend këtë ligj. Brenda 30 ditëve ne duhet ta prezantojmë platformën për dialogun me Serbinë. Platforma do t'i prezantohet Kuvendit të Kosovës. Diskutuam në lidhje me buxhetin fillestar, përfshirë këtu edhe takimet e para që do të bëjmë. Edhe kryeministri para disa ditëve ka prezantuar një dokument. Ka pasur edhe takime mes Thaçit dhe Vuçiqit. Ne duam që informohemi për këto çështje", tha ai.

Ahmeti tha se është e pa arsyeshme nëse LDK dhe LVV nuk janë pjesë e këtij ekipi.

"Në qoftëse nuk e kuptojnë përgjegjësinë që kemi ndaj Kosovës nuk e di a ka ndonjë fjalë për me i bind. Po flasim që të kemi një marrëveshje me Serbinë", tha ai.

Sa i përket dialogut me Serbinë, ai tha se për bisedimet do të konsultohen edhe me kryeministrin dhe presidentin./ZËRI/