LDK e VV kundërshtojnë ftesën e Thaçit, PDK publikon emrin e anëtarit të saj në KQZ

LDK e VV kundërshtojnë ftesën e Thaçit, PDK publikon emrin e anëtarit të saj në KQZ

Aktuale dhjetor 18, 2018 - 14:41
Lexo Detajet

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka nisur procedurat për emërimin e anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Gjatë ditës së djeshme lajmi.net raportoi se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka nisur procedurat për emërimin e anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) duke iu dërguar shkresa partive politike për këtë.

Se u ka shkuar ftesa për nominimin e kandidatëve për anëtarë të KQZ-së e kanë konfirmuar edhe vet përfaqësuesit e partive politike.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka bërë të ditur për lajmi.net, se e kanë pranuar këtë ftesë dhe tashmë ka ka nominuar anëtarin e saj për në KQZ.

Krasniqi ka thënë se Ilir Gashi është norminuar për anëtar të KQZ-së.

“PDK ka nominuar Ilir Gashin për anëtar të KQZ-së”, ka deklaruar Krasniqi.

Ndërkaq Natyra Kuçi, zëdhënëse e PSD-së ka thënë se ky subjekt politik sonte ose më së largu nesër do të bëj publik emrin për anëtar të KQZ-së.

“Po na ka ardhur shkresa zyrtare nga presidenti ashtu siç është e paraparë edhe me Kushtetutë dhe me aq sa e di unë, shkresë u ka dërguar edhe partive të tjera, do me thënë grupeve më të mëdha parlamentare. Emri prej PSD-së do të bëhet publik sonte ose nesër”, deklaroi Kuçi.

Në anën tjetër Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se këtij subjekti politik i takojnë dy anëtarë në KQZ, dhe jo siç i është dërguar ftesa për një anëtarë.

Sipas LDK-së, në të kaluarën kërkesat e tilla për grupet parlamentare gjithnjë janë drejtuar nga vet Presidenti i vendit konform Kushtetutës dhe  legjislacionit përkatës.

“Sido që të jetë, Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se, çështjen e ndarjes së vendeve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve e ka rregulluar qartësisht Kushtetuta e vendit dhe kjo çështje në asnjë rast nuk mund të trajtohet si çështje e vullnetit të dikujt për përcaktimin e numrit dhe vendeve të subjekteve politike në KQZ, madje as e presidentit”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Sipas LDK-së, vendet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve duhet të ndahen në mes të tri subjekteve politike të cilat si të tilla kanë dalë nga zgjedhjet: koalicioni PAN, partia Vetëvendosje dhe koalicioni të cilin e përfaqëson LDK.

“Në këtë mënyrë, Lidhjes Demokratike të Kosovës i takojnë dy anëtarë të KQZ-së  emrat e të cilëve shumë shpejtë do t’i dërgohen presidentit për emërimin përfundimtar të tyre”, thuhet në njoftim.

LDK përmes këtij njoftimi po ashtu ka bërë të ditur se ky subjekt politik “është tejet e vendosur që të mos lejojë cenimin e përfaqësimit të saj në një institucion me rëndësi siç është KQZ dhe do të mbrojë të drejtën e saj të përfaqësimit në këtë institucion përmes të gjitha rrugëve ligjore dhe demokratike”.

Ndërkaq, Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se përfaqësimi në KQZ është rrjedhojë e pjesëmarrjes në zgjedhje dhe e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare dhe kjo nuk varet as nga vullneti e as nga bindjet partiake të presidentit.

Sipas tij, roli i presidentit është përmbushja e procedurës, duke konfirmuar nominimet e subjekteve politike që kanë marrë pjesë në zgjedhje.

“Hashim Thaçi nuk mund ta përdorë zyrën e Presidentit për t’ia mohuar opozitës përfaqësimin që ua ka dhënë votuesi në zgjedhje, e që ia garanton Kushtetuta, ligji, por edhe standardet ndërkombëtare, sikurse që, ai nuk mund t’ia zgjerojë përfaqësimin PAN-it me katër anëtarë, ngase juridikisht në zgjedhjet e 11 qershorit, PDK, AAK, NISMA dhe PSD ishin një subjekt i vetëm politik dhe juridik, të cilit i takojnë dy anëtarë, sikurse që Lëvizjes VETËVENDOSJES dhe LDK-së ju takojnë nga dy anëtarë”, ka deklaruar Rrustemi.

Rrustemi po ashtu këtë shkresë të presidentit e ka vlerësuar si antikushtetuese pasi që siç u shpreh ai, partitë politike që janë krijuar në ndërkohë në Kuvend pas zgjedhjeve nuk u takon të kenë përfaqësues në KQZ.

“Rrjedhimisht shkresa e zyrës së Presidentit, përmbajtësisht është antikushtetuese dhe tërësisht politike, duke ftuar edhe grupet parlamentare që janë krijuar ndërkohë në Kuvend e që nuk ju takon të kenë anëtarë në KQZ. Kjo qasje e Zyrës së Presidentit vetëm sa po e dëshmon pretendimin e tyre për të zgjeruar gamën e institucioneve të kapura edhe me KQZ-në, si institucion i pavarur dhe kushtetues”, ka deklaruar Rrustemi.

Ai ka thënë se Vetëvendosjes i takojnë dy anëtarë në KQZ.

“Lëvizjes Vetëvendosje i takojnë dy anëtarë në KQZ dhe çfarëdo veprimi e vendimi tjetër nga ana e Presidentit do të kontestohet në gjitha instancat”, ka deklaruar Rrustemi.

Ndryshe, lajmi ka bërë përpjekje që të marrë përgjigje zyrtare nga Presidenca, por nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje, duke thënë se do të flasin kur të merren vendimet.

Kujtojmë se presidenti Thaçi kishte kërkuar nga Gjykata Kushtetuese interpretimin e nenit 139 [Komisioni Qendror i Zgjedhjeve], paragrafi 4, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke shtruar pyetjet në vijim: “nga cilat grupet parlamentare duhet të emërohen anëtarët e KQZ-së: a) nga grupet parlamentare që kanë dalë nga subjektet politike që i kanë fituar zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës?; apo b) nga grupet parlamentare që krijohen pas konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës?”. Në përgjigje të saj, Kushtetuesja ka refuzuar kërkesën e Presidentit të Kosovës.

“Gjykata gjeti se çështjet e ngritura nga parashtruesi para Gjykatës nuk hyjnë në fushëveprimin e juridiksionit të Gjykatës Kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113. Rrjedhimisht, në pajtim me nenin 113, paragrafi 1, të Kushtetutës, Gjykata përfundoi se kërkesa është e papranueshme”, është thënë në njoftimin e Gjykatës.