Thaçi akuzon Vuçiqin për sulm me granata ndaj pjestarëve serb të FSK-së

Aktuale December 17, 2018 - 21:59
Lexo Detajet

Presidenti i vendit Hashim Thaci në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka përmendur rastin e sulmit me granata në shtëpitë e pjestarëve serbë të FSK-së duke akuzuar kështu Serbinë për një veprim të tillë që sipas Thacit e kanë bërë t`i frikësuar ata, raporton “Zëri.info”.

“Për mua kanë qenë rrëqethëse rrëfimet e disa ushtarëve nga komuniteti serb për intimidimin që u është bërë nga shteti i Serbisë. Familjet e tyre janë sulmuar. Shtëpitë u janë goditur me granata. Dhe shumë prej tyre janë mbajtur me orë të tëra nga policia e Serbisë kur kanë udhëtuar në Serbi. Kjo është vërtetë e tmerrshme. Më vjen shumë keq për ta, sepse e di që shumica dërrmuese e tyre e kanë dorëzuar uniformën e tyre me lot në sy dhe me zemër të thyer. Por, unë dua t’ju garantoj të gjithëve se ne nuk do të zmbrapsemi asnjëherë nga përpjekja jonë për të përfshirë edhe më shumë të gjitha komunitetet në ushtrinë e Kosovës. Kjo është ushtri e cila do të ju shërbej të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim. Kërcënimi i vetëm që i vjen rajonit janë thirrjet jo-racionale për luftë dhe konflikt që burojnë nga fqinji ynë verior”, ka thënë Thaçi.

LEXO EDHE: Thaçi në OKB: Gabimi i Kosovës që ka pritur pesë vite për ta formuar ushtrinë

Tutje Thaçi ka thënë që vendimi për formimin e ushtrisë nuk është bërë me qëllim ndaj akujt dhe se nuk është kërcënim i akujt.

“Transformimi i misionit të FSK-së nuk është një hap të cilin e kemi ndërmarrë si mesazh kundër askujt. Ushtria e Kosovës nuk është dhe nuk do të jetë kërcënim kundër askujt. Ushtria e Kosovës është dhe do të mbetet profesionale dhe shumetnike. Mbi 10 për qind të ushtarëve janë nga komunitetet jo-shumicë. Serbë, malazezë, kroatë, turq, boshnjakë, romë, egjiptas, ashkalinj, etj. Një forcë e cila do të mbrojë çdo qytetar të Kosovës, në gjithë territorin e Kosovës. Çdo fëmijë, çdo të ri, çdo të re, pavarësisht gjuhës që ata flasin në shtëpi”, ka thënë Thaçi.  /ZËRI