Shpendi i dha “krah” Qeverisë

Aktuale December 18, 2018 - 07:52
Lexo Detajet
Image

Muaj më parë deputetët e PSD-së ishin të parët që i kishin dorëzuar nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë nëpërmjet mocionit të votëbesimit, duke akuzuar kështu LDK-në dhe LVV-në se nuk dëshironin ta rrëzonin Qeverinë. Por me miratimin e rezolutës për dialog të shtunën e kaluar vlerësohet se i është zgjatur jeta koalicionit qeverisës, pasi tash e tutje do të mbështetet në 12 votat e PSD-së, prandaj zgjedhjet e parakohshme aktualisht as që janë në rend të ditës, shkruan sot Gazeta "Zëri".

“Fluturimi” i Shpend Ahmetit në ekipin negociator qeveritar për dialog me Serbinë vlerësohet se përfundimisht e ka mbytur iniciativën e opozitës për shkarkimin e Qeverisë së kryeministrit Haradinaj, pasi aktualisht LDK-së dhe LVV-së u mungojnë shuma vota të deputetëve për mocionin e votëbesimit.

Muaj më parë deputetët e Partisë Socialdemokrate ishin të parët që i kishin dorëzuar nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë nëpërmjet mocionit të votëbesimit, duke i akuzuar kështu dy partitë tjera opozitare (LDK dhe LVV) se nuk dëshirojnë ta rrëzojnë atë.

Por me miratimin e rezolutës për dialog të shtunën e kaluar i është zgjatur jeta koalicionit qeverisës, pasi tash e tutje do të mbështetet në 12 votat e PSD-së, prandaj zgjedhjet e parakohshme as që janë në rend të ditës.

Pavarësisht se janë udhëheqës të ekipit të ri negociator qeveritar deputetët e PSD-së thonë për “Zërin” se ky fakt nuk ndërron edhe qëndrimin e tyre për rrëzim të Qeverisë.

PSD: Qëndrojmë pas nënshkrimeve për rrëzim të Qeverisë

Deputetja nga Partia Socialdemokrate, Shqipe Pantina, ka thënë për “Zërin” se fakti që janë bërë pjesë e ekipit negociator për dialog me Serbinë nuk do të thotë se ata i kanë tërhequr nënshkrimet e tyre për rrëzim të Qeverisë aktuale. “Mendojmë se Qeveria ka bërë e po vazhdon të bëjë gabime dhe ne duhet ta mbajmë përgjegjëse atë duke u munduar t’i ndalim vendimet e këqija të Qeverisë, por duhet të votohen edhe ligjet të cilat janë në të mirë të qytetarëve. Nuk ka ndonjë ndërrim të qëndrimit tonë për faktin që ne jemi bërë pjesë e delegacionit, por gjithmonë vendimet merren në bazë të rrethanave të reja që krijohen”, ka thënë Pantina.
Pantina ka shtuar se nëse kërkesa për rrëzim të Qeverisë do të vinte nga Lista Serbe ajo personalisht nuk do ta mbështeste. “Ne duhet ta shohim arsyen se pse duhet të rrëzohet Qeveria, sepse unë nuk do ta votoja rrëzimin e saj nëse për shembull kjo bëhet me kërkesën e Listës Serbe për shkak të taksës 100%. Nëse kjo është kërkesa e mocionit unë votoj kundër, sepse taksa 100% është një veprim që unë e mbështes”, ka thënë ajo.
Tutje Pantina ka treguar edhe arsyen pse PSD-ja i është bashkuar ekipit negociator të Qeverisë. Sipas saj, kjo gjë është bërë me qëllim që Kuvendit t’i kthehet roli në dialog.

Hoti: Partia e shtatë s’mund ta përfaqësojë Kosovën


Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Avdullah Hoti, për “Zërin” ka thënë që Kosova nuk mund të përfaqësohet në dialog nga partia e shtatë ose e tetë në Kuvend. “Kosova nuk mund të përfaqësohet në këtë proces të rëndësishëm me kuazi ekipe dialoguese nga partia e shtatë ose e tetë në Kuvend dhe nga ata që kanë mandate të huaja. Nuk mund t’i jepet legjitimitet Qeverisë ekzistuese të pakicës duke e arnuar atë me mandate të deputetëve, që është e domosdoshme të legjitimohen”, ka thënë Hoti.
Hoti tutje ka thënë që platforma e vetme për dialog me Serbinë është Kushtetuta e vendit. “Asnjë votim në Kuvend nuk mund të shmangë Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Platformë për dialog është vetëm Kushtetuta, ndërkaq ekip negociator është vetëm qeveria legjitime. Opozita duhet të jetë mbikëqyrëse e procesit në bazë të rolit kushtetues që ka”, ka thënë ai.

Kurti kërkon zgjedhje të parakohshme

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë që ekipi i ri negociator me Serbinë nuk do ta ndalë presidentin Hashim Thaçi që të vazhdojë aventurën e tij me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. “Praktikisht bashkëdrejtuesit që u votuan me 59 vota do ta zëvendësojnë ministren Edita Tahiri, ndërkaq presidenti do të vazhdojë me akrobacionet e tij. Nuk është e rastësishme që ai një natë parapara e mbështeti rezolutën që erdhi të nesërmen dhe një orë pas votimit të saj e përshëndeti atë. Ky ishte dimri i vetmisë së madhe i presidentit të Kosovës në aventurën e tij me Vuçiqin, mirëpo nëpërmjet këtij ekipi negociator të Qeverisë po përpiqen që t’ia zbusin vetminë Thaçit”, ka thënë Kurti dje në një konferencë për medie.
Sipas tij, formimi i këtij grupi është i pakuptimtë pasi Qeveria tashmë ka dalë me dokumentin për marrëveshjen finale.  “Ajo që është edhe më interesante është se para se të vijë kjo rezolutë për votim të shtunën në një seancë të panevojshme, dy ditë më herët kryeministri ua ka prezantuar këtë material ambasadave të QUINT-it që paraqet marrëveshjen finale. Cili është kuptimi që t’i krijon grup negociator që do të përpilojë platformë kur e ke bërë marrëveshjen finale? Ky është rendi i mbrapshtë i ecjes së gjërave”, theksoi ai mes tjerash.

Sipas Kurtit, fillimisht do të duhej të shqyrtohet dhe të vlerësohet raporti qeveritar për dialogun dhe të caktohen kërkesat për Serbinë, më pas të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme në mënyrë që t’i kthehet legjitimiteti Qeverisë e në fund të përcaktohet platforma dhe ekipi negociator.

PDK-ja fton LDK-në e LVV-në t’i bashkohen ekipit negociator
 
Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës Hajdar Beqa ka mirëpritur formimin e ekipit për dialogun me Serbinë, me ç’rast ka ftuar edhe dy partitë opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës si dhe Lëvizjen Vetëvendosje, t’i bashkohen këtij ekipi. “Kjo është në interes edhe të vendit, por edhe të qytetarëve që si Kosovë të dalim unikë në raport me Serbinë. Unë e shoh si shumë pozitive që Parlamenti i Republikës së Kosovës ka arritur ta miratojë një rezolutë për bisedime me Serbinë, por konsideroj që tash duhet edhe partitë tjera opozitare si LDK-ja e LVV-ja, shoqëria civile t’i bashkohen ekipit sepse është në interes të vendit që të jemi unikë për këtë proces”, ka thënë Beqa.
Sipas tij, duhet të gjithë të reflektojnë me qëllim që Kosova të përfaqësohet sa më mirë në dialog me Serbinë.

PSD-ja po i kontribuon zgjatjes së mandatit të koalicionit qeverisës

Rasim Alija, njohës i çështjeve politike, ka thënë për “Zërin” që bashkimi i partisë opozitare PSD në ekipin negociator për dialog me Serbinë ia zgjat jetën koalicionit qeverisës.  “Realiteti është që kjo Qeveri ende po vazhdon të mbijetojë. Siç duket do të vazhdojë të mbijetojë edhe për disa muaj e kjo si rezultat që tanimë në një mënyrë ose në tjetrën PSD-ja është pjesë e ekipit negociator e rrjedhimisht i bie që të mos jetë më në kampin opozitar. Është krejt jologjike që partitë e koalicionit ta votojnë rezolutën si subjekt opozitar, t’i japin rol udhëheqës në ekipin e dialogut dhe të thuash se roli ynë si subjekt politik do të vazhdojë të jetë opozitar”, ka thënë Alija.


Kjo, sipas tij,  mund të ndodhë në demokraci tjera, por jo në rastin e Kosovës ku prapaskenat e apetitet për ta rrëmbyer një copë pushteti janë edhe të mëdha e edhe në rend të parë si kulturë politike.


Kurse duke folur për zgjedhje, Alija ka thënë që ato mund të ndodhin tek në vitin e ardhshëm nëse partneri i madh i koalicionit e sheh si të leverdishme dhe shfrytëzon momentin ku subjektet tjera politike janë në prag zgjedhjesh të brendshme për ta shfrytëzuar si mundësi dobësimi dhe të maksimizojë votën për vete si subjekt politik.


Në anën tjetër Eugen Cakolli, nga KDI-ja, për “Zërin” ka thënë që vendimi i partisë opozitare, PSD-së, për t’u bërë pjesë e delegacionit në dialog me Serbinë bie në kundërshtim me deklarimet e tyre për rrëzim të Qeverisë. “Votimi i rezolutës që parasheh formimin e ekipit negociator të Kosovës në kuadër të fazës përfundimtare të dialogut Kosovë - Serbi paraqet një ndër hapat më të rëndësishëm të unifikimit të pozicionit shtetëror të Kosovës në këtë proces. PSD-ja, si iniciuese e kësaj rezolute, ka kohë që ka shprehur gatishmërinë të përfshihet në procesin e dialogut, duke marrë parasysh rëndësinë dhe kompleksitetin që ky proces ka. Një vendim i tillë për t'u bërë pjesë e delegacionit, sidoqoftë, parimisht bie në kundërshti me deklarimet se do ta votojnë mocionin për rrëzimin e Qeverisë”, ka thënë ai.

Edhe Cakolli ka thënë që në zgjedhje mund të shkohet vetëm nëse një nga partitë e koalicionit qeverisës e kërkon një gjë të tillë.

Image