Thaçi krahason letrën e Trumpit me mesazhin e Bushit të Vjetër

Aktuale December 19, 2018 - 12:17
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Teksa ka komentuar letrën e fundit që ka marrë nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar lart përkushtimin e SHBA-së ndaj Kosovës, raporton Zeri.info.

Në një deklaratë për media pak para se të nisë takimi i liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, Thaçi ka thënë se mesazhi i Trump, i përçuar përmes letrës së djeshme, është që të arrihet një unitet mes spektrit politik sa i përket procesit të dialogut.

“Vlerësoj lart përkushtimet e presidentit Trump, zotimet e tij për mbështetje dhe ndihmesë në procesin e negociatave dhe mundësinë e arritjes së një marrëveshje historike, finale mes Kosovës dhe Serbisë. Mendoj që mesazhi i Trump është mesazh i SHBA-së për lidershipin kosovar që të punojmë në mënyrë sa më unike dhe gjithëpërfshirëse, në mënyrë që ta përmbyllim këtë proces të rëndësishëm me një marrëveshje finale, që nënkupton njohje reciproke, ndryshimin e rezolutës 1244, anëtarësimin e Kosovës në OKB”, ka theksuar kreu i shtetit.

Mbështetjen e SHBA-së, ardhur në rrethanat aktuale, presidenti e ka krahasuar me përkrahjen që Kosova kishte marrë gjatë kohës së luftës, respektivisht me mesazhet e dhëna nga ish-presidenti i SHBA-së, Gjorgj H.W. Bush, raporton më tutje Zëri.info. 

“Është një mbështetje e jashtëzakonshme. Unë do të konsideroja se mesazhi i Trumpit për Kosovën mund të krahasohet me mesazhet të cilat i ka dhënë Bushi i Vjetër më 1992, kur është kërcënuar qartë Millosheviqi që nëse e prek Kosovën nuk do të lejojë që të ndodh ajo që kishte filluar atë kohë në Bosnje. Pastaj me vendimin e presidentit Klinton për bombardimin e Serbisë, por edhe me mesazhin e Bushit të Ri në vitin 2007 kur deklaroi qartë se ‘mjaft është mjaft’”, shtoi presidenti i Kosovës.

Thaçi gjatë deklaratës së tij, tha se letra e dërguar nga presidenti Trump pas 11 vjetësh paraqet edhe njëherë një qëndrim shumë të qartë të SHBA-së me mbështetje unike ndaj Kosovës.

“Unë dua të besoj që si çdoherë lidershipi i Kosovës do të reflektojë sepse SHBA do të jenë pranë nesh dhe në mbështetje tonë”, ka potencuar ai.

Ndryshe, kreu i shtetit ka pranuar gjatë ditës së djeshme një letër nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në të cilën kërkohet që liderët kosovarë të jenë të njëzëshëm në procesin e dialogut Kosovë-Serbi./Zeri