Zotohet Veseli: Kosova s’do të tkurret më

Aktuale December 19, 2018 - 11:47
Lexo lajmet e fundit nga vendi!

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është zotuar se territori i Republikës së Kosovës nuk do të ndryshojë edhe pas marrëveshjes finale që pritet të arrihet me Serbinë, raporton zeri.info.

Në një konferencë për media, Veseli ka thënë se Kosova do ta ruajë integritetin dhe sovranitetin e saj. Po ashtu, kryetari i PDK-së është shprehur i bindur se nuk do të ketë as Asociacion me kompetenca ekzekutive. Qëndrimi i palës kosovare në këtë proces sipas tij do të jetë në përputhje të plotë me kushtetuan e vendit.

“Qëndrimi do të jetë Kushteuta e Republikës së Kosovës, sovraniteti dhe integriteti. Jo cenim i integritetit territorial, jo Asociacion me kompetenca ekzekutive, vetëm në bazë të kushtetutës”, ka deklaruar ai.

Sipas Veselit nuk ka dialog i cili mund ta nxjerrë Kosovën nga binarët e vet të shtetësisë dhe integritetit.

“Serbia duhet të na njohë dhe do të na njohë. Serbia do ta njohë shtetin sovran të Kosovës. Ky është një proces i pakthyeshëm”, ka potencuar ai.  

Më tej, kreu i kuvendit ka thënë se spektri politik në Kosovë duhet të bashkohet në procesin e negociatave, ashtu siç ishte bashkuar për ta fituar lirinë.

“Bartësit e institucioneve e kanë për obligim kushtetues që të jenë pjesë e këtij procesi. Për më shumë ne kemi krijuar edhe delegacionin shtetëror, ku është edhe opozita edhe pozita, kemi qenë edhe në vitet e ’90 kur e kemi arritur lirinë. Pse nuk jemi tash?”, ka vazhduar kreu i kuvendit.

Veseli më tej, ka folur edhe rreth letrës që presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ia ka dërguar dje presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me ç’rast ka thënë se e vlerëson dukshëm një veprim të tillë të të parit të SHBA-së.

Përmes kësaj letre Trump ka kërkuar nga liderët kosovarë që të jenë unikë dhe të njëzëshëm sa i përket procesit të negociatave me Serbinë./Zeri